Sheshel: Nuk kthehem vullnetarisht në Hagë

Qindra përkrahës të Partisë Radikale Serbe (SRS), morën pjesë në kongresin e 9-të të saj të organizuar sot, në të cilën i akuzuari i Hagës Vojisllav Sheshel, rizgjedhet kryetar i kësaj partie, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e hapjes së kongresit, janë intonuar himnet e Serbisë dhe Federatës Ruse, krahas anëtarëve të partisë, në këtë Kongres si të ftuar morën pjesë sekretari i parë dhe i dytë i ambasadës ruse në Beograd, Këshilltar i Ambasadës së Bjellorusisë dhe Këshilltar i Ambasadës së Palestinës në këtë vend.

Duke iu drejtuar të pranishëmve Vojisllav Sheshel tha se Serbinë, pas një dekadë luftërash, shkatërrimit, bombardimeve, në vitet 1990 dhe 2000, e kanë goditur probleme edhe më të mëdha, kur në tetor të vitit 2000, “Amerikanët sollën në pushtet grupet tradhëtare pro-perëndimore”.

Duke deklaruar se këto pushtete janë ndërruar ndër vite dhe se regjimet ishin gjithnjë më të këqija, të cilët mundësuan grabitjen më të madhe të shtetit, ai tha se këto ishin angazhuar në vazhdimësi për të shkatërruar SRS-në, por që nuk arritën ta shkatërrojnë plotësisht, por ia dolën që të rekrutojnë bashkëpunëtorët më të mirë të tyre, duke shtuar se “regjimi aktual në Serbi luan dhe aktron miqësinë me Rusinë”.

Shesheli tha se SRS ofron si alternativë braktisjen e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, sepse aty janë përqëndruar “të gjithë armiqtë tradicionalë të Serbëve”.

“Alternativa e vetme racionale e cila qëndron përball popullit serb është integrimi me Rusinë. Ne duam Bashkimin Euroaziatik. Fati ynë është i lidhur me fatin e Rusisë, dhe atë që thonin intelektualët e popullit serb, në kohët më të stuhishme, ne serbët duhet ta lidhim anijen tonë të vogël me anijen e madhe ruse që të mos përmbysemi, por të shpëtojmë”, tha i akuzuari i Hagës.

Duke theksuar se “regjim progresiv” magjeps të gjithë armiqtë e Serbisë, Shesheli tha:

“Janë të pamundura marrëdhëniet miqësore midis Serbisë dhe Kroacisë, derisa sa nuk çlirohet plotësisht Republika serbe e krajinës. Lidhur me Bosnje dhe Hercegovinën SRS pa dëshirë ka pranuar marrëveshjen e Dejtonit, por tani ne përpiqemi që të ruajmë të gjitha dispozitat e saj. Ne jemi të gatshëm të bëjnë gjithçka për të ruajtur Republikën Serbe”.

Kur është fjala për Malin e Zi, Shesheli tha se forcat amerikane kanë mundësuar “regjimin mafijoz të pabesë të Millo Gjukanoviqit” që të shkëpusë “Spartën serbe” dhe ta kundërshtojë Serbinë.

“Mal i Zi, si bastion i Serbianismit, zemra e Serbianismit të shëndrrohet në armike të shtetit Serb. Mali i Zi nën udhëheqjen e Milo Gjukanoviq ka qenë ndër të parët që ka njohur pavarësinë e Kosovës, tani ai është duke bërë përpjekjet maksimale për t’u bashkuar me NATO-n dhe në këtë mënyrë drejtpërdrejtë të kërcënojë kufijtë e Serbisë” , theksoi Sheshel.

Sheshel gjithashtu shprehu shqetësimin e tij për situatën në Maqedoni, duke theksuar se tani kur ajo ndodhet e rrezikuar, të lihen anash të gjitha debatet e hapura dhe do të “sigurojë mbështeje të plotë që të ruajë Maqedoninë, që mos ta marrin në tërësi Shqiptarët, të ‘përgdhelurit’ e Amerikanëve”.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në janar 2003, ka akuzuar Vojisllav Sheshelin, për nxitje të krimeve kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës në territorin e Kroacisë, Bosnje dhe Hercegovinës dhe Vojvodinës. Ai u akuzua për shkak se me “fjalimet dhe deklaratat e tij, ka kontribuar që autorët të marrin vendime për të kryer krimet e pretenduara”.

Ai vullnetarisht u dorëzua në gjykatën e Hagës në shkurt 2003, dhe përkohësisht u lirua deri në shqiptim të dënimit në nëntor 2015 për shkak të përkeqësimit të shëndetit. Duke marr parasysh se Dhoma e Apelit të Tribunalit të Hagës, ditë më parë ka kërkuar kthimin e tij në njësinë e burgimit në Sheveningen, Sheshel sot përsëriti se kësaj rradhe nuk do të kthehet vullnetarisht.

“Kërkojnë të kthehem në Hagë. Unë vullnetarisht nuk do të kthehem. Unë kam qëndruar mjaft atje, mjaftueshëm për ta shkatërruar Tribunalin Hagës. Regjimi i quajtur progresiv, pohon se kërkesa për t’u kthyer në Hagë është për ta goditur Vuçiçin. Un mendoj se kjo është goditje ndaj meje. Po të ishte goditje ndaj Vuçiçit, do të kërkonin që ai të shkoj në Hagë”, tha Sheshel.

Lajme të ngjashme

Back to top button