Skenarët me Kumanovën dhe përtej

Intervenimi i fundit policor ushtarak në Kumanovë i cili u mori jetët dhe dëmtoi një numër jashtëzakonisht të madh individësh nga grupi i armatosur si dhe ndërhyrësve nga rradhët e forcave të sigurisë, shfaqi shumë dilema e pikëpyetje në skenën politike të IRJM dhe jo vetëm. Edhe shkatërrimet fizike të pronës private të qytetarëve si dhe infrastrukturës publike në pjesët e banuara nga shqiptarë etnikë të këtij qyteti në katërkëndëshin kufitar IRJM – Bullgari – Kosovë – Serbi, nuk duken të jenë çështje të rëndësishme dhe me peshë të këtij zhvillimi me impakt rajonal e më gjerë. Çështja duket të jetë e një natyre strategjike dhe shumë përtej Kumanovës dhe shqiptarëve në IRJM.

A.Skenarët e mundshëm

1.Shpërqëndrimi ose tërheqja e vëmendjes së opinionit publik nga kriza qeveritare

Një skenar i shumëpërfolur në opinonin e brendshëm por edhe nga media me ndikim global si Foreign Affairs, Foreign Policy, Die Zeit, The Economist apo edhe pjesa tjetër e shtypit gjerman, frëng, italian etj, ka të bëjë me akuzat e opozitës etnike maqedonase. Sipas tyre, kryeministri aktual Gruevski dhe qeveria e tij e ndodhur nën një presion masiv mbarëpopullor, me kështu aksionesh tenton të shpërqëndrojë vëmendjen nga gjendja e rëndë ku ndodhet vëndi.

Kjo ka të bëjë kryesisht me autoritarizmin gjithnjë e në ritje të qeverisë, korrupsionin e gjithëpërhapur, kapjen e institucioneve shtetërore dhe degëve të tjera të pushtetit si gjyqësori p.sh nga shteti, në fakt nga kryeministri dhe entourage i tij. (Shih:http://www.economist.com/news/europe/21651262-after-long-political-ferment-short-burst-fighting-danger-or-distraction_). Një tjetër tipar negativ i këtij regjimi, githnjë sipas opozitës etnike maqedonase është nepotizmi i gjithëpërhapur, ku shembulli më përfaqësues mbetet ai i lidhjeve familjare të kryeministrit dora vetë me shefin e shërbimeve sekrete, apo edhe lidhje tjera familjare në struktura tjera shtetërore.

Në fund si pasojë e skandalit marramendës të përgjimeve të bisedave telefonike të mbi 20 mijë shtetasve maqedonas, qeveria ka humbur besimin e opinionit të gjerë publik dhe duke qenë nën goditjet konstante të opozitës, rezikon të bjerë nga pushteti. Këtë nuk mund ta tolerojë një diktator autoritar si Gruevski, andaj krijohen tensione të këtilla artificiale me qëllime të caktuara.

Ky, qëndrimi i opozitës etnike maqedonase. Madje sipas akuzave të saj (që duket të kenë mbështetje në burime më të besueshme informacioni, (Shih: http://koha.net/?id=27&l=58149), është shkuar deri atje sa të paguhen me para në dorë elementë me precedentë penalë shqipfolës nga Kosova, për të realizuar skenarin konfliktuoz në Kumanovë.

Pra, tensionimi i marrëdhënieve ndëretnike shihet nga qeveria aktuale si kartë e fundit për të homogjenizuar komunitetin etnik maqedonas dhe për të mobilizuar atë në baza etnike, përballë mundësisë së frikshme të humbjes së pushtetit dhe përballjes gjyqësore me akuzat e rënda për korrupsion, të përgatitura nga opozita aktuale.

2.Dobësimi ose lodhja e BE dhe rikthimi i Rusisë dhe Turqisë si dy fuqi jashtë europiane me interesa diametralisht të kundërta me synimet e BE dhe SHBA
Një mundësi e dytë e shumëdiskutuar në opinionin e gjerë por edhe në median ndërkombëtare, ka të bëjë me skenarë përtej vëndit që marin konotacione dhe përmasa më të gjera.

