Trokitje

Isha njëzet vjeç dhe pyeta: “Kur do ta njoh?”

Në njëzetë e pesë thashë: “Kur ta kem njohur, do të jemi gjithmonë bashkë”.

U bëra tridhjetë dhe ne ishim bashkë. Në tridhjetë e pesë ishim përsëri bashkë.

Po mbushja dyzetë kur bëmë udhëtimin e madh. Nuk mbaj mend se ku vajtëm, por kthimi ishte njëlloj si prej botës së përtejme: Njëri prej nesh u tjetërsua aq shumë, sa e humbi toruan edhe tjetri.

Në dyzet e pesë u ndamë.

Pesëdhjetë vjeç i trokita në derë. Doli dikush dhe më tha:

– Ajo po fle. Ke ndonjë porosi?

– Jo, – i thashë, – vetëm desha të di në është mirë.

– Ajo është mirë, – tha.

Ende s’jam pesëdhjetë e pesë që ta di në është zgjuar nga gjumi dhe a vazhdon të jetë mirë.

Ndoshta kur të bëhem gjashtëdhjetë, do të pyes veten: “A do ta shoh më?”

Nëse në gjashtëdhjetë e pesë nuk do të jetë ajo që do të trokasë tek unë, shtatëdhjetë vjeç do të martohem me një tjetër. Kam frikë të plakem, por sidomos kam frikë të vdes, pa pasur pranë një dorë gruaje.

Eroll Velija 

Lajme të ngjashme

Back to top button