Operacioni ndërkombëtar “Balcania”, 14 të arrestuar në Shqipëri dhe Itali

Një operacion policor ndërkombëtar, i shtrirë në Itali e Shqipëri ka çuar në arrestimin e 14 personave, që dyshohet të jenë pjesë e një grupi kriminal të organizuar, aktiv në shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe shfrytëzimin e prostitucionit.

Burime zyrtare të policisë shqiptare bënë të ditur se, nga të arrestuarit, 8 janë shtetas shqiptarë, 5 rumunë dhe 1 person shtetas italian.

Dy shqiptarët janë arrestuar në Tiranë dhe në Durrës, ndërsa 6 të tjerët, së bashku me rumunët dhe italianin, janë prangosur në Itali.

Operacioni, i koduar me emrin “Balcania”, ka nisur rreth orës 05:30 të kësaj të enjteje dhe është shtrirë në qytetet Rimini, Foxhia, Ravenna dhe Piacenca; ndërsa në Shqipëri, në Tiranë e Durrës.

Qëllimi i operacionit, shtuan burimet, ishte ekzekutimi i 14 urdhër-arresteve, dy nga të cilët ishin ndërkombëtarë.

“Të gjithë personat e arrestuar dyshohen se janë pjesë e një grupi kriminal të organizuar, i përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe shfrytëzimin e prostitucionit në zonën e Riminit”, saktësuan burimet policore.

Ergyst Çeka, 26 vjeç, u arrestua në Tiranë, ndërsa Kujtim Jangozi, 40 vjeç, u prangos në Krujë, sipas policisë, “me qëllim ekstradimi drejt Italisë”.

Policia shqiptare dhe ajo italiane janë duke vijuar hetimet, ndaj deri tani kanë publikuar vetëm inicialet e të arrestuarve të tjerë./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button