Rama takon Presidentin Gyl: Partneritet strategjik me Turqinë

Në vijim të qëndrimit të tij në New York gjatë zhvillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kryeministri shqiptar, Edi Rama pati një axhendë të ngjeshur takimesh bilaterale me presidentin e Turqisë Abdullah Gyl, presidentin e Bullgarisë Rosen Plevneliev, presidentin e Kroacisë Ivo Josipoviç, kryeministrin e Malit te Zi Milo Gjukanoviç, si edhe Drejtoreshën e Përgjithshme të PNUD Helen Clark.

Gjatë takimit me Presidentin turk Gyl, kryeministri Rama nënvizoi edhe njëherë partneritetin strategjik mes dy vendeve. Ndërkohë që kreu i shtetit turk e përgëzoi Edi Ramën për fitoren e zgjedhjeve dhe qeverinë e re.

Presidenti Gyl dhe kryeministri Rama biseduan edhe për nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve tregtare mes Shqipërisë dhe Turqisë. Një vëmendje të posaçme në këtë takim pati gjithashtu edhe ndihma që qeveria turke mund të japë për përmirësimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri, transmeton NOA.

Në takimet e veçanta të zhvilluara me presidentin e Kroacisë dhe Bullgarisë, të dyja vende anëtare të BE, bisedimet u përqendruan më shumë në udhëtimin evropian të Shqipërisë, ku qoftë presidenti Josipoviç, edhe presidenti Plevneliev, e siguruan kryeministrin Rama për mbështetjen e plotë që këto dy vende do t’i japin Shqipërisë në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE në dhjetor.

Takimi i Kryeministrit Rama me homologun e tij malazez Gjukanoviç u përqendrua në bashkëpunimin rajonal, në mënyrë të veçantë në dy fusha: studimin e mundësisë për degëzimin e rrjetit të TAP drejt Kosovës dhe Malit të Zi, si edhe krijimit të një projekti të përbashkët për ndërtimin e një autostrade që do të kalonte nga Kroacia drejt Malit të Zi e Shqipërisë, për të lidhur bregdetin Adriatik me atë Jon.

Lajme të ngjashme

Back to top button