Është fjala për interesa gjeopolitikë (në kuptim marja në konsideratë e faktorëve gjeografikë në përpilimin e politikave shtetërore) apo përballjen e forcave disi të çinteresuara perëndimore me fuqitë e reja gjithnjë në ngritje lindore.

Këtu kemi parasysh një Turqi të rilindur ekonomikisht me agjendat neootomane, por mbi të gjitha me një superfuqi ushtarake dhe energjetike si federata Ruse. (Shih: https://www.stratfor.com/analysis/problems-foreign-powers-find-balkans?utm_source=freelist-f&utm_medium=email&utm_term=article&utm_campaign=20150521&mc_cid=dd73f66c7b&mc_eid=acdc34f78d). Përfshirja e mundshme e Turqisë analizohet më shumë nga këndvështrimi i influencave negative që kjo mund të ketë në lidhje me politikën e shtrirjes së influencës perëndimore në Europën juglindore, bllokimi i procesit zgjerues, lodhja e BE dhe futja e Turqisë për të plotësuar këtë vakuum politik ekonomik.

Kjo paralelisht me rezikun e përhapjes së fondamentalizmit islamik të inspiruar nga qeveria neokonservative turke në fuqi në Ankara. Një numër i analistëve, politikanë dhe media perëndimore kanë alarmuar me kohë për një ndërlidhje të këtyre faktorëve që janë duke prodhur en masse xhihadistë ballkanikë për në frontet e luftës sektariane në Siri apo vënde tjera të turbullta islamike. (Shih: https://www.foreignaffairs.com/articles/southeastern-europe/2015-05-10/balkans-interrupted).

Kjo politikë e plotësimit së vakuumit si pasojë e lodhjes së BE nga zgjerimi me anëtare që nuk plotësojnë kriteret reale për anëtarësim, kriza e madhe financiare që përfshiu perëndimin përgjithësisht dhe BE në veçanti që nga 2008, kanë ndikuar që fuqitë rajonale të gjejnë më tepër hapësira influencuese dhe përcaktuese të raporteve ballkanike.

Në këtë drejtim, Rusia autoritare e presidentit energjik Putin, shfaqet si fuqia e madhe me forcë reale dhe me mekanizma në dispozicion për të ndikuar realisht në rajon. (Shih: http://www.spiegel.de/international/europe/germany-worried-about-russian-influence-in-the-balkans-a-1003427.html). Kjo shihet nga prezenca e shtuar ekonomike e kësaj fuqie të madhe në entitetin sërb të Bosnjës, në vetë Republikën e Sërbisë, por edhe në Mal të Zi ku ndodhen investime serioze në sektorë ekonomikë vitalë për këtë vend të vogël si turizmi apo metalurgjia, në Bullgari ku ka interesa të rëndësishme energjetikë si dhe në IRJ të Maqedonisë ku vërehet shtimi i investimeve dhe lidhjeve ekonomike mes dy vendeve. E gjithë kjo është duke u përshtatur me lidhje historike të elementëve të caktuar ballkanikë me politikën, kulturën dhe mendësinë tradicionale ruse.

Përtej ideologjive të tilla përafruese si pansllavizmi apo afinitete të nënkuptuara religjioze, prania aktuale ruse në rajon duke robuste, e planifikuar dhe mbi të gjitha e mirëpritur. Në këtë drejtim, largimi i Maqedonisë, Bullgarisë dhe Sërbisë nga linja ruse e gazit, Turkish Stream duket të jetë prapa përplasjeve të fundit në Kumanovë. Një përfshirje e NATO dhe interesave perëndimore në këtë skandal ishte ajo që u dha në median ruse dhe në disa media ndërkombëtare që i qëndrojnë afër kësaj linje apo që edhe vetëm thjesht lajmëruan për çështjen, (Shih: http://rt.com/op-edge/257749-macedonia-albania-police-terrorism-pipeline/, http://geopolitics.co/2015/05/14/nato-sabotaging-russias-turkish-stream-through-macedonia/, http://derstandard.at/2000016541153/Mazedonien-als-Pfropfen-in-Gazproms-Turkish-Stream).

