Kosova kërkon nga FMN-ja 200 milionë dollarë kredi

Qeveria e Kosovës i ka filluar edhe zyrtarisht negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar, për një kredi në vlerë rreth 200 milionë dollarë.

Kjo është hera e dytë që FMN-ja hap dyert për kreditim të Kosovës pas prishjes së marrëdhënieve në vitin 2011, kur Qeveria e vendit pati rritur pagat në kundërshtim me kushtet e programit të dakorduar në atë kohë.

Me kredinë në vlerë prej 200 milionë dollarëve synohet të krijohet një kornizë e qëndrueshme zhvillimore, e cila do të tërhiqte investimet e huaja dhe do të ndihmonte zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Mirëpo, zyrtarët e FMN-së dhe ata të Ministrisë së Financave tregojnë se negociatat për programin e ri nuk do të jenë aspak të lehta.

Presioni për rritje pagash është i njëjtë me pesë vjet më parë dhe situata socio-ekonomike nuk është aspak e lakmueshme. Madje vetë Fondi në raportin e fundit për Kosovën ka adresuar një varg shqetësimesh për planifikimin buxhetor dhe shpenzimet e orientuara në projekte të mëdha me rrezik për buxhetin.

Megjithatë, zëvendësdrejtori menaxhues i FMN-së, Min Zhu, është shprehur optimist se në ditët në vazhdim do të gjendet një zgjidhje. Por, ka tërhequr vërejtjen se duhen garanci nga Qeveria e Kosovës se nuk do të përsëritet 2011-ta.

“I kemi rishikuar programet dhe është e vërtetë se aktualisht përqindja e pagave në buxhet është e lartë. Sektori privat nuk është mjaft i zhvilluar. Nuk jemi kundër rritjes së pagave, por ajo rritje duhet të jetë brenda mundësive buxhetore”, ka thënë Zhu.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti ka thënë se kanë marrë masa që rritja e pagave të mos jetë pengesë për programin e ri mes Kosovës dhe FMN-së.

“Ka ndodhë një rritje e madhe e pagave, por kjo mbulohet plotësisht me buxhet për tri vitet e ardhshme”, ka bërë të ditur Hoti.

Sa i përket kushteve me të cilat do të hyhet në marrëveshje të re kreditore, Hoti ka thënë se mbetet të diskutohen në ditët në vazhdim.

Nëse diskutimet rezultojnë me kredi deri në 200 milionë euro, siç parashihet, atëherë borxhi i jashtëm i vendit do të shkojë në mbi 500 milionë euro.

Mjetet e reja, sipas përfaqësuesve të FMN-së, do t’i hapnin rrugën Qeverisë së Kosovës për të investuar në projekte zhvillimore, siç janë ato në energjetikë dhe bujqësi.

Lista e projekteve fillon me një linjë hekurudhore që do të fillojë nga Hani i Elezit për në kufi me Serbinë, në Merdare.

Këtë e ka konfirmuar edhe vet ministri i financave Avdullah Hoti.

“Nga Hani i Elezit deri në Merdare do të funksionalizohet dhe modernizohet hekurudha”, ka bërë të ditur Hoti.

Por qeveria e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa ka edhe plane tjera.

Rruga nga Ferizaj deri te Dheu i Bardhë, në kufi me Serbinë, do të kthehet në autostradë moderne.

Planet janë që të vazhdohet me punime edhe në rrugën Prishtinë-Pejë e të shtrihet edhe hekurudha Prishtinë-Podujevë.

Për realizimin e këtyre parashihet që të merren hua nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Ministri Hoti ka treguar se adresa e parë është Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kjo do të rrisë edhe më tej nivelin e borxhit të shtetit. Aktualisht ky borxh është gati sa gjysma e buxhetit të Qeverisë së Kosovës. /GazetaFjala/

Lajme të ngjashme

Back to top button