Llojani stërmbushet me emigrantë, golgota e tyre nuk ka fund (VIDEO)

Një grup prej 7-8 sirianësh të enjten arritën në fshatin Llojan të Kumanovës. Numri i tyre i saktë nuk dihet sepse asnjë nga autoritetet nuk merret me to, megjithatë vërehet se janë në numër të madh. Derisa po pushonin në parkun e xhamisë së fshatit, njëri prej tyre pranoi të deklarohet për Portalb.

“Jemi të gjithë nga Siria. Unë atje kam punuar si gazetar, por na u desht ta braktisim vendlindjen shkaku i luftës. Për 4 vite kam qëndruar në Greqi, ndërsa pretendoj të shkoj në shtetet e Evropës Perëndimore. Prej Gjevgjelisë erdhëm në këmbë deri këtu. Ka 27 ditë që po ecim dhe jemi shumë të lodhur.”- tha siriani, i cili në fakt ishte i vetmi nga grupi që fliste anglisht. “Ku ka myslimanë ne ndihemi më të lirë”-shtoi ai për të sqaruar pse tani që sapo arritën, interesohen a është fshati i myslimanëve dhe a ka stacion policor në fshat.

Ndërkaq banorët vendas thonë se grupe si ky vijnë shpesh dhe se janë të shqetësuar.

“Numri i emigrantëve që vijnë këtu nuk është në rënie, pothuajse në çdo 2-3 ditë vijnë grupe si kjo që po shihni dhe shumica prej tyre strehohen në livadhe dhe male. Kohët e fundit si pasojë e ngarjes në ‘Lagjen e Trimave’ në Kumanovë, ato nuk po shëtisin më po aq të lirë sa më parë. Duket sikur kanë frikë dhe janë më të kujdesshëm të mos bien në duar të policisë… Pavarësisht se ne disa herë i kemi bërë apel MPB-së për të marrë masa, Llojani vazhdon të jetë vendi tranzit për shumë emigrantë nga Siria, Afganistani, Pakistani. Nuk ka pasur aksione policore gati një muaj, ndërsa u gjet një emigrant i therrur e nuk e dimë si ndodhi e gjitha kjo… Përndryshe atyre u hapet rrugë në Gjevgjeli e pastaj arrestohen bashkëfshatarë shqiptarë. Ka shumë banorë që aktualisht janë nën arrest për këtë çështje” – thotë për Portalb Rexhep Salihu, banor i fshatit.
Emigrante ne Llojan

Nga viti 2010 nga sektori joqeveritar, Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj iu ofron ndihmë juridike falas personave që kërkojnë azil. E nga ana tjetër me ndryshimet e vitit 2013 në Ligjin për azil dhe mbrojtje të përkohshme, u synua  harmonizimi me direktivat përkatëse të Bashkimit Evropian dhe UNCHR  tha se i njëjti funksionon mirë. Mirëpo gjatë vitit të njëjtë kur Benedit Kolerixh nga Shërbimi jezuit i refugjatëve për Evropën, i vizitoi objektet e kampit të refugjatëve në Shkup, raportoi se “ato janë gjithmonë të mbushura me emigrantë të sapoardhur nga Siria, Pakistani, Avganistani e Nigeria.

Në qendrën adoptuese e burgosëse, meshkujt flejë në divan, mes tenxhereve, kurse ajri është i rëndë dhe me erë të keqe. Mbeturinat janë gjithandej nëpër korridore, ndërsa fëmijët e vegjël janë të vendosur në hapësirë të njejtë me të gjithë të tjerët dhe jetojnë në dhoma ku ka mbetje te papastërtive. Ushqimi përmban supë gjatë ditëve të punës, ndërsa gjatë fundjavave emigrantëve nuk u jepet asgjë për të ngrënë.”

Deri më tani ende nuk është parë realizim i ndonjë projekti qeveritar apo komunal, me të cilin të jenë ndërtuar strehimore të reja apo të jenë përmirësuar kushtet në kampin ekzistues.  E nga publikimi i fundit nga MPB për këtë çështje kuptuam se nga aksionet policore të realizuara  gjatë marsit, 43 emigrantë ilegal të moshës nga 45-1 vjet u dërguan në kampin e lartpërmendur dhe 9 shtetas të Republikës së Maqedonisë u përgjigjën penalisht para gjykatave. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button