Turkish stream, projekti i madh në vlerë 15 miliardë euro i sjelljes së 63 miliardë kub gazit rus nëpërmjet Turqisë në Maqedoni dhe pastaj nëpërmjet Sërbisë drejt Austrisë, duket që sabotohet nga interesat amerikane në Maqedoni, pas refuzimit të Bullgarisë që të bëhet pjesë e saj si rezultat i presioneve të fuqishme perëndimore. Ky, skenari i supozuar i qendrave e qarqeve ruse, proruse, turke dhe përgjithësisht lindore në lidhje me përplasjet në Kumanovë.

  1. Kriza etnike në vend

Një skenar mjaft i besueshëm i paraqitur edhe në median ndërkombëtare por më shumë në atë shqiptare ballkanike, është çështja e problemeve të brendshme etnike në këtë ish Republikë të vogël jugosllave. IRJ e Maqedonisë akoma nuk ka gjetur çelësin e mirëfunksionimit të një shoqërie demokratike shkaku i pakënaqësisë së vazhdueshme të shtresave të rëndësishme të popullsisë shqiptare, të cilëve u është pamundësuar një pjesëmarje e barabartë në ndarjen e buxhetit shtetëror si dhe një rol real në vendimmarjen politike.

Argumenti shkon në linjë të rebelimit ndaj një regjimi autokratik, nacionalist i cili për më tepër shfaq arogancën fyese me karakter etnik në deklaratat e zbardhura nga përgjimet. I gjithë aksioni i grupit të armatosur i cili përbëhej në masë të madhe nga veteranë të tri ushtrive të fundit çlirimtare të shqiptarëve etnikë në Kosovë, Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Maqedoni, duket sikur vërteton këtë tezë.

Gjithsesi, mbeten hamendësime të fundit sidomos pas deklarateve të liderëve aktualë dhe partive shqiptare, sipas të cilave nuk ka pasur nevojë dhe arsye për aksione të tilla të dhunshme në zona të banuara. (Shih: http://zeri.info/aktuale/32911/ali-ahmeti-tregon-detaje-nga-konflikti-i-kumanoves/, http://www.gazetaexpress.com/lajme/menduh-thaci-nuk-kam-gisht-ne-inskenimin-e-konfliktit-ne-kumanove-video-102757/).

Përpos kësaj, në publik janë përhapur informacione kontradiktore për mundësinë e rekrutimit të personave të veçantë brenda grupit që kanë qenë në djeni të planit aksional për veprim në lagjen shqiptare të Kumanovës. Por sipas kësaj linje të argumentimit, eskalimi i situatës nuk ka qenë qëllimi i organizatorëve apo pjesëmarësve të tjerë dhe i gjithë rasti ka dalë jashtë kontrollit me fillimin e përplasjeve të armatosura. Kjo edhe duket si skenar i mundshëm pasi në të kaluarën ka pasur raste të instrumentalizimit të individëve apo edhe grupeve të caktuara në luftën për pushtet mes klaneve shqiptare në IRJ të Maqedonisë. Një risi mund të ishte nëse manipulimi është përvetësuar dhe përdorur edhe nga pjesa politike e maqedonasve etnikë. Gjithsesi. Reagimi i forcave të sigurisë ishte mbiproporcional dhe i tepërt. Dëmet materiale masive, krejtësisht të panevojshme.

B. Realitetet e zymta maqedonase

1.Nacionalizmi agresiv qeveritar, aroganca antishqiptare, ambivalenca në marrëdhëniet me Perëndimin

Duhet pranuar që Kryeministri aktual Nikolla Gruevski ka qenë i suksesshëm në politikat e tij ekonomike në vënd. Investimet sidomos në infrastrukturën publike janë impresive dhe duken qartë. Edhe përmirësimi i klimës së përgjithshme ekonomike dhe ulja e numrit të të papunëve me hapjen e zonave të lira ekonomike, është një storie suksesi po të krahasohet me vendet tjera apo vlerësohet sipas standarteve ballkanike.

