Zgjedhjet në Turqi, sot dhe nesër votojnë shtetasit turq që jetojnë në Ballkan

Shtetasit turq që jetojnë në Maqedoni dhe Bosnje dhe Hercegovinë votojnë sot dhe nesër në vendet ku jetojnë për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Turqi që do të mbahen më 7 qershor 2015, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kutitë e votimit të vendosura në Ambasadën e Turqisë në Shkup filloi sot procesi i votimit, ku gjatë ditës së sotme dhe të nesërme shtetasit turq që jetojnë në Maqedoni do të kenë mundësi të votojnë për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25-ta në Turqi.

Ambasadori turk në Maqedoni, Ömür Şolendil, tha se sot dhe nesër ata që janë të regjistruar në listën e votimeve do të kenë mundësi të votojnë në dy kutitë e vendosura në ambasadë, duke filluar nga ora 10:00 dhe do të përfundojë në orën 19:00.

“Sipas Bordit të Lartë Zgjedhor na informuan se në listën e votimeve janë të regjistruar 1943 votues. Uroj të kalojmë lehtë dhe në mënyrë paqësore”, tha Şolendil. Ai shtoi se votimet nuk do të numërohen në Ambasadën në Shkup, por ata do të mbyllen dhe do të dërgohen në Bordin e Lartë Zgjedhor në Turqi.

“Deri në vitin e kaluar për të votuar duhej që votuesi të paralajmërojë që të votojë, ndërsa këtë vit nuk ka nevojë për një paralajmërim të tillë”, u shpreh ai.

Drejtori i Qendrës Kulturore Turke “Yunus Emre” në Shkup, Fejzullah Bahçi, i cili ndër të parët votoi, theksoi se votimet për shtetasit turq jashtë vendit fillojnë një javë e më shumë më herët, ndërsa më tej u shpreh, “Si secili shtetas turq edhe unë përdor të drejtën time për të votuar dhe dëshiroj që këto zgjedhje të kalojnë sa më mirë. Shpresoj që Turqia të arrijë qëllimet e veta”.

Një qytetarë i ri, i cili shfrytëzoi të drejtën e votimit, Abdullah Okşan, duke uruar zgjedhjet parlamentare të Turqisë, shtoi se, “Në jetën time për herë të dytë jam duke votuar, por për herë të parë votoj jashtë shtetit. Shpresoj se punët do të shkojnë mirë për Turqinë”.

Njëjtë si në Maqedoni edhe në Bosnje dhe Hercegovinë kutitë e votimit do të jenë të hapura më datë 30 dhe 31 maj, ndërsa në Shqipëri dhe Kosovë shtetasit turq do të kenë mundësi të votojnë vetëm më datë 31 maj.

Ambasadori i Turqisë në Sarajevë, Cihad Erginay, në një deklaratë më parë për gazetarin e AA-së ka pohuar se në Bosnje dhe Hercegovinë ndodhen afërsisht 2 mijë qytetarë turq të regjistruar që mund të votojnë.

Lajme të ngjashme

Back to top button