Vuçiq: Mirënjohës për mikpritjen e shqiptarëve, Rama miku im

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, vlerësoi mikpritjen që gjeti në Tiranë dhe u shpreh i sigurt se kjo vizitë dyditore, nuk do të jetë vizita e fundit e tij në Shqipëri.

Në një intervistë për Top Channel, ai deklaroi se palët kanë pranuar qëndrimet e ndryshme të njëri-tjetrit dhe po shikojnë përpara, veçanërisht që të shfrytëzojnë të gjithë mundësinë e bashkëpunimit ekonomik.

Duke iu drejtuar homologut shqiptar si “një mik”, Vuçiq tha se i ka kërkuar Edi Ramës që të presë komunitetin serb në Shqipëri dhe të flasë me ta, ashtu siç në mënyrë reciproke, Vuçiq do të bëjë më të mirën për të drejtat e shqiptarëve në Serbi.

“Ne po bëjmë më të mirën për ta implementuar, por këtu ka një marrëveshje mes serbëve, një numri jo të madh serbësh në Shqipëri me qeverinë shqiptare. Unë iu luta mikut tim, Edi Rama t’i presë ata, të flasë me ta, njëkohësisht unë do të bëj më të mirën për të drejtat e shqiptarëve, sepse duam të jemi shumë transparentë me qytetarët tanë në Preshevë dhe Bujanoc. Por sigurisht, ne duam që kjo të ndodhë njësoj me serbët në Shkodër, Vrakë, Fier dhe qytete të tjera”, tha Vuçiq.

Kjo ishte vizita juaj e parë si kryeministër i Serbisë në kryeqytetin shqiptar. Cilat ishin përshtypjet që morët nga Tirana, zoti Vuçiq?

Aleksandar Vuçiq: Nuk mund të them se arrita të shoh shumë nga Tirana. Por më pëlqeu qëndrimi këtu dhe jam thellësisht mirënjohës për mikpritjen e shqiptarëve dhe të kryeministrit Rama. Shpresoj se do të vij sërish në Tiranë.

Kryeministri Rama nuk bëri të njëjtën deklaratë për Kosovën, si në Beograd. A ishte kjo pjesë e marrëveshjes, që ju të vinit në Tiranë?

Aleksandar Vuçiq: Jo, jo, aspak. Ai ishte në pozicionin, që mund të thoshte çfarë të donte. Ai tha atë që mendoi, unë thashë atë që mendova. Ishte nga të dyja anët e ndershme. Ne ishim të gjithë të sinqertë, ai përfaqësoi pozicionin e tij, unë përfaqësova pozicionin tim. Por ne u përqendruam tek e ardhmja. Ne duam të mendojmë për të ardhmen dhe kjo ishte shumë gjë e mirë. Ka një marrëveshje prej 7 pikash mes shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe qeverisë serbe.

Kur do të implementohet marrëveshja, për të cilën edhe ndërkombëtarët kanë pasur objeksione?

Aleksandar Vuçiq: Ne po bëjmë më të mirën për ta implementuar, por këtu ka një marrëveshje mes serbëve, një numri jo të madh serbësh në Shqipëri me qeverinë shqiptare. Unë iu luta mikut tim, Edi Rama t’i presë ata, të flasë me ta, njëkohësisht unë do të bëj më të mirën për të drejtat e shqiptarëve, sepse duam të jemi shumë transparentë me qytetarët tanë në Preshevë dhe Bujanoc. Por sigurisht, ne duam që kjo të ndodhë njësoj me serbët në Shkodër, Vrakë, Fier dhe qytete të tjera.

Dhe në fund zoti Vuçiq, ishte një darkë më e mirë ajo në Beograd, apo ajo e mbrëmjes së të mërkurës në Tiranë? I mungoi kësaj darke zoti Daçiq dhe këngët e tij?

Aleksandar Vuçiq: Ishte një darkë më e mirë këtu. Por unë mendoj se kolegëve tanë iu mungoi ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button