Gjithsesi, suksesi dhe investimet kanë qenë përgjithësisht monoetnike, duke përjashtuar komunitetin shqiptar gati tërësisht nga mirëqënja apo përfitime tjera socio ekonomike. Pikërisht qëndrimi i fortë prej nacionalisti arogant kundrejt partisë shqiptare në qeveri dhe shqiptarëve si publik i gjerë në vënd, bën që ai të jetë i adhuruar dhe i përkrahur tek shtresa të gjera të maqedonasve etnikë edhe në këto momente të rënda për të. (http://kurir.mk/makedonija/vesti/201044-Impozantni-fotografii-od-najgolemiot-miting-vo-istorijata-na-Makedonija-FOTO)

Por duket se skandali i fundit i përgjimeve është duke eklipsuar suksesin modest të politikave ekonomike. Ndërhyrja në sferën private të qindra personaliteteve publike dhe mijëra qytetarëve të tjerë, është një goditje e madhe për personin e kryeministrit dhe filozofinë e tij të një qeverisje të suksesshme dhe demokratike europiane.

Edhe ambivalenca me procesin e integrimit të plotë në BE dhe NATO duket se përveç sanksioneve e bllokadave të ndryshme greke, është strategji e mirëmenduar e kësaj qeverie. Edhe kjo një nga pikat ku opinioni publik i maqedonasve etnikë i frikësuar për ardhmërinë ekonomike dhe politike të vëndit, ka vërejtje të shtuara për garniturën e qeveritarëve aktualë. Nga këtu edhe përkrahja më e madhe e shënuar ndonjëherë në protestat opozitare të organizuara nga socialdemokratët, që nga ardhja në pushtet e djathtistëve të VMRO, më 2006. (Shih: http://www.utrinski.mk/default.asp?ItemID=B7DE86B1A4866849B0FC62907884C1B5 ).

2. Shteti civil, shteti qytetar dhe politika mbietnike. Tentim spostimi i paradigmës së politikës etnike. Majtizmi maqedonas në skenë

Përderisa elita qeverisëse maqedonase grumbulluar përreth kryeministrit në fuqi i ka shprehur qartë synimet e saja ndaj shqiptarëve etnikë këtu, LSDM e Zoran Zaev ka qëndrime disi të moderuara, por shpeshherë kontradiktore. (http://blog.zeit.de/ladurnerulrich/2015/05/26/diese-maenner-sind-unschuldig/kwrkon, http://www.oranews.tv/rajoni/zaev-pergenjeshtron-die-zeit-nuk-kam-thene-qe-shqiptaret-jane-te-pafajshem/).

Parimisht, liderët opozitarë maqedonas etnikë, flasin për atë që ata e cilësojnë si shteti i dy shoqërive të ndara që duhet integruar dhe bërë një. Shumë shqiptarë etnike të këtushëm dhe me plot të drejtë, një terminologji e këtillë ua përkujton periudhën e qeverisjes së parë post pavarësi, kur LSDM me figura të tilla historike si Gligorov apo Cërvenkovski, pikërisht nëpërmjet teorive dhe praktikave të këtilla ‘civile’ dhe ‘qytetare’, ndërtoi dominimin politik dhe ekonomik të elitave dhe komunitetit etnik maqedonas mbi atë shqiptar në IRJM.

Ndërtimi i një sistemi të tillë politik, civil, mbietnik, i një shoqërie të tillë, është i parakohshëm, jo i sinqertë dhe shumë i dëmshëm për komunitetin shqiptar këtu. Kjo pasi qytetari ynë i papërfaqësuar politikisht, mund të kërkojë (dhe kjo do të ndodhte për herë të parë në historinë politike të IRJM që nga pavarësimi), zgjidhje të problemeve sociale me të cilat ballafaqohet në jetën e përditshme nga partitë etnike maqedonase ose në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kandidatët maqedonas në zgjedhjet parlamentare. Një prospekt i tillë paraqet thyerje të qartë të parimit etnik funksional gjer më sot si dhe rezik real për asimilim të shqiptarëve etnikë në një periudhë afatgjatë këtu.

