fbpx

Ndodh në Mitrovicë: për të ruajtur ambientin, shqiptari i thotë shqiptarit “lopë”!

Në shenjë pakënaqësie dhe mllefi me qytetarët mitrovicas për  shkak të ndotjes së ambjentit, një grup artistësh të rinj të tubuar rreth OJQ-së ‘7 arte’, ditë më parë kanë marrë një iniciative për tërheqjen e vëmendjes së banorëve në një mënyrë unike,pikërisht për të ruajtur ambientin.

Në shumë pjesë të qytetit të Mitrovicës, në ndërtesa dhe objekte të ndryshme janë shkruar grafite, janë bërë piktura nga më të ndryshmet, me të vetmin qëllim që të hapet një debat brenda qytetarëve përkitazi me ruajtjen e ambientit.

Grafite dhe piktura me tendencë ekstreme si “Rrase Nibirë”, ‘Ruaje ambientin pash nënën”, “Oj- pastaj një pikturë e një lope që vazhdon me-ruaje ambientin“ etj., hasen gjithandej Mitrovicës, pjesën jugore.

“Ka dy vite që një grup i të rinjve mitrovicas është frymëzuar nga rasti i vendosjes së barrikadës në urë që dëmtoi dhe shëmtoi urbanizmin dhe ambientin, të cilët kërkojnë të bëjnë diçka ndryshe dhe të bukur”, ka thënë Lulzim Hoti, Drejtor i OJQ-së ‘7 arte” që tubon shumicën e këtyre të rinjve.

E tërë kjo punë dhe këto slogane janë bërë në baza vullnetare, por ka pasuar raste kur janë ftuar edhe artistë nga Skënderaj e qytete të tjera që të marrin pjesë në këto punime, ka sqaruar më tej shefi i ‘7arte’-ve.

‘Mesazhet që kemi dhënë, përmes këtyre pikturave e grafiteve, nganjëherë kanë qenë edhe politike por edhe ambientale, por nuk kemi asgjë kundër popullatës. Këto janë ide nga të rinjtë që të përçojnë mesazh si ‘rras nibir’, kemi fjalën për mos me hedhë mbeturinat në tokë pranë konteniereve, por në kontenier”, ka thënë Hoti.

“Ose slogani, ‘Ruaje ambientin pash nënën’, është bërë pasi që na ka plasuar zemra kur kemi parë se si bashkëvendësit tanë nuk kanë pasuar aspak respekt për ambientin ku jetojnë.”

Sa për slloganin ‘Oj,- pastaj një pikturë e një lopë që vazhdon me-ruaje ambientin’, që është e bërë në qendrën tregtare prapa ish-Shtëpisë së Mallrave në Mitrovicë, Hoti ka sqaruar se: “të rinjtë kanë bërë atë pikturën e vogël të lopës dhe poshtë saj kanë shkruar ruaje ambientin. Por pronarët e dyqaneve në qendrën tregtare kanë kërkuar nga të rinjtë që ti vendosin pastaj edhe atë parashtesën ‘Oj’”.

Në anën tjetër, përgjegjësit e kompanisë për mbledhjen e mbeturinave kanë theksuar se kjo ka dhënë një rezultat pasi që në kontenierë  ku ka slogane të shkruar, nuk ka më hedhje të mbeturinave në tokë ose ka pakë fare në krahasim me atë që ka pasuar para se të shkruhen këto grafite.

“Po i kemi pa ato grafite të shkruara nëpër kontenijer, nuk kemi idenë se kush i ka bërë, por që kanë dhënë rezultat” ka thënë Skënder Tahiraj, Drejtor i Kompanisë Rajonal për menaxhimin e Mbeturinave ‘Uniteti’.

Ndërsa qytetarët mitrovicas, sipas Hotit, kanë dy lloj reagimesh lidhur me këto grafite dhe slogane:

Fillimisht ata qeshim me këto grafite, pajtohen se janë banale, por në fund thonë se të rinjtë po bëjnë mirë me këtë lloj inisiative.

“Oj, lop, ruaje ambientin’, është pak banal ky slogan, por në vete ngërthen një realitet të hidhur” ka thënë Astrit Beqiri, banor i Mitrovicës.

Përfaqësues së OJQ ‘7 arte’, kanë thënë se ky grup i të rinjve do të vazhdojë të bëjë këso grafite e slogane me qëllim që Mitrovica të jetë një qytet sa më i pastër. /tesheshi.com/

Lajme të ngjashme

Back to top button