Në USHT i filloi punimet Seminari VII Ndërkombëtar i Albanologjisë

Në Universitetin Shtetëror të Tetovës u organizua solemniteti me rastin e fillimit të edicionit VII të Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë. 

Në këtë Seminar, marrin pjesë studiuesit më në zë të shkencave të albanologjisë nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe nga rajoni, të cilët kumtesat e tyre do t’i paraqesin në katër sesionet e Seminarit, edhe atë: në Sesionin e letërsisë, gjuhësisë, historisë dhe etnokulturës.

Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në fjalën e tij përshëndetëse, drejtuar pjesëmarrësve të këtij seminari, theksoi se ky është viti i shtatë me radhë i Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë, që organizohet nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, dhe besojmë se, si edhe viteve të tjera të jetë një ngjarje e suksesshme, e cila do t’i kontribuojë shkencës dhe përgjithësisht studimeve të albanologjisë.

“Manifestimet shkencore, debatet dhe mendimet që pritet të paraqiten gjatë ditëve në vijim, të parapara në Programin e punës të Seminarit të këtij viti, jemi të bindur se do të nxjerrin në dritë vlera të rëndësishme dhe me peshë shkencore. Seminari i Albanologjisë në vazhdimësi ka qenë dhe do të mbetet në shërbim të këtij qëllimi me porosi të mëdha qytetëruese”, ka deklaruar Ameti.  

Në emër të pjesëmarrësve në këtë seminar, përshëndeti edhe dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Shezai Rrokaj. 

“Ky seminar çelet në kushtet kur Universiteti juaj është zgjeruar dhe i plotësuar me fakultete dhe degë të reja, me të gjitha ciklet e shkollimit. Sot, ne sjellim në kujtesën tonë gjithë mundin dhe sakrificat që janë bërë për ta mbajtur ndezur këtë tempull të madh të dijes, burimin shpirtëror dhe thesarin më të çmuar të kësaj treve shqiptare, që është dija kombëtare, pa të cilën nuk mund të ketë vetëdije kombëtare e as komb. Urime të nderuar kolegë, për punën dhe përkushtimin tuaj dhe të gjithë stafit që drejtoni për mbarëvajtjen e Universitetit të Tetovës”, ka theksuar prof. Rrokaj.

Lajme të ngjashme

Back to top button