Analizë: 2015 – vit i fiaskos investuese!?

Përderisa në mes të krizës politike qeveria paralajmëron investime të reja dhe na i përkujton ato që tashmë janë kontraktuar, duke treguar se sa të punësuar ka ose sa do të punësohen, të dhënat për gjendjen reale me investimet e huaja nuk paralajmërojnë optimizëm. Në fakt, të dhënat e reja të Bankës Popullore zbulojnë se në tre muajt e parë të këtij viti në vend kanë hyrë investime të huaja në vlerë prej 68 milionë eurosh, që është numër dramatikisht më i vogël në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Një pjesë e biznesmenëve thonë se për shkak të krizës politike këtë vit nuk do të kenë vështirësi vetëm investitorët e huaj, por edhe ata të vendit, të cilët me vite ankohen për shkak të trajtimit favorizues të bizneseve të huaja në krahasim me ato të vendit.

Beneficione të mëdha – efekt i dobët…

Deri në fund të tremujorit të parë të këtij viti, vlera e investimeve të huaja të drejtpëdrejta në Maqedoni ka qenë 68,8 milionë euro që është për pothuasje 40 milionë euro më pak në krahasim me investimet që janë realizuar gjatë periudhës së njëjtë tremujore të vitit të kaluar. Në fakt, në vitin 2014, në periudhën prej janarit deri në fund të marsit, në Maqedoni kanë hyrë investime në vlerë prej pothuajse 109 milionë eurosh.

Viti i kaluar ka përfunduar me saldo të investimeve të huaja prej 278 milionë eurosh ose 3,3% të Prodhimit të brendshëm bruto. Të dhënat zyrtare të Bankës Popullore tregojnë se gjatë viteve të kaluara, kur është regjistruar fushatë e shtuar qeveritare për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe kur u bënë një sërë ndryshimesh ligjore me të cilat mundësohen favore të ndryshme tatimore dhe doganore për ta, e poashtu ofrohen edhe subvencione të drejtpërdrejta nga buxheti, vlera e investimeve të huaja si përqindje e PBB-së vështirë rritet. Në fakt, saldo më e lartë e investimeve të huaja prej pothuajse 507 milionë eruosh është realizuar në vitin 2007, kur investimet kanë arritur 8,3% të PBB-së. Prej atëherë e deri tani niveli i tyre është duke u zvogëluar. Kështu, në vitin 2009 dhe në vitin 2010 ato ishin rreth 2% të PBB-së, ndërsa një rritje të vogël ka në vitin 2001 me 4,6% të PBB-së dhe pastaj përsëri ka rënie, dhe në vitin 2012 saldoja e investimeve të huaja ishte 117,3 milionë euro ose 1,5% të PBB-së. Në vitet në vijim, 2013 dhe 2014, investimet rrotulloheshin në vlerë prej 270 milionë eurosh ose 3,3 % të PBB-së.

Këto tregues sipas një pjese të ekonomistëve janë të pritshëm në gjendje kur qeveria nga njëra anë i potencon përfitimet nga investitorët e huaj, mirëpo nga ana tjetër nuk zbulon se sa para në formë të subvencioneve shtetërore u ka dhënë që të hapin fabrika dhe vende të reja pune. Poashtu, ekonomistët thonë se këtu janë edhe favoret që investitorët i marrin në formë të lehtësimeve doganore dhe tatimore.

“Në këtë moment, ekonomia e Maqedonisë regjistron humbje të mëdha si rezultat i investimeve që i bëri në ato zona ekonomike, si rezultat i lehtësimeve që ua dha kompanive në ato zona ekonomike”, deklaroi profesori universitar Kërste Shajnoski.

Sipas të dhënave që janë në dispozicion nëpërmjet buxhetit, për pesë vite, nëpërmejt zërit “Përkrahje për investimet”, në Agjencinë për investime të huaja janë harxhuar 12,3 milionë euro. Në të njëjtë kohë, rregullativa ligjore parasheh edhe ndihmë të drejtpërdrejtë në para për kompanitë që do të ndërtojnë fabrikë në ndonjërën nga Zonat e lira ekonomike në lartësi prej 100.000 deri në 500.000 euro, varësisht nga vlera e investimit ose krijimi i vendeve të reja të punës. Nga ana tjetër, qeveria vetëm për përgatitjen infrastrukturore të zonave të lira ekonomike, në pesë vitet e fundit, duke i përfshirë edhe paratë për këtë vit, ka harxhuar pothuajse 40 milionë euro.

Këto ditë nga qeveria paralajmëruan se së shpejti pritet të fillojnë me punë gjashtë fabrika të reja të huaja, të cilat në të ardhmen do të hapin 2.500 vende të reja pune.

“Me hapjen e kapaciteteve grinfild për investitorët e rinj do të ketë rritje të konsiderueshme të numrit të personave të punësuar të cilët do të angazhohen në kuadër të kompanive, e përveç kësaj do të ketë edhe hapa pozitivë në zhvillimin makroekonomik, veçanërisht në rritjen e eksportit”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Aleksandar Gjorgjiev.

Еkonomistët thonë se efektet e investimeve të huaja të drejtëpërdrejta nuk duhet të analizohen vetëm nga njëra anë, vetëm si reflektim mbi punësimet dhe eksportin, por duhet të merren parasysh edhe harxhimet që i ka shteti për tërheqjen e kapitalit të huaj. Poashtu, sipas analistëve duhet të eliminohen edhe të gjitha format e diskriminimit të investitorëve të vendit në krahasim me ata të huajt.

“Qeveria e re duhet të vendosë një sistem të ri zhvillimor ku do t’i vendosë në themele të shëndosha raportet tregtare dhe raportin e shtetit ndaj raporteve tregtare. Domethënë nuk duhe të gëzohemi nëse shteti na jep neve, por duhet të gëzohemi kur shteti do të krijojë klimë në të cilën ne vetë do të fitojmë. Mendoj se është shumë e gabuar teza që edhe në të ardhmen të jetë arritje nëse punësohemi në administratë. Askund në botën normale, njerëzit nuk duan të punojnë në administratë, nuk ka më mirë se të punoni në biznes privat, në qoftë se klima afariste është ashtu siç duhet”, thotë profesori Shajnoski.

Megjithatë, as investimet e huaja nuk do të kursehen nga pasojat e krizës politike dhe të sigurisë. Sipas vlerësimeve të Bankës Popullore dhe të një pjese të analistëve, pikërisht investimet të do jenë të parat që do të goditen – duke u përmbajtur ose duke i shtyrë vendimet për të investuar në kapacitete të reja dhe për hapjen e vendeve të reja të punës./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button