E shtuna e kupave evropiane

Sfida kryesore e mbrëmjes së sonte do të jetë ajo e Spanjës, mes Barcelonës dhe Athletic Bilbaos, që do të luajnë për Kupën e Mbretit, me katalanasit që do të kenë dy pluse më shumë për këtë përballje, atë të një kontigjenti më të pasur por dhe faktorit fushë, duke qenë se baskët ranë dakort që finalen ta luajnë në shtëpine e kundërshtarëve në “Camp Nou”. Skuadra e Luis Enriques kërkon Kupën, për të pasur mundësinë e përsëritjes së Tripletës së 2009, kur ishte dhe viti i fundit në të cilin blaugranat fituan si kampionatin giithashtu dhe Copa del Rey.

Në fakt, Barcelona dhe Athletic janë dy klubet që e kanë fituar më shumë këtë trofe, baskët 24 herë dhe katalanasit 26. Në rast triumfi të Athletic Bilbaos, Spanja vitin e ardhshëm do të vendosë dhe një rekord tjetër, si i pari vend që dërgon 10 ekipe në garat europiane, pesë në Ligën e kampioneve dhe 5 në Europa League. Enrique do t’i ketë të gjithë yjet e tij në dispozicion, me Suarez që gjithashtu ka mundur të riaftësohet në kohë. Këtë sezon blaugranat kanë fituar të dyja ndeshjet ndaj Bilbaos, 2-5 në San Mames dhe 2-0 në Camp Nou, ndërkohë që fitoren e fundit Athletic ndaj Barcelonës e ka regjistruar sezonin e kaluar, më 1 dhjetor 2013. Ndeshja finale e Copa Del Rey do të luhet në orën 21:30.

Për Kupën nuk luhet vetëm në Spanjë por dhe në Gjermani, me Klopp që kërkon ta mbyllë me një trofe aventurën e tij në krye të stolit verdhezi. Si Hecking gjithashtu dhe Klop nuk kanë mungesa për këtë përballje, dhe pritet të luajnë me formacionet e tyre më të mira, Klopp me rreshtimin e zakonshëm 4-2-3-1 po ashtu si dhe homologu i tij, që në majën e sulmit do të vendosë Bas Dost. Këtë vit mes dy ekipeve pothuajse ka qenë gjithçka e barabartë me ndeshjen e parë në Vestfali që u mbyll 2-2 e Wolfsburgun që fitoi në shtëpi 2-1, 3 pikë që i dhanë dhe kualifikimin në Ligën e kampioneve. Formacioni i Hecking kërkon suksesin e parë në histori, pasi asnjëherë nuk ka mundur të fitojë Kupën, ndërsa për Borussian, që ishte dhe vjet finaliste e turneut, në rast triumfi do të ishte Kupa e katërt.
Mbrëmje trofesh dhe në Francë, me PSG që kërkon të dyfishoj trofete, teksa do të kërkojë dhe Kupën e vendit në finalen e “Stade de France” përballë Auxerre, që aktualisht luan në Ligën e Dytë. Auxerre e ka fituar katër herë Kupën e vendit, katër më pak se PSG, që ka triumfuar tetë herë në këtë garë, për herë të fundit në vitin 2010.

Mbrëmja do të jetë interesante dhe në Itali, me Milanin e Juventusin që do të zbresin në fushë. Bardhezinjtë të kurorëzuar kampionë dhe fitues të Kupës, do të luajnë në Verona ndeshjen e fundit të kampionatit, ndërsa në mbrëmje Milani do të mbyllë sezonin në Bergamo në transfertën me Atalantën.

Lajme të ngjashme

Back to top button