Debat në UEJL: Qeveria të stimulojë veprimtarinë hulumtuese

Profesorë të Universitetit të Evropës Juglindore dhe Fakultetit të Drejtësisë në Shkup, në një debat të përbashkët kërkuan më shumë financa nga qeveria që të stimulojë veprimtarinë hulumtuese shkencore në universitete.

Profesori i Universitetit të Evropës Juglindore, Hasan Jashari, tha se inkurajimi i studentëve për hulumtime dhe inovacion është i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë në praktikë.

“Kjo do të motivon hulumtuesit, profesorët, studentët, por edhe organet qeveritare që sa më tepër të kemi edhe hulumtime bazike edhe hulumtime të aplikuara me qëllim të zhvillimit ekonomik të Maqedonisë dhe integrimeve evropiane”- deklaroi profesori në UEJL, Hasan Jashari.

Sipas profesorëve të vendit, investimi në arsimin e lartë do të duhet të jetë edhe në funksion të bashkëpunimit rajonal të Maqedonisë me shtetet fqinje.

Qëndrim Gashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, shprehet mbi nevojën e bashkëpunimit midis dy shteteve në mënyrë që të shpejtohen edhe integrimet evropiane.

“Fatkeqësisht, Ballkani Perëndimor nuk shquhet për kualitet të arsimit të lartë dhe është një prej arsyeve që ka pasoja edhe në ekonomi edhe në fusha të tjera të jetës, por besoj që ka kapacitete të cilat në qoftë se mobilizohen mund ta përmirësojmë situatën”- tha profesori në Universitetin e Prishtinës, Qëndrim Gashi.

Debati i sotëm u organizua nga dy fondacionet, Konrad Adenauer dhe Villfred Martens, në kuadër të ciklit të debateve për avancimin e procesit arsimues.

Lajme të ngjashme

Back to top button