Sejfullahu dominoi në Bullgari

Klubi i mundjes Liria dominimin në mundjen vendase e ka zgjeruar edhe në arenën ndërkombëtare, duke arritur një rezultat të shkëlqyeshëm përmes shpresës më të madhe të klubit, Elmedin Sejfullahu. Mundësi i ri i Lirisë, arriti të shpallet kampion në turneun prestigjioz për kadet “Dinko Petrov”, që gjatë ditës së shtunë u zhvillua në qytetin Stara Zagora, organizuar nga Federata e mundjes së Bullgarisë.

Në konkurencën e 20 mundësve në kategorinë deri më 54 kg, Elmedini ishte i përkryer, duke fituar në finale edhe mundësin vendas, që është ndër kadetët më të talentuar në Evropë. Mundësit e trajnerit Sedat Baftiu nuk u ndalën këtu dhe në kategorinë e njëjtë, fituan edhe një medalje tjetër, të bronztë, përmes shpresës tjetër të madhe të klubit, Minir Rexhepi. Nga ana tjetër, Halit Osmani në kategorinë deri në 46 kg dhe Shaip Brava në ate deri në 50 kg fituan vendet e pesta, ndërsa Rijad Rexhepi në kategorinë deri më 58 kg nuk pati fat dhe u eliminua më herët.

Duhet cekur që ky turnir është ndër më të fuqishmit në Europë në konkurencën e kadetëve dhe organizohet tani 10 vite radhazi. Në edicionin e sivjetmë morën pjesë diku rreth 200 mundës nga Bullgaria, Maqedonia, Turqia, Rumania, Sllovakia dhe Greqia.
Trajneri i Liris dhe njëheresh seleksionuesi i kadetëve të Maqedonisë, Sedat Baftiu, pas përfundimit të garave u shpreh i kënaqur nga paraqitja e të gjithë mundësve dhe vecanërisht të Sejfullahut, i cili po jep sinjale shumë pozitive para pjesëmarrjeve në Kampionatin Europian dhe Botëror për kadet, që e presin gjatë muajit gusht.

Lajme të ngjashme

Back to top button