Stema shqiptare në koleksionin e Fojnicës të vitit 1675 dhe në fondin shkencor të Ludevit Gajit (FOTO)

Lexo pjesën paraprake: Stema shqiptare në koleksionin e stemave që gjendet në muzeun e artit të aplikuar të Beogradit

Një koleksion interesant, që në shkencë shkaktoi shumë diskutime, ruhet në manastirin e françeskanëve “Sv. Duh” që gjendet mbi qytetin Fojnicë. Ky manastir është themeluar në gjysmën e parë të shekullit XIV dhe pothuajse gjatë gjithë kohës së sundimit turk ishte  qendër e françeskanëve dhe e katolikëve bosanas. Manastiri ka bibliotekë të vet të madhe, muze dhe arkiv ku ruhen shumë dorëshkrime të vjetra, të rralla dhe të çmuara. Është i pasur edhe me shumë dokumente turke.[1]

Truhela mendon se koleksioni “është krijuar ose në atë kohë ose menjëherë pas shkatërrimit të Bosnjës, respektivisht kah fundi i shekullit XV[2] dhe kategorikisht thotë  se nuk pajtohet me ata që konsiderojnë se është punuar në shekullin XVII. Derisa fretërit

Figura 7, Stema e familjes Kastrioti
Figura 7, Stema e familjes Kastrioti

e Fojnicës janë të bindur se koleksioni është i kohës së perandorit Dushan, Vjekoslav Klajiq në “Obzor” I/1879 paraqet mendimin se ky koleksion nuk është më i vjetër se gjysma e dytë e shekullit XV.[3] Vuletiq-Vukasoviq është nisur pas Gilcichut dhe mendoi se koleksioni  i Fojnicës ka qenë vepër e Petar Ohmuçeviqit dhe se ka mundësi të jetë punuar në kohën kur motra e Petar Ohmuçeviqit, Elena u martua rreth viteve 1585-1590 për një Komnen, respektivisht për person që paraqitej  si pasardhës i perandorëve bizantinë.[4]

Konti Stanislav Mjeroshovski në një artikuëë të botuar në një revistë heraldike të Vjenës, vërtetonte se koleksioni i Fojnicës ka qenë kopje  e gjysmës së parë të shekullit XVII prej origjinalit të shekullit XIV.[5] Edhe Traliqi konsideron se koleksioni i Fojnicës është punuar para vitit 1636.[6] Asbothi dha shënime më të hollësishme, sepse konsideronte se koleksioni nuk është më i vjetër se gjysma e parë e shekullit XVII. Midis tjerash ai e përmend edhe faktin se format e mburojave që janë në koleksionin e Fojnicës, nuk janë të atilla siç janë përdorur në shekullin XVII; sepse në koleksion ka edhe topa si shenja heraldike, e ata nuk kanë qenë shpikur ende në kohën  e perandorit Dushan; për shkak se midis familjeve feudale ka edhe të atilla që nuk kanë ekzistuar në kohë e  perandorit Dushan, e janë paraqitur prej shekullit XV, e edhe të atilla që “vazhdimisht shpresoj” që vë në pah sundimin turk dhe shpresën që të çlirohen prej tij.[7]

Duke krahasuar koleksionin e Fojnicës me koleksionin e Kreniq-Neoriqit, Solovjevi përfundon se ai është punuar në vitin 1675 për degën më të re të familjes Ohmuçeviqi që jetonte në gjysmën e dytë të shekullit XVII. Dukjen e këtij koleksioni e ndërlidh me Pjer-Damjan Ohmuçeviqin që ishte edukuar ne Neapoli në marinën spanjolle për shkak se i ati, don Damjani, ka qenë admiral. Pjer-Damjan Ohmuçeviqi u bë navigator në zë dhe matematikan dhe u ftua si profesor matematike në Dubrovnik, e pastaj edhe i ati erdhi në Dubrovnik si admiral i flotës së këtij qyteti. Pas vdekjes së t’et, Pjer Damjani zuri vendin e tij. Kur Pjer Damjani u bë admiral, u luftua prej gjeneratës më të vjetër që nuk i njihte se i takon familjes së lavdishme Ohmuçeviq. Po të qe kështu ai mund të ketë ndjerë nevojë që të ketë një ekzemplar të koleksionit, prandaj ka urdhëruar t’i bëhet ky e sigurisht ka qenë punuar sipas origjinalit, përkatësisht sipas protografit të Petar Ohmuçeviqit. [8]

Koleksioni i Fojnicës, në literaturën shkencore, për herë të parë është përshkruar prej F. Jukiqit në Srbspi narodni list nr. 18 viti 1842, që botohej në Peshtë. Ky artikull pastaj është ribotuar edhe në Danica Ilirska nr. 24 në Zagreb[9] dhe në Bosanski prijatelj II/1851, fq. 78—82. Pas këtij e ka përshkruar Ante Knezhiviqi në Zviezda Zadarska, viti 1863[10] mandej Klajiqi, Raçki, Puciqi, Bojniçiqi e të tjerë.

Koleksioni i Fojnicës është ruajtur mirë e pastër, fletët i ka prej letre të trashë, titulli i është shkruar me alfabetin cirilik bosanas, mbiemrat e familjeve fisnike dhe emrat e stemave territoriale janë shkruar nën stema me alfabet latin. Ky libër i lidhur mirë me 141 fletë e 139 stema. Në këtë koleksion janë ruajtur stemat e fisnikëve të dikurshëm bosanas, që përpara turqve ikën në vendet e jashtme ku e ruajtën stemën e emrin, më në fund edhe të atyre familjeve e fiseve që nuk u ka mbetur asnjë gjurmë.[11] Mendohet se koleksioni nuk ka përfunduar definitivisht për shkak se ekzistojnë shirita të zbrazët që duhet të mbushen me emra ose me deviza. Koleksioni ka shumë gabime për shkak se vizatuesi nuk e ka ditur mirë italishten dhe kah fundi i punës e ka humbur durimin dhe ka filluar të kapërcejë nga ndonjë stemë.

Duhet përmendur se koleksioni i Fojnicës ka qenë  vërtetuar shumë herë prej autoriteteve kompetente. Kështu perandorët austriakë, Ferdinandi II dhe Leopoldi I, pa vërtetuar vjetërsinë dhe saktësinë, e kanë vërtetuar koleksionin në vitet 1678 dhe 1703. Republika e Dubrovnikut, më 22 janar 1471 dha certifikatë në të cilën thuhet se koleksioni është i saktë dhe se origjinali ruhet në manastirin Sv. Gorë.[12] Edhe më 6 korrik 1700 despoti fra Gërga Ilijiq vërteton në vetë koleksionin se ky “prej kohëve të lashta ruhet te françeskanët në Fojnicë”.[13]

Për shkak se ky koleksion ka qenë zbuluar më herët nga shkenca, ai ka shkaktuar interesim shumë të madh te bota shkencore, e prandaj shpesh ka qenë përshkruar shumë herë dhe prej tij janë bërë kopje nga njerëzit e mësuar në kohëra të ndryshme. Përveç të tjerëve, kopje ka bërë edhe Ludevit Gaji. Në lidhje me Lëvizjen ilire Ludevit Gaji, Juraj Shtrosmajeri, Janko Shafariqi dhe të tjerët interesoheshin për heraldikën në përgjithësi e për koleksionet posaçërisht. Për këtë shkak, sipas porosisë së Ludevit Gajit, Filip Pashaliqi e ka kopjuar koleksionin e Fojnicës. Edhe sot kjo kopje gjendet në fondin e Gajit në bibliotekën universitare të Zagrebit, ku mban signaturën R. 3320.

Në Zagreb e pashë fondin shkencor të Ludevit Gajit dhe atje i gjeta stemat e Kastriotëve dhe të Dukagjinëve, e për shkak se janë krejtësisht identike me ato të koleksionit të Fojnicës, po i bashkangjes dy stemat nga fondi i Gajit.

Më së pari gjendet stema e Kastriotit (fig. 8), e pikërisht në faqen 12. Ajo është si të gjitha që u përmendën deri tani, respektivisht shqiponjë e zezë dykrerëshe në fushë të verdhë – të artë. Mbi krerët e shqiponjave gjendet nga një kurorë e vogël. Midis krerëve të shqiponjave është trekëndëshi i kaltër me yll të verdhë. Mburoja është varjaze, nga ana e majtë pak e prerë. Mbi mburojë gjendet e vizatuar primitivisht helmeta me drapëri. Mbi helmetë gjendet shqiponja e zezë dy krerësh me fletë të hapura. Ndryshimi është vetëm në faktin se këtu të dy shqiponjat janë të zeza, kurse në stemat e mëparshme shqiponja e sipërme zakonisht është e verdhë ose e kuqe. Nën stemë shkruan vetëm me alfabet latin: “Castriotichc”. Shkrimi është pa shirit. Mund të konstatohet se kjo stemë është vizatuar në mënyrë shumë më primitive se të mëparshmet.

Figura 8 dhe 9 , Stema shqiptare në koleksionin e Fojnicës të vitit 1675 dhe në fondin shkencor të Ludevit Gajit
Figura 8.                                                                                                                  Figura 9.

Stema tjetër si zakonisht është e Dukagjinit (fig. 9). Edhe emblema e tij është shqiponjë e zezë e kthyer në të majtë me fletë të hapura në fushë të artë në mburojë me formë varjaze pak të cunguar në anën e djathtë. Mbi mburojë ka helmetë të kaltër pa zeladë e shumë të thjeshtësuar. Mbi helmetë gjendet shqiponja e verdhë me fletë të hapura. Drapëritë e zeza e të verdha lëshohen nga të dyja anët e stemës. Nën stemë shkruan: “Ducaginovichc”.

(VAZHDON)


[1] Fra Mijo Batinic, franjevacki samostan u Fojnici od stoljeca XIX – XX, Yagreb 1913, 20. Kur e vizitova manastirin të gjithë priftërinjtë ishin shumë mikpritës, e posaçërisht Dr. I teologjisë Pervani, për të cilën gjë i falënderohem kësodore.

[2] Ciro Truhelka. Ko je bio slikar fojnickog grbovnika? Glasnik zemaljskog muzaja knj. 1, Sarajevo, 1888,89,90.

[3] Solovjev, Postanak, 80.

[4] Vuletic-Vukasovic, Grbovi Ohmucevica u Slanom (Dalmaciji). Glasnik zemaljskog mezeja II. Sarajevo 1889,371. Solovjev, Postanak, 81, 87.

[5] Jahrbuch des heraldisch-genealogischen Verelnes Adler in Vien, XIII, Wien 1881, 33. Solovjev, Postanak, 80.

[6] Seid Traljic, Palinicev bosanski zbornik, Zbornik historisjkog instituta JAZU, I, 173.

[7] Johann Von Asboth, Bosnien und die Hercegovina, Reisebilder und Studien, Wien 1888, 444, 445, Truhelka, vep. e cit. 88.

[8] Solovjev, Postanak, 81, 82, 94, 104, 105.

[9] Dr. Fra Julian Jelenic, Kultura I bosanski franjevci, II, Sarajevo, 476. Novakovic, v. c. 77.

[10] Truhelka, Ko je bio, 86.

[11] Po aty.

[12] A. Vucetic, Dva uverenja Dubrovacke Republike o knjizi Stanislava Rupcica. Prilozi za knjizevnost, jetik, istoriju i folklor VIII, Beograd 1928, 157—159.

[13] Asboth, vep. e cit. 442. Batinic, vep. e cit. 187.

Lajme të ngjashme

Back to top button