Këtu duhet pasur parasysh që shqiptarët kanë një potencë demografike, shtrirje gjeografike, kapacitete intelektuale dhe përvojë e vetëdije politike e cila nuk lejon majorizimin dhe defaktorizimin politik ose tjetër të tyre.

Përfaqësimi politik etnik është dhe duhet të mbetet funksional edhe në vazhdim. Shteti duhet të ndërtohet në baza etnike dhe të funksionjë në binarë koncensualë bietnikë dhe kurrësesi majorizues pseudo civil. Shqiptarët e këtushëm janë shqiptarë dhe asesi pjesë e ndonjë kombi artificial politik maqedonas, e ndonje melting poti ku si zakonisht, të humbur dalin ata që si rezultat i zhvillimeve nga e kaluara historike, janë më pak në numër, më të varfër, më të pakrahë, dhe më pak të zhvilluar në krahasim me ata që qeverisin ose në fakt keqpërdorojnë me resurset e mekanizmat shtetërorë, me vetë shtetin.

Gjithsesi, duhet pranuar që në protestat opozitare të javëve të fundit morën pjesë edhe një numër i caktuar i qytetarëve shqiptarë (por jo në ato përmasa që jepnin individë të caktuar shqipfolës apo media pranë opozitës), që të zhgënjyer nga impotenca dhe paaftësia e partive tona politike për të mbrojtur dinjitetin e tyre, u bënë pjesë e këtyre lëvizjeve të organizuara dhe kontrolluara nga një parti etnike maqedonase. (http://www.blic.rs/Vesti/Svet/560129/Zapad-hoce-da-Gruevski-ode).

  1. Politika pasive shqiptare në IRJM

Kjo na bie tek ana tjetër e ekuacionit politik të këtushëm, tek partitë politike që thiren në votat shqiptare, partitë politike shqiptare ose thënë më drejtë, grupet e interesit dhe klanet mafioze që vetëemërtohen si parti politike. Me thellimin e krizës institucionale, tensionimin e rezikshëm të marrëdhënieve ndëretnike, protestën masive të opozitës etnike të 17 majit, kundërprotestën po masive qeveritare të ditës vijuese si dhe përçapjet e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare për të gjetur zgjidhje për dalje nga kriza politike, u aktivizuan edhe partitë tona në formë të kërkesave drejtuar palës maqedonase dhe bashkësisë ndërkombëtare, (Shih: http://klankosova.tv/ekskluzive-ahmeti-dhe-thaci-kerkojne-kryeministrin-presidentin-ose-kryeparlamentarin-e-maqedonise/).

Por kjo është shumë pak dhe tepër vonë. 24 vite janë një kohë e mjaftueshme për të realizuar në praktikë të drejta të tilla thelbësore nacionale si e drejta e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe apo statusit shtetformues për komunitetin etnik shqiptar. Kjo nuk është aritur nga asnjë parti politike shqiptare me gjithë faktin e gjithënjohur të bashkëqeverisjes së tyre me këtë vënd. Andaj është koha e fundit që struktura të reja moderne, europiane, liberale e patriotike shqiptare të organizohen për të larguar nga skena politike njëherë e mirë klasën aktuale, që ka dështuar në realizimin e objektivave nacionale të komunitetit shqiptar në IRJ të Maqedonisë.
D.Roli dhe reagimi i shteteve shqiptare

Dy shtetet shqiptare në Ballkan, Shqipëria dhe Kosova kanë preferuar maturinë dhe kujdesin në reagimet e tyre përballë përplasjeve të armatosura në Kumanovë dhe tensionimit të situatës rajonale. Reagimet e diplomacisë shqiptare erdhën në formën e një deklarate nga Ministri i punëve të jashtme, z.Ditmir Bushati. (Shih: http://vizionplus.al/mpj-denon-dhunen-ne-kumanove/).

