Ermal Fejzullahu, Lumi B dhe Ledri Vula fitojnë “Top Fest 12”

Ermal Fejzullahu, Lumi B dhe Ledri Vula janë fituesit e “Top Fest 12” me këngën “Shko”. Ata ishin fitues edhe të dy çmimeve të tjera, “Kënga më e dëgjuar në My Music” dhe “Best Male”.
Pas triumfit, tre këngëtarët u shprehën shumë të lumtur, teksa thanë se ishte çmimi i parë për ta edhe pse kanë marrë pjesë në edicionet e shkuara të festivalit.
“E kam filluar karrierën 11 vite më parë pikërisht në “Top Fest” dhe jam shumë i lumtur që në edicionin e fundit dolëm fitues. Kjo ka qenë një ëndërr e imja”- tha Ermal Fejzullahu.
“Top Fest 12”, pas një rrugëtimi muzikor 4 mujor u finalizua mbrëmjen e së dielës me finalen e madhe, e cila u mbajt në një atmosferë të jashtëzakonshme në Pallatin e Kongreseve dhe u transmetua drejtpërdrejtë në Top Channel. Performanca e finalistëve e ndërthurur me spektaklin e dhuruar nga të ftuarit, emra të njohur të skenës shqiptare, kërcimi dhe surpriza të shumta e bënë këtë mbrëmje madhështore.
Kjo finale e prezantuar nga Ledion Liço dhe nga Dojna Mema, nisi ndryshe. Këtë herë, Ledioni mori mikrofonin në dorë jo vetëm për të prezantuar, por edhe për të kënduar, duke i dhënë mundësinë publikut në sallë dhe atij që e ndoqi përmes ekranit, ta shihnin atë në një performancë ndryshe në hapjen e finales.
Nga qindra artistët që u paraqitën në këtë edicion, vetëm 29 prej tyre mbërritën në dy gjysmëfinalet, ndërsa 12 ishin ata të cilët garuan për çmimet e këtij edicioni.
Çmimet e dhëna në “Top Fest 12”
1.Aslaidon me këngën “Vetëm do ia dal” fiton çmimin “Artist To Watch”
2.Petrit Çarkaxhiun me këngën “Gegë & Toskë” fiton çmimin “Kënga më e mirë Rock/Alternative”
3.Beatrix Ramosaj me këngën “Dhoma 609” fiton çmimin “Artistja më e mirë femër” dhe çmimin e “Top Albania Radio”
4.Noizy dhe Elgit Doda me këngën “Vetëm ti je” fituan çmimet “Most Socal Artist” dhe “Best Pop”
5.Ermal Fejzullahu, Lumi B dhe Ledri Vula, me këngën ‘Shko” fituan dy çmime “Best Male” edhe fitues të çmimit të madh.
6. Kastro Zizo me këngën “Eja me ne” fitoi çmimin “Kënga më e mirë pop”
7. Stenald Mëhilli me këngën “Flas me diellin” fitoi çmimin “Balada më e mirë”
8.Grupi “Troja” me këngën “Demokraci” fitoi çmimin “Best Video”
9. Eugent Bushpepa me këngën “Pranë finishit” fitoi çmimin “Topfestifundit”