SIKUR ABEDINI TË VUANTE URIE…

Sikur Abedin Zymberi të vuante urie, ky nuk do të ishte lajm. Sikur të bënte ndonjë prapësi, emri i tij do të jepej me iniciale. Sikur të dërgonte miliona euro të vjedhura në bankat jashtë vendit, emri i tij nuk do të përmendej e ndoshta do të pëshpëritej me frikë. Sikur të ishte pjesë e botës së krimit, do t’i kishte paguar mediat të shkruanin mirë për të dhe keq për të tjerët. Sikur të rrjepte dhelpërisht varfanjakët, me gjasë, do të organizonte fushata humanitare, kurse mediat do ta mbulonin me lavde për “filantropizmin” e tij.

Por Abedini është i ndershëm. Pasi i përfundoi mandati i deputetit, u punësua si administrator për të ushqyer familjen. Nuk është se jam pajtuar përherë me qëndrimet e tij si deputet, por nuk mund ta quash të pandershëm, përkundrazi.

Abedini mund ta “konvertonte” tragjedinë familjare në pasuri marramendëse. Do t’i mjaftonte ekspozimi i një fotografie. Ka plot të tjerë që më 2001 e kanë gërvishtur gishtin, e kanë lënduar thoin, ose s’u ka munguar as qimja e flokut, por tani thirren në sakrifica e merita.

Vetëm nëpërmjet ekspozimit të një fotografie, Abedini ka mundur të blinte vota duke falur kartela telefoni dhe pastaj të shiste vende pune. Në vend se të konkurronte për një vend pune, të tjerët do të “konkurronin” tek ai për t’u punësuar. Por ai nuk është i këtij formati. Po të ishte ndryshe, nuk do të kërkonte punë si administrator i thjeshtë, siç nuk kanë nevojë të kërkojnë punë shumë funksionarë të djeshëm e të sotëm, që aktrojnë edhe “moralistin”. Brezi më i ri edhe nuk i njeh, por ne e dimë se çfarë kanë bërë, prandaj, para se të shesin “moral”, do të bënin mirë të njihnin pendesën, që të lanin, sado pak, ndërgjegjen e njollosur…

Fakti se u bë lajm punësimi i Abedin Zymberit, dëshmon se sa jemi mosmirënjohës ndaj atyre që kanë sakrifikuar gjithçka. Na nxisin dhelpërisht edhe t’i përçmojmë. Qëllimi: nëse do të binte ora e ligë për kombin, brezat e ardhshëm të besonin se nuk ja vlen të sakrifikosh, për sa kohë harambashët jetojnë me luks, edhe pse dikur mund të kenë pirë qumësht direkt nga gjiri i dhisë së kojshisë…

Jo rastësisht, qyqarët na kanë kërcënuar në kohë paqe, duke na thënë: “A e di kush jam?” E kemi ditur se janë askushët, kurrkushët, moskushët, por kemi pasur frikë të përballemi, sepse e kemi ditur se kush qëndron prapa tyre. E duke u frikësuar ta themi të vërtetën, ata u bënë më të ashpër, më të egër. U bënë “faktorë” dhe “veteranë”, ndryshe nga nëna e përvuajtur e mikut tim Isuf Sherifit, sikurse e përshkruan në një poezi të bukur dhe të dhimbshme.

Kjo nënë e fisme, që në kohë rreziqesh priti e përcolli me buzëqeshje “faktorët” e tanishëm të politikës, s’e kish paramenduar se shokët e bijve të saj të përvuajtur, nuk do të dallonin prej keqbërësve të djeshëm. Vetëm kjo nënë e di se sa dhembje ka përjetuar teksa merrte udhën e gjatë për të vizituar nëpër burgje bijtë e saj. Por i duroi të gjitha dhimbjet, sepse besoi në një botë më të mirë. I besoi idealit të bijve, që ishte edhe ideali i saj…

Për hir të këtyre sakrificave duhet të rrëfejmë të vërtetën. Të tregojmë se kush mbeti i ndershëm. Në mos për brezin tonë, së paku për brezat që do të vijnë. Le t’ua kujtojmë fotografinë e tmerrit të familjes së Abedinit, nga e cila të ngrihen flokët përpjetë. Fotografi me fëmijë, foshnje, gra e burra. Të gjithë të vrarë. Le ta dinë se dikush pagoi shumë shtrenjtë. Familja e Abedinit, bashkë me familjen nga Poroj i Tetovës, dhanë shumë varre gjatë vitit 2001…

Le ta lartësojmë modelin e ndershmërisë dhe jo modelin e hajdutit, rrencit, mashtruesit, të fortit, të pashpirtit. Në të kundërtën, do t’u çohemi në këmbë keqbërësve sikur të ishin flamuri kombëtar: nga frika, nga halli, nga interesi apo nga naiviteti.

Ata që bënë luftën për të na tmerruar paqen, ky popull nuk u ka asnjë borxh. E kanë marrë haraçin e luftës që e kanë pasur ideal jetësor. Ky popull u ka borxh përjetësisht atyre që dhanë shumë e nuk morën asgjë. Mund të mos jenë të pasur materialisht, por janë pasuri e kombit. Ky komb e ka obligim moral që të përkujdeset edhe për fëmijët e tyre. I ka borxh moral nënës së fisme, të përvuajtur, të cilës edhe sikur t’i falte pasurinë e botës, nuk do t’ia plotësonte boshllëkun që ja krijoi jeta: burgosjen dhe syrgjynin e më të dashurve të saj.

Mjerisht jo që s’i kemi respektuar, por i kemi harruar. Madje kemi qenë mosmirënjohës. Një komb mosmirënjohës është komb i humbur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. I jashtezakonshem! Ky tekst duhet te ruhet si trashegimi kulturore por edhe historike! Te mbahet mend.

Back to top button