Kriza²

Ky shkrim fillon me një pleksje të narratives dhe matematikores. Bëhet fjalë për krizën na katror, atë të dyfishtën, që pasqyrohet te dy lidershipet e shqiptarëve të Maqedonisë: krizën në sferën e politikës dhe atë në sferën e teologjisë, apo thënë më mirë në rrafshin fetar, që tok po ndodhin këtyre ditëve. Pra, sot po ballafaqohemi me një gjendje të animozitetit të demosit shqiptar, por edhe më gjerë, ndaj kategorisë së politikanit dhe politikës, një antipati e paparë ndaj profilit të qeveritarit, të deputetit, prefektit… Maskara(llëku) është emri që më shpesh lakohet lidhur me politikanin. Lexoni komentet në rrjetet sociale dhe ndiqni emisionet kontaktive në media, bëhuni vesh në kafene, ju mjafton për të lexuar situatën. Teoritë politologjike por edhe përvoja nga jeta e përditshme rrëfejnë se politika nënkupton fushën potenciale të veseve, të notit nëpër ujëra të ndotura, ndonëse në esencë politika është qeverisje, menaxhim dhe udhëheqje me punët e polisit apo me çështjet publike. Të presësh nga politika produkte të “kulturës së degradimit” apo të antikulturës dhe të prapaskenës së prapësive thuajse është bërë normale, por banalitetet e kërditë që ndodhin në sferën e prijatarisë fetare e trazojnë shumë më tepër çdo njeri me mend në kokë dhe në veçanti qenien religjioze, njeriun që fenë e ka strumbullar të jetës së vet.

Pra, kohëve të fundit në vendin tonë po shënohet një krizë e natyrës më deprimuese, kriza e shenjtërisë, e kulturës fetare, e teologjisë së metamorfizuar, e një perceptimi ekstra negativ për figurën e teologut, të hoxhës, të institucionit të fesë dhe të fetarisë institucionale, të organizuar në mënyrë kolektive nga pleqnia e teologjizmës islame të indetifikuar me tre shkronja. Skandalet e fundit në BFI flasin për një zvetënim të mënyrës se si e pasqyrojnë fenë dhe shpirtëroren prijësit fetarë te grigja dhe te besimtari i rëndomtë i cili është pasues, te xhemati që synon ta ndjekë teologun në faltore por edhe në jetën e përditshme. Siç dihet, çdo njeri që lidhet me besimin “i bëhet tabi” rrugës së trasuar nga imami, prijësi i cili me fjalë e vepra duhet të jetë drejtues dhe pastir i “kopesë”, pra i masës që mëson dhe jeton sipas arketipit të hoxhës. Lëkundjet e dy e më tepër dekadave të lëna pas dhe në veçanti ato viteve të fundit dhe skandalet ditëve që po i jetojmë, zgjedhje-emërimet, kredi-kamata, garat kur’anore dhe sharjet (antipode përjashtuese), puçi, okupimi i godinës së bashkësisë islame dhe facebookizimi i shëmtuar i njërës dhe palës tjetër flet për thellësinë e humnerës në të cilën ka rënë fetaria institucionale.

Dikur të qenët teolog ishte privilegj, sot është bërë barrë, është bërë një sferë e paramendimeve të këqija, metaforë e shpërfytyrimeve relacionale, e kolegialitetit të dërrmuar, e dëlirësisë së ngjyrosur me bojën e pahijeshisë. Është për t’u çuditur se kemi një porporcion të zhdrejtë mes nivelit të arsimimit dhe atij të autoritetit apo namit të teologut shqiptar. Pra sot, për dallim nga e kaluara, kemi një elitë fetare të shkolluar nëpër universitete prestigjioze islamike, madje edhe me nga dy fakultete, me tituj shkencorë, me kredenciale-diploma të praruara me ngjyrë ari, por kemi edhe degradim në aspekt të autoritetit të hoxhës, të njeriut të petkut fetar. Sot teologu përmendet me shënjimet “jeni bë si hoxhallarët”, “i ka merak paratë si hoxhët”, “ha si hoxhë”, “rend pas xhenazeve e mevludeve”, “të thellë si xhepat e hoxhës”, “edhe kjo ndodhi mes hoxhallarëve”, etj. Kjo në asnjë mënyrë nuk është përshkrim krejtësisht objektiv dhe pasqyrë 100 % e saktë, por ama fotografia e përgjithshme në kokën e besimtarit ordiner është e përmendura.

Lirisht mund të thuhet se kriza e parë (politike) është shumë shkatërronjëse, por ama e dyta (teologjikja) edhe më tepër, dhe kur bashkohen të dyja në të njëjtën kohë, hutohen edhe mendarët e lëre më njeriun e masës. Feja “e formatuar me gafe e skandale” e vret ndërgjegjen fetare të qytetarit dhe besimtarit. Kjo nga shkaku se ai e humb krahun ku gjithherë e ka gjetur mbështetjen, e humb besën te “trashëgimtarët e profetëve”, te elita që i frymon asaj vlera, që i ngjall kurajo se megjithatë besimi e bën njeriun njeri, se feja është instanca që e dallon besimtarin nga kalibri i devijuesit dhe lajthitësit nga “rruga e rrugëve”, nga rruga e Librit dhe traditës. Dikur çallma e fesi kanë qenë simbole të ndershmërisë, sot, të imazhit të lënduar, të shkollarëve që e kanë humbur prestigjin dhe që veprojnë në mënyrë kontradiktore, pa një orientim të qartë për vokacionin dhe përgjegjësinë që mbajnë mbi supe. Dikur edhe rrugaçi hoxhën e konsideronte kurorë të jetës së vet, simpati të pakëmbyeshme. Tregohet një rast kur në kohën e soc-realizmit në Shkup, pranë një përrocke të shiut, kishte kaluar një imam “me peshë” i kohës dhe atë e kishte vërejtur një pijanec me shishen e birrës përpara, i cili pa një pa dy i ishte drejtuar atij: “Ndal hoxho! Kjo këmbë e shenjtë s’guxon të shkelë nëpër atë gropë me ujë të turbullt” dhe kishte ofruar që me shpinën e vet ta bartte e ta nxirrte në anën tjetër. Dikur hoxha i kishte dhënë bar edhe kalit të vjedhësit të kungujve të tij, duke u shprehur se është “hak i kafshës”… Ku është imazhi i hoxhës superpedant të çarshisë pranë të cili ndaleshin dhe dëshironin ta përshëndesnin edhe të krishterët, i tjetrit kufomën e të cilit xhemati e kishin bartur vetëm drejt, nëpër ara, gropa, përroje në një kurs drejtvizor dhe në pyetjen “Pse kështu?” ishin përgjigjur se “ky hoxhë e ka njohur vetëm të drejtën, s’ka ditur për lakesa e shtrembëri”. Një rast interesant tregohet për një profesor të medresesë i cili e kishte pirë cigaren por nxënësit e tij e mësuan atë shumë vjet pas diplomimit, pra një mësimdhënës me rezon edhe për mbresat që duhet lë te brezi i ri. Këtë gjë, pra pirjen e duhanit mund ta bënte edhe transparente por sensi i mësimit të marrë nga mësuesi kishte bërë që ai të ishte tok me cigaren por jo edhe publikisht para “fëmijëve të vet”.

Një pyetje që shtrohet është kjo: Si është arritur ajo që prof. Bardhi e quan kriza e teologjisë muslimane shqiptare? Me siguri se arsyet janë të shumta: kriza e përgjithshme e botës islame, kriza shoqërore soc-ekonomike tranzicionale ka lënduar edhe imunitetin e teologut, dekadenca e kulturës e ka prekur edhe damarin fetar, politizimi i fesë e ka çshenjtëruar të shenjtën, poltronizmi teologjik ka shtuar të maksimalisht keqen, ndryshimi i kohëve dhe periudhave historike dhe kriza morale gjenerale ka kapur edhe lëmën e spirtualitetit etj. Rrjedhim i pshmangshëm i kësaj gjendjeje është demoralizimi i besimtarit, që ka si pasojë individuizimin e fesë (Thomas Luckmann, Hubert Knoblauch). Sipas kësaj teorie sociologjike, në kohën e (pas)modernitetit format tradicionale dhe të institucionalizuara të fetarisë zëvendësohen nga fetaria subjektive dhe e shqitur nga institucioni, spostohen nga feja e zgjedhur individualisht dhe nga sinkretike për nga karakteri (Pollack & Pickel). Sot shumë njerëz pohojnë se ndjejnë neveri nga ndodhitë në mesin e teologëve, andaj zgjedhin të jenë besimtarë por me kurs individual, me përpjekje dhe përzgjedhje personale, një fenomen ky që ndodh në krishterim), pra fetari pa kishë, që kohëve të fundit në këtë ose në atë mënyrë po emanon edhe në qarkun e fetarizmës islame. A është e mundur një gjë e tillë në kulturën islame? Jo. Sepse kjo fe niset nga paradigma e imamit, emirit dhe xhematit, pra prijësve dhe bashkësisë. Fetari është fetar kur ka një udhërrëfyes dhe kur është pjesë e një komuniteti, pra kur është me imamin dhe xhematin. Por, kur besimtari vëren “tokën e minuar të teologjisë”, zgjedh që t’i kthehet tekstit të shenjtë dhe prijësve të vet të largët e virtuelë, nga të cilët mëson të vërtetën hyjnore e profetike, duke u tëhuajësuar nga përfaqësuesi i afërt i fesë. Si të dilet nga darët e kësaj krize? Me vetëllogari, vetëkritikë, vetëkëshillim dhe vetëpërmirësim, me meritokraci, duke ia dhënë hakun çdokujt, duke zhvilluar n j ëteologji autentike që do ta rikthente reputacionin e profilit të teologut. Çdo individ që ka marrë mbi supe barrën e teologjisë duhet të tentojë t’i kthehet imazhit të “më të mirit të më të mirëve”, të imamit e hoxhës së parë të historisë islame, të tregojë se të gjitha gjërat mund të degradohen, por thelbi hyjnor gjithnjë mbetet i gjallë, i freskët, aromëmirë e tërheqës. Ndoshta kriza në fe është pjesë e fatit, refleksion i të vërtetës që çdo institucion ka ngritje-rëniet e veta, në këtë kontekst edhe ambasadorët e fesë, por eternaliteti i të vërtetës jep kurajo për mobilizim dhe optimizëm.

Të mirët dhe kualiteti i mirëfilltë i politikës dhe teologjisë, që nuk janë të paktë, duhet të tentojnë ta afirmojnë veten, duke ua shkuar prapanikëve dhe dëmtuesve të politikës e të fesë.

Të gjithë neve, që jemi të goditur rëndë nga traumat politike e sifetare të kohës na mbetet që të veprojmë dhe të lutemi për ndryshime. Zot: Na fal e na shpëto nga dy krizat, na jep ditë më të mira në qeverisje, politikanizëm, në fe e teologji!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button