DEVËR HESHTJESH

Jeta jonë është refren i reciklueshëm udhëkryqeve të histo­risë, ku ne, të katandisur dhe të braktisur vullnetesh për t’kapërcyer llofkat, shfryjmë kom­plekset mbi qenien personale, në trajtë egërsie vet­asgjë­suese.

Më shumë se të tjerët, rrugët na i dallashit vetvetja – filozofia mjerane fataliste: nuk dimë, nuk mundemi, nuk bëhemi…

Në kohëra stinësh të acarta populli kërkon udhët prej bijve të saj syçelë, prej mendjes së lëvruar, prej prometejëve që rriti me gjirin e vet. Po inteligjenca jonë, hiq përjashtimet e pakta, hesht. Hesht dhe nuk bëzanë për dushmanin tonë të madh – vetveten.

Ajo nuk e thotë shkoqur fjalën andej nga del shpirti dhe nuk merret, për aq sa ka hapësirë, me zhvillimin shoqëror, me shkaqet e shumta të dekadencës shqiptare, sepse blenë rehati, sepse nuk di, sepse rrezaton nasradinçe vlera punë fluskash, sepse s’ka kush të hangariset salephaneve plot myshk përgojimesh dhe seksesh të huaja majegjuhe. Përse ta trazojë shpirtin me cikerrima koti? Përse? Se mos fituan gjë ata që nuk e plakën jetën me disheshe e kërkbeshe tavllash e dominoshë, duke hedhur zare, duke drejtuar gishtin kah zgjebet e tjetrit.

Në derexhe të ngjashme si kjo jona, inteligjenca e mirëfilltë nuk e shkrinë veten në qullnajë masash brohoritëse vend-e-pa-vend, në talebe të thjeshtë politikash e ideologjishë. Ajo duhet të jetë qortuese serioze dhe korrekte pushtetesh të shkalluara, korrektor lëvizjesh shoqërore, e gatshme për të thënë në kohën e duhur: kadali burra se u kllumëm!  Ajo duhet t’i prijë evolucionit shoqëror për ta nxjerrë etninë bataqesh. Çdo sjellje e veprim tjetër në stinë gjëmash, që lihet për nesër dhe për pastaj, ka aromë kurgjëje dhe, siç thoshin pleqtë e një kohe: s’është as hajri taurkit, as sherri kaurit.

Zoti na ruajtë! S’po pretendoj konkurimin në tezgën e mendjes shqiptare, ngase inflacioni i mentarëve të kombit dhe rojeve të plevicave të Mikut tim poet s’ka qenë kurrë më vërshimë, ama më duhet patjetër ta them: po jetojmë ankthe të zgjatura si netë dimrash polarë, po katandisemi nga tragjedia në operetë koniciane.

Natyrisht që mund të aktrojmë edhe më tej të pafajshmin, shpirtvirgjërin, sherrbudallën. Mund t’i lutemi Zotit ta bëjë realitetin ëndërr, mund t’i shtërngojmë sa të duam kokat me marhama mos t’na derdhet truri i tepërt, ngjashëm si heronjtë e Erazmo Roterdamit, por koha kërkon pragmatizëm, guxim qytetar, sakrificë rehatishë të sallamadishme, kërkon përgjegjësinë emblemtike lasgushiane: jemi bashkëfajtorë për gjithçka që ndodh përreth nesh.

Ne jetojmë në Ballkan, në cepin më afrikan t’shkretishtes, në tokën ku bëhen vetëm vampirët me kulte sëpatash të mprehta për qafa indianësh, vetëm personazhët e Xhevdet Bajrës – pigmejët e vegjël sa m… i tyre që planifikojnë zhdukjen e njerëzimit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button