Ymeri: Specialja kërkon suspendimin e Kushtetutës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në mbledhjen e XX-të të Këshillit të Lëvizjes, fjalimin e tij e ka koncentruar kryesisht në zhvillimet e fundit rreth Gjykatës Speciale.

Ai tha se votimi për këtë gjykatë kërkon heqje dorë nga Kushtetuta e Kosovës dhe brenda neneve të saj ka pjesë që e suspendojnë në tërësi Kushtetutën.

“Neni 162 i propozuar për ta amandamentuar Kushtetutën për sa i përket themelimit të Dhomave të specializuara, fillon kështu: “pavarësisht dispozitave të tjera të kësaj kushtetute… Pra ky nen praktikisht e suspendon kushtetutën në tërësinë e saj” ka thënë Ymeri, transmeton Klan Kosova.

Ky është fjalimi i plotë i të parit të Lëvizjes Vetëvendosje:

Republikës së Kosovës sot prapë i është vendosur një kusht: ta themeloje gjykatën speciale ose dhomat e specializuara ose në të kundërtën …

Në të vërtetë që prej shpalljes së saj, që në bazamentin juridik të saj, në Kushtetutë, Republika vazhdimisht po kushtëzohet. Kushtetuta nuk tregon se kush duam të bëhemi por kushtëzon atë që të tjerët nuk duan të jemi. Në vend se të burojë nga brenda, ajo imponohet nga jashtë.

Neni 162 i propozuar për ta amandamentuar Kushtetutën për sa i përket themelimit të Dhomave të specializuara, fillon kështu: “pavarësisht dispozitave të tjera të kësaj kushtetute…” Pra ky nen praktikisht e suspendon kushtetutën në tërësinë e saj. Është vërtetë votë për diçka speciale, apo votë speciale, kur kërkohet që me një nen të kushtetutës ta suspendojmë kushtetutën në tërësi. Gjithsesi, këtu bëhet fjalë për një fushë të caktuar të mbuluar me Kushtetutë e jo për të gjitha dispozitat e saj që mbulojnë të gjitha fushat. Por, si parim kjo është kërkesë për heqje dorë nga sovraniteti, sepse është votë për ta pranuar suspendimin e rregullimit kushtetues të gjyqësorit në vend, për ta krijuar hapësirën e një gjyqësori paralel plotësisht të ri, të pavarur nga Kosova, formalisht brenda sistemit realisht jashtë dhe mbi të. Ky gjyqësor paralel do ta ketë të drejtën e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërkombëtare e ekstradimit të qytetarëve të Kosovës. Kështu dhomat e specializuara gradualisht i marrin në dorë të veten ingerencat e patjetërsueshme shtetërore, duke e suspenduar, në disa segmente, vetë Kuvendin.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës duhet të ndryshohet. Por këto ndryshime duhet të sjellin më shumë liri e barazi për popullin e Kosovës. Jo ndryshime që e zgjerojnë dhe thellojnë mungesën e tyre. Kushtetuta duhet të sanksionojë të drejta kolektive, e jo të kushtëzojë pamundësi shtetërore.

Janë 3 shtylla bazë të sovranitetit të një vendi: ushtria apo kapacitetet mbrojtëse; ekonomia apo kapacitetet për rritjen e mirëqenies së qytetarëve; gjyqësia apo kapacitetet e garantimit të të drejtave kolektive e individuale të qytetarëve. Të tria këto, Republika e Kosovës i ka të deformuara. Ushtri nuk kemi dhe varemi nga jashtë, nga KFOR-i, ekonominë nuk e kemi zhvilluar dhe presim investimet nga jashtë, gjyqësinë e kemi të defunksionalizuar dhe po e presim nga jashtë, nga dhomat e specializuara, nga EULEX-i, e më parë nga UNMIK-u.

Njëlloj sikur me suspendimin e dispozitave kushtetuese në një nen të vetëm për ta ndarë dhe paralelizuar gjyqësinë e shtetit, po ashtu edhe me projektet kapitale të Kosovës, qeveria po i suspendon interesat e shumicës për përfitimet e pakicës.

