E dua një botë në formë gjeli!

T’ia caktosh vendin fesë islame në sajë të shijes suaj, është sikur t’ia ndërrosh rrugën e qumështit sistemit diellor!

Unë nuk jam teolog, mirëpo njohuritë rreth fesë i marr prej teologëve. Për gjërat që nuk i di, pa u skuqur fare i pyes ata që mendoj se duhet t’i dinë. Vetëm pastaj, shfrytëzoj dhuntinë e paraqitjes në letër të atyre gjërave që mendoj se i kam kuptuar.

Këto ditë më rastisi ta dëgjoja Veton Surroin i cili tashmë si një politikan i pasuksesshëm, por si një njeri goxha i pasur dhe me ndikim, foli për çalimet e shtetndërtimit të Kosovës. Pavarësisht se disa fjalë me vend i pohoi, sërish kur marr parasysh se edhe ky kishte pasur hise në këtë shtetndërtim, disi nuk më dukën fjalët e tij të çiltëria, sepse të jesh pjesë e një mossuksesi dhe pas një periudhe të hiqesh si kritikues i atij mossuksesi nuk më duket diçka serioze. Madje ky si rrjedhojë e disa zdraleve të cilët thirren në emër të luftës, duket se po hedh baltë sipër vetë luftës. Me këtë logjikë, orvatet ta sheh edhe fenë. Sidoqoftë, ajo që më bëri përshtypje, ishte pikëpamja e tij rreth fesë islame, edhe pse këtë mendim nuk është hera e parë që e hedh.

Gjithsesi, jemi të lirë të besojmë apo të mos besojmë, mirëpo nuk jemi të lirë ta ndryshojmë një fe të caktuar. Ndërhyrje në shpirtin dhe trupin e fesë do të thotë shporrje e fesë. Në këtë rast do të kemi vetëm ideologji që do t’i shërbejë një shpure të caktuar, mirëpo nuk do të kemi fe. Islami i ka rregullat e veta. Po deshe përshtatu duke i zbatuar këto rregulla, sepse nuk të bie fare keq, por assesi të hysh në islam ashtu siç ty mund ta ketë ëndja. Kjo nuk lejohet, mbase nuk ka kuptim dhe asnjëfarë logjike në tërë këtë përpjekje.

Kështu doli puna që mosnjohësit e fesë islame, mbase edhe urrejtës në disa segmente të saj, duke e shfrytëzuar autoritetin e tyre si intelektualë, padrejtësisht në kontekstin tonë shqiptar, të mundohen t’ia caktojnë vendin islamit, thuajse po nuk u bë ashtu siç thonë ata, nuk do të mbesim si shqiptar, do të bëhemi si Lavdrim Muhaxheri, po ashtu do të bëhemi primitivë, kinse jemi të zhvilluar. E keqja dhe foshnjëria në të kuptuarin këtu fillon, sepse kombin e pandehin si antonim të fesë. Me ç’rast, dihet se feja as nuk ndërton dhe as nuk rrënon identitete kombëtare.

As unë, as ai dhe askush tjetër nuk mund t’ia përshtatim islamin shijes, epshit dhe egos tonë. Kjo është sikur të thuash se unë e dua një botë në formë gjeli, për shkak se i urrej vezët. Jemi të lirë, nëse nuk i përshtatemi parimeve, rregullave dhe normave të islamit, assesi nuk mund t’ia përshtatim islamit vetes sonë, ngaqë ne nuk u krijuam për ta udhëzuar islamin, por islami zbriti për të na udhëzuar neve. Për një njeri kurrë nuk është i dëmshëm identiteti. Nëse ne jemi identifikuar si shqiptar, kjo assesi nuk përbën problem, sepse feja më shumë se identitet është, ajo është udhërrëfim dhe sistem në jetë. Askush nuk ka mundësi të bie ndesh me të drejtën dhe të mirën. E drejta dhe e mira është universale dhe parimisht e pranuar prej të gjithëve, por faktikisht e mohuar prej shumë syresh. Kjo është feja islame. E deshëm apo nuk e deshëm. Po ashtu edhe fetë tjera i kanë rregullat e tyre, rregulla të cilat as mua dhe as kujt tjetër nuk i takon të kërkojë ndryshim të atyre rregullave. Po deshe eja në islam ashtu siç thotë islami. Po ashtu, po deshe dil prej islamit, mirëpo mos kërko ndryshim të rregullave atje ku mendon të shkosh, sepse ti duhet t’i përshtatesh motit dhe jo moti ty!

Lajme të ngjashme

Back to top button