Testimi ekstern nuk lindi si nevojë e shkencës por politikës

Nxënësi shqiptarë edhe kësaj radhe ankohen për gabime të shumta në pyetjet e testimit  ekstern, të cilit do t’i nënshtrohen edhe ditëve në vijim. Madje, nxënësit thonë se tani që u hoqën dënimet ndaj mësimdhënësve, ata nuk çajnë kokën për suksesin e nxënësve.

“Kemi hyrë në testim dhe pyetjet ishin gati se me gabimet e njëjta që ishin edhe vitin e kaluar, pyetja ishte shqip kurse përgjigjet ishin lënë në gjuhën maqedonase. Kishte gabime drejtshkrimore dhe gabime të shumta ashtu si edhe viteve të kaluara, mirëpo kësaj radhe ne nuk kishim ndihëm e mësimdhënëse, ata kësaj radhe nuk na ndihmuan në përgatitje dhe në asgjë”, tha R.G., nxënëse e shkollës së mesme në Shkup.

“Profesorët shpëtuan se u hoqën dënimet dhe tani e gjithë barrë bie mbi ne. Vitin e kaluar ushtronim madje edhe në testim ndonjëherë na ndihmonin por tani jo. Kjo do të thotë shumë për ne, nota e testimit futet në dëftesë dhe ndikon në shkollimin e mëtutjeshëm tonin. Nuk di çfarë të them, mjerim në arsim po mbizotëron”, thotë Z.M, nxënës në “Cvetan Dimov” në Shkup.

Kryetari i LASH-it të Kumanovës, Samet Jahiji thekson se vazhdon të jetë kundër testimit ekstern.

Pyetje në testimin ekstern
Pyetje në testimin ekstern

“Unë vazhdoj të jem kundër testimit sepse nuk është forma e duhur për të vlerësuar diturinë e një nxënësi. Por kështu do të heqin nxënësit tanë kur vendimet në MASH i sjellin njerëz jo kompetent dhe njerëz që nuk kanë lidhje me këtë fushë. Ajo që më bëri më shumë përshtypje këtë vit, përveç gabimeve teknike dhe drejtshkrimore, ishte nënçmimi i shqiptarëve që iu bë nëpërmjet një teksti, ku nxënësin maqedonas e vlerësonin si më të mirin edhe kryetar të klasës, kurse shqiptarin si fëmijë që ruan lopë. Ky është një poshtërim kolektiv, ndaj gjithë popullit. Deri kur do jemi ne çoban të maqedonasve?”, tha për Portalb Jahiji.

Ish ministri i arsimit, Sulejman Rushiti, duke ju referuar testimit ekstern thotë se ai për bazë nuk ka analizat shkencore për  zhvillim të arsimit por ato të politikës ditore.

“Veprimet e qeverisë dhe sidomos ministrisë se arsimit janë inkoherence, për fat të keq janë qëndrime që për baze nuk kanë analizat shkencore për  zhvillim të arsimit por vendime arbitrare të politikës ditore. Janë vendime në vazhdën e vendimeve kiç, si fasadat e ndërtesave. Vlerësoj se kjo qeveri tashmë nuk e ka as vullnetin, as  kapacitetin, as kohën për të bërë strategji. Si në të gjitha sferat ashtu edhe në arsim do të ketë shumë punë qeveria kalimtare për t’i sjellë në gjendjen optimale institucionet”, tha për Portalb, Rushiti.

Ndërkaq prej 2 deri më 10 qershor do të zbatohet testimi ekstern për vitin shkollor 2014/2015, i cili, siç kumtoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës, do të përfshijë gjithsej 183.280 nxënës dhe 17.803 mësimdhënës. / Portalb

Gabimet, testimi ekstern gabime, MASH

Gabimet, testimi ekstern gabime, MASH

Lajme të ngjashme

Back to top button