Një reagim i tillë disi i tërhequr i shtetit shqiptar është i pritshëm kur të meren parasysh balancat e forcës në rajon, politikat e fuqive të mëdha dhe aleatëve strategjikë si SHBA apo BE ndaj rajonit si dhe interesat strategjikë nacionalë të vetë Republikës së Shqipërisë për integrim sa më të shpejtë dhe të plotë në BE. Gjithsesi, ajo që në pamje të parë lë për të dëshiruar është mungesa e prezencës së shtetit shqiptar dhe shërbimeve të specializuara në terenin maqedonas. Republika e Kosovës ka reaguar ndaj ngjarjeve në Kumanovë, (Shih: http://koha.net/?id=27&l=59168 http://www.zeri.info/aktuale/31976/thaci-reagon-per-ngjarjet-ne-maqedoni/). Pozicioni i saj bëhet akoma më delikat kur të kihet parasysh që një pjesë e madhe e pjesëtarëve të grupit të armatosur që luftoi me policinë maqedonase në Kumanovë ishin shtetas kosovarë.

Duke qenë me sovranitet të kufizuar, me njohje jo të plota në bashkësinë ndërkombëtare, me sovranitet të kontestuar jo vetëm nga fqiu verior por edhe nga anëtare të KS të OKB, me një prezencë monitoruese të misioneve ndërkombëtare të natyrave të ndryshme si dhe e ndodhur në një luftë të ashpër politike, reagimi i matur diplomacisë aktuale kosovare është i kuptueshëm dhe nuk ka arsye të kontestohet apo kritikohet.
E.Përfundime

Ngjarjet e fundit në Kumanovë treguan edhe njëherë dështimin e shtetit dhe brishtësinë e institucioneve shtetërore përgjithësisht në Europën juglindore. U vërtetua fakti i gjithëditur e i stërpërsëritur në të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare për Ballkanin perëndimor në përgjithësi dhe IRJ të Maqedonisë në veçanti, për një sistem gati të dështuar të sigurisë, kapjen e shtetit nga elementë partiakë apo edhe kriminalë, tensionimin e qëllimshëm të marrëdhënieve ndëretnike, ngecjen ekonomike, si dhe ikjen masive të popullsisë së pashpresë në drejtim të shteteve të zhvilluara perëndimore. Si by produkt i gjithë këtij kaosi ku shqiptarët ndodhen në fund të çdo liste krahasuese të organizatave ndërkombëtare, ekziston edhe mundësia objektive e palestinizimit real të Maqedonisë, ku me izraelitë nënkuptohen maqedonasit etnikë kurse me palestinezë, shqiptarët etnikë të këtushëm.
Kjo nuk është aspak produkt i imagjinatës së analistëve shqiptarë si Ben Blushi (Shih: http://www.oranews.tv/analiza/maqedonia-palestina-e-ballkanit/), por shprehje reale e stadeve evolutive dhe pozitave socioekonomike e kulturore civilizacionale ku sot ndodhen këto dy komunitete më të mëdha në këtë vend.

Aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE duhet të kthejnë urgjentisht vëmendjen e tyre drejt Europës juglindore e cila rezikon të bëhet fushë beteje e fuqive rajonale dhe zonë ekspanzioni e fuqive të ringjallura lindore drejt BE. Perëndimi duhet të rikthejë vëmendjen, të rialokojë resurse, mjete dhe të përshpejtojë procesin e zgjerimit të Bashkimit mbinacional europian edhe me këtë copëz të fundit të gjeografisë dhe kulturës europiane. Mbledhja e fundit e liderëve nga rajoni në Berlin si dhe shpalosja e projekteve të rëndësishme infrastrukturore me financim gjerman duket se tenton pikërisht këtë.

Europa juglindore ka qenë në të kaluarën arenë e përgjakshme e përplasjes së civilizimeve, ideologjive e fuqive të ndryshme rajonale e globale. Sot është koha e fundit që rajoni si një dhe i tërë të paqësohet e stabilizohet përfundimisht. Këtë stabilizim mund ta arijë vetëm integrimi i përshpejtuar në familjen e përbashkët politike, ekonomike dhe kulturore europiane. Orientimet e tjera të dyshimta lindore nuk janë opcione reale, janë të rezikshme, me shumë të panjohura dhe pikëpyetje të natyrave ekzistenciale për kombet ballkanike dhe veçanërisht për ne.

Lajme të ngjashme

Back to top button