A nuk është projekti i Termocentralit Kosova e re i ngjashëm? Një kompani e vetme ofertuese insiston që të ketë 100%  në pronësi të veten ekskluzive tërë termocentralin për ta kontrolluar kështu plotësisht menaxhimin e tij, profitin nga ai, si dhe çmimin e energjisë elektrike që i faturohet qytetarit. Edhe këtu mund të themi: pavarësisht interesave të tjera të Republikës dhe qytetarëve projekti “Termocentrali Kosova e re” është më i rëndësishëm sesa vetë ekonomia e vendit, dhe përfitimet që kjo ekonomi do të mund t’i kishte nga energjia me çmim të përballueshëm. Projektet privatizuese në energji, po e shndërrojnë energjinë në mall tregu duke e larguar atë nga të qenit infrastrukturë zhvillimi.

Dhe a nuk mund të themi pastaj të njëjtën gjë, edhe për kombinatin “Trepça”? Refuzimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës që ta shndërrojë atë në ndërmarrje publike dhe ta vendosë atë në funksion të mirëqenies së qytetarëve dhe të mirës së përgjithshme, është poashtu suspendim, madje edhe tentim i interesave të shumicës për t’i dhënë hapësirë një interesi partikular, të kujtdo qoftë ai.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë disa ndryshime fiskale që e lënë sistemin fiskal gati se të paprekur. Përkundër pompozitetit qeveritar se këto masa do të kenë ndikime pozitive në zhvillimin ekonomik e në mirëqenien e qytetarëve, ato nuk janë asgjë tjetër se sa sistemi aktual tatimor i rënduar për shtresat me të ardhura të vogla. Shkallët tatimore për të ardhurat personale nuk u prekën fare, e as ato për korporatat. Shkalla e sipërme e tatimit në të ardhura ka mbetur në 10% ndërkohë që tatimi i sheshtë për korporata po ashtu mbetet në 10%. E vetmja normë tatimore që po ngrihet është TVSh-ja, apo siç quhet ndryshe tatimi në konsum. Dhe atë edhe për një pjesë të konsiderueshme të mallrave të konsumit bazë, konsum ky masiv nga i cili nuk mund të ikë asnjë qytetar pavarësisht shumës së të ardhurave mujore familjare. Shtoja kësaj edhe faktin se ulja e pragut të TVSh-së në 30 mijë euro do t’i rëndojë edhe më bizneset e vogla, duke ua vështirësuar edhe më konkurrencën me ato të mëdha. Përderisa ndryshimet tatimore të vitit 2009 e bartën barrën e financimit të buxhetit te shtresat e mesme dhe ato të ulëta, këto ndryshimet e vitit 2015 po ia ngrenë peshën kësaj barre. Kështu, të varfrit po bëhen edhe më të varfër, ndërkohë që ata pak të pasur, edhe nëse formalisht nuk duket se po preken, realisht po privilegjohen.

Mallrat për të cilat do të reduktohet norma e TVSh-së janë shumë më të pakta se sa numri i mallrave tek të cilat do të aplikohet rritja e normës standarde prej 16 në 18%. Kjo rritje do të reflektohet në rritje të çmimeve. Rritja e normës prej 16 në 18 % është një rritje për 12.5% e obligimit tatimor, që nuk është rritje e vogël, e cila do të reflektohet në rritjen e çmimit të  shportës së konsumatorit.

TVSh-ja po rritet me shpresë se do të rezultojë në të hyra më të shumta për buxhetin tashmë të stërzgjeruar financiarisht. Me TVSh të rritur, pra me konsum masiv më të shtrenjtë, po i financojmë kontratat super të shtrenjta të qeverisë me Bechtelin, evazionin fiskal të bizneseve të mëdha, luksin e korrupsionin qeveritar. Përgjithësisht ata që po paguajnë më së shumti për buxhetin po përfitojnë njëkohësisht më së paku shërbime dhe të mira publike.

Këto masa janë masa që përqendrojnë pasurinë dhe e rrisin hendekun mes të pasurve dhe të varfërve. Si parim ky bie ndesh drejtpërdrejt me parimin bazë të Republikës e që është barazia dhe të drejtat shoqërore brenda saj.

Forcat e Armatosura të Kosovës rrezikojnë të ndahen sipas vijave etnike.

Ashtu sikur më herët që u nda Policia sipas vijave etnike, me marrëveshjen e 13 prillit, ashtu si u nda gjyqësori, me marrëveshjen e 2015-ës, tash edhe Forcat e Armatosura duket do të kenë kompetentët e bashkësisë së komunave me shumicë serbe në ngjiizje.

Ne e kundërshtojmë ndarjen etnike të vendit, dhe në këtë linjë edhe ndarjen etnike të Forcave të Armatosura të Kosovës. Ne jemi për një shtet unik dhe funksional, ku të gjitha minoritetet janë të sigurta, gëzojnë të drejtat e tyre të pamohueshme dhe kanë mirëqenie të barabartë. Por ajo që po ndodh në Kosovë është zgjerimi i planeve agresore të Serbisë, në emër të gjoja zgjerimit të të drejtave për minoritetin serb. Serbia, përmes Listës Serbe, kjo në marrëveshje me Qeverinë e Kosovës, po synon shndërrimin e Kosovës në një shtet të ndarë, jo funksional dhe të dështuar.

Të nderuar aktivistë dhe anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Të shumë respektuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm,

Plot 67 shtëpi janë dëmtuar, shumë prej tyre të shkatërruara tërësisht, nga Policia Speciale e Gruevskit me ç’rast u vranë 10 persona, u arrestuan 28 sosh dhe u shpërngulën me qindra shqiptarë nga shtëpitë e tyre në Kumanovë. Siç e keni parë të  gjithë, policia në këtë rast veproi sikur të kishte qenë ushtri. U vendos në istikamet e veta, dhe bombardoi për dy ditë rresht shtëpitë e qytetarëve shqiptarë atje.

 Shpesh herë po thuhet se është më e dobishme që t’i kemi dy shtete sesa një. Por, ja për shqiptarët që jetojnë në Kumanovë i patëm dy shtete.  Por cila ishte dobia e këtyre shteteve? Kosova në deklaratat e saj zyrtare doli plotësisht në mbrojtje të operacionit të Gruevskit.

Në Maqedoni karakteri i shtetit është problem dhe një shtet i tillë vazhdimisht do të prodhojë Gruevskë të rinj. Pra, një shtet i cili bazohet në shtypjen dhe diskriminimin kolektiv të shqiptarëve nuk mund jetë një shtet demokratik dhe shtet për barazi.

Opsioni i një shteti qytetar në Maqedoni në kushte të shtypjes dhe diskriminimit të skajshëm të shqiptarëve atje, rrezikon të kamuflojë pikërisht këtë shtypje. Në Maqedoni shqiptarët duhet angazhuar politikisht për ta ndryshuar karakterin e shtetit, në një shtet ku shqiptarëve kolektivisht do t’u jetë garantuar barazia dhe kjo barazi të mbrohet me kushtetutë dhe me ligjet që zbatohen. Kjo barazi kolektive pastaj do të prodhonte  liri e të drejta individuale për të gjithë që jetojnë aty. Pa e pasur këtë barazi njëherë, shteti qytetar rrezikon që ta riformatizojë këtë pabarazi, ta riformatizojë këtë shtypje dhe t’i jep asaj një shtysë të re  të iluzionit se Maqedonia ndryshoi, ndërkohë që realisht bazamenti i saj mbetet i njëjti.

Të nderuar aktivistë dhe anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Ne sot, si pikë të rendit të ditës e kemi edhe ristrukturimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Që në fillim të këtij viti ne e kemi shpallur këtë vit, vit të ristrukturimit i cili do të rezultonte në fund me një organizatë shumë më mirë të organizuar, shumë më mirë të konsoliduar, shumë më të fuqishme në terren dhe shumë më të gatshme për ta absorbuar simpatinë në rritje për VETËVENDOSJE!-n. Lëvizja VETËVENDOSJE! edhe si koncept politik por edhe si organizatë, për çdo herë e më shumë po gjen pranueshmërinë nga qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për çdo herë e më shumë po i ndërton kapacitetet e veta, për ta kanalizuar pakënaqësinë në rritje të qytetarëve të Kosovës, për ndryshime rrënjësore politike të cilat i nevojiten Kosovës dhe të cilat i nevojiten popullit në të dhe individëve secilit veç e veç. Prandaj, për ta përfunduar këtë fjalë time, do të them edhe njëherë se procesi i ristrukturimit i nisur tashmë në Lëvizjen VETËVENDOSJE! është gjëja më e rëndësishme që jemi duke e bërë aktualisht dhe është gjëja më e rëndësishme jo vetëm për organizatën tonë, por është gjëja më e rëndësishme për organizimin politik të qytetarëve të Kosovës, i cili njëkohësisht është gjëja më e rëndësishme për politikën në Kosovë dhe për Republikën e Kosovës.

Visar Ymeri

31 mars 2015

Lajme të ngjashme

Back to top button