Eco Guerilla: Qeveria në afat sa më të shkurtë të sjellë vendimin për Jugohromin

Se kjo qeveri mban llogari vetëm për përfitime personale të oligarkëve, e jo për interesin e shumicës së qytetarëve, e dëshmon edhe një herë me rastin “Jugohrom”, thonë nga Eco Guerilla nëpërmjet një reagimi.

“Kaloi një muaj nga përfundimi i afatit të tretë me radhë për këtë ndotës kancerogjen, që të fillojë me procesin e vendosjes së filtrave, dhe qeveria vazhdon të heshtë.

Në bazë te konfirmimit nga ana e Ministrisë së Ekologjisë, Jugohromi nuk ka realizuar planin aksional të paraparë sipas afatit 6 mujor. Me këtë, ky ndotës vazhdon helmimin dhe shkatërrimin e shëndetit të mbi 300 mijë banorëve të Tetovës me rrethinë.

Lëvizja Eco Guerilla kërkon nga Qeveria e RM-së që në afat sa më të shkurtë të sjellë vendimin në lidhje me këtë çështje shumë shqetësuese për qytetarët e Tetovës dhe rrethinës.

Shprehim indinjatën tonë për anashkalimin dhe zvarritjen tendencioze prej një muaji të vendimit konform ligjeve në fuqi. Tolerimi i ndotësve në moszbatimin e afateve shtese, që deri me tash janë zgjatur 3 herë radhazi, është krim për të cilin do të kërkojmë edhe përgjegjësi juridike nga funksionarët kompetent.

Këtë herë kërkojmë nga Qeveria që në mënyrë të prerë të zbatojë Kushtetutën dhe ligjet e Republikës se Maqedonisë dhe të njëjtat të vlejnë ashtu si që ishin për Makstilin në Shkup, ashtu të vlejnë edhe për Tetovën.

Eco Guerilla si një lëvizje qytetare mbi një vit ka senzibilizuar opinionin dhe insitucionet përgjegjëse për këtë problem.

Çdo vendim eventual kundërligjor dhe antikushtetues nga ana e Qeverisë, do të shkaktojë presion qytetar edhe më të ashpër, thonë nga Eco Guerilla.

Lajme të ngjashme

Back to top button