Më në fund, Komuna e Tetovës do të sanojë gropat nëpër rrugë

Sot në komunën e Tetovës filluan punimet për sanimin e gropave në rrugët e qytetit, me qëllim përmirësimin e kalueshmërisë dhe infrastrukturës rrugore në qytet, njofton Komuna.

Më në fund u ndërmor një aksion i tillë pasi që Tetova është shndërruar në qytet me rrugët “shoshë”.

Sipas një dinamike paraprakisht të përcaktuar, Sektori për komunikacion, rrugë dhe tokë ndërtimore pranë komunës së Tetovës edhe këtë vit do të kryejë sanim të gropave, gjithnjë duke filluar nga rrugët me prioritet të parë, për të kaluar më pas në rrugët e prioritetit të dytë.

Aktivitete për sanim të rrugëve do të rrjedhin si vijon:

1. Sanim i rrugës “Jane Sandanski” – pjesa e rrugës që fillon nga kryqëzimi me rrugën “Dervish Cara” deri te kryqëzimi me rrugën “Memet Pashë Deralla”.
2.Sanim i rrugës “D.G Kara” – kryqëzimi me rrugën “Dervish Cara” deri te hyrja e Spitalit Klinik të Tetovës.
3. Bulevardi “Blagoja Toska” – pjesa nën komunën e Tetovës.
4. Rruga Industriale – tek qarku rrethor afër objektit të Monopolit.
5. Rruga “Boris Kidriç” – pjesa tek Stacioni i autobusëve.
6. Pjesë e bulevardit “Blagoja Toska” në kryqëzimin me rrugën “Boris Kidriç”.
Pas mbarimit të sanimit në rrugët e lartëpërmendura do të vijojë sanimi i rrugëve me prioritet dytësor, dhe sipas dinamikës së paraparë dhe në kushte optimale klimatike, pritet që punët ndërtimore për sanim të gropave në komunën e Tetovës të mbarojnë në fund të muajit Qershor, me çka sadopak do të mundësohet qarkullim më i lirshëm i automjeteve në sezonin veror, kur edhe kemi fluks të rritur të qarkullimit rrugor.

Përveç sanimit , komuna e Tetovës pas mbarimit të procedurave tenderike, do të fillojë edhe me grryerjen, asfaltimin e tërësishëm si dhe vendosjen anësorëve në rrugën e Industriale, gjegjësisht aksin rrugor nga qarku rrethor tek Veroja deri te Ecolog.

Lajme të ngjashme

Back to top button