Këshilli për etikë në mediat e Maqedonisë mbajti Kuvendin e parë të rregullt

Këshilli për etikë në mediat e Maqedonisë (KEMM), i cili si organ për vetë-rregullimin e mediave është themeluar që në dhjetor të vitit 2013, sot mbajti Kuvendin e parë të rregulltë, me ç’rast anëtarët u informuan për aktivitetet e zbatuara dhe planet për periudhën e ardhshme, raporton Anadolu Agency (AA).

KEMM është organizatë joqeveritare, e bazuar në parimin e vullnetit të lirë, që bashkon anëtarët e saj për të realizuar qëllimet dhe aktivitetet e përcaktuara me këtë Statut. Ky organ vetë-rregullues zyrtarisht filloi me punë në tetor të vitit 2014. Bordi drejtues i KEMM-it në bashkëpunim dhe me mbështetje të Misionit të OSBE-së , përgatiti Strategjinë e punës të kësaj organizate.

Kryetar i Komisionit të ankesave të KEMM-it, Mirçe Adamçevski, tha se në periudhën nga dhjetori i vitit të kaluar, komisioni ka shqyrtuar 34 ankesa, prej të cilave kryesisht kanë të bëjnë me praninë e gjuhës së urrejtjes në media. Ai shtoi se shumica e tyre janë zgjedhur me anë të ndërmjetësimit apo faljes nga ana e mediave.

“Shumica e ankesave janë paraqitur për portalet, apo 33 raste. Pastaj shtatë raste janë paraqitur për televizionet dhe tre për gazetat”, u shpreh Adamçevski, sipas të cilët Komisioni duhet të jetë i kënaqur me numrin e deritanishëm të ankesave.

Drejtoresh e KEMM, Marina Tuneva, tha se qëllimet e organizatës janë mbrojtja e lirisë së mediave dhe e të drejtës së opinionit për t’u informuar, parandalimi i ndikimit të shtetit, partive politike dhe qendrave të tjera të ndikimit mbi mediat, mbrojtja e interesave të opinionit, promovimi i cilësisë në përmbajtjen mediatike, ngritje e vetëdijes së opinionit mbi standardet profesionale, krijimi i një mjedisi për autokritikë ndaj opinionit, lehtësimi i qasjes në media për opinion, avancimi i kodit etik të gazetarëve dhe reduktimi i të gjitha formave të censurës dhe vetë-censurës në gazetari.

“Aktivitetet e KEMM-it në periudhën e ardhshme do të vazhdojnë të jenë të përqendruar vazhdimisht për të informuar publikun në lidhje me përgjegjësitë e këtij organi”, u shpreh Tuneva, duke shtuar se për këtë arsye, në bazë të planit të veprimit të hartuar nga zyra ekzekutive do të angazhohen edhe në hulumtimin e perceptimit për vetë-rregullimin e mediave si dhe në njohjen e KEMM-it për publikun.

KEMM i përbërë nga gazetarë, redaktorë, pronarë të mediave dhe përfaqësues të opinionit, vepron sipas Kodit të Gazetarëve, Deklaratës për Parimet e Kodit të Gazetarëve të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve dhe nga dokumentet ndërkombëtare të ratifikuara nga Maqedonia, që kanