Rritet sërish niveli i borxhit në Shqipëri

Në Shqipëri guvernatori i Bankës Qëndrore Ardian Fullani deklaroi sot se niveli i borxhit publik ka shënuar një tjetër rritje gjatë tremujorit të dytë duke prekur nivelin e 63.5 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Deri në muajin gusht, shpenzimet buxhetore kanë rezultuar 9.2% më të larta se një vit më parë, të nxitura në një masë të konsiderueshme rritja e shpenzimeve kapitale. Nga ana tjetër, të ardhurat kanë regjistruar performancë të dobët, duke shënuar rënie vjetore prej 3.8%.”

“Kjo ecuri është materializuar në një deficit buxhetor rreth 1.3 herë më të lartë se viti i mëparshëm. Rritja e deficitit është reflektuar në rritjen e mëtejshme të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së; në fund të tremujorit të dytë ky raport vlerësohet të ketë arritur në nivelin 63.5%”, deklaroi zoti Fullani.

Në fund të pesëmujorit të parë, niveli i borxhit publik ishte 62.4 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.Guvernatori Fullani përsëriti edhe një herë se “adoptimi i një rregulli fiskal që do të mbështeste në mënyrë efektive dhe transparente qëndrueshërinë e borxhit publik do të ishte një hap i duhur për reduktimin e primeve të rrezikut dhe drejt disiplinimit afatgjatë të politikës fiskale të vendit”. Sipas zotit Fullani ekonomia shqiptare pritet të shënojë rritje pozitive por “ndjeshëm nën potencialin e saj” theksoi ai.

Situata ekonomike në vend, gjendja problematike e Financave dhe e borxhit ka qenë në qendër të diskutimeve edhe të misionit të Fondit monetar ndërkombëtar, i cili ndodhet që prej një jave në Tiranë, për të diskutuar me autoritetet rreth rrugëdaljeve dhe masave që pritet të reflektohen që në projektbuxhetin për vitin e ardhshëm. 

Lajme të ngjashme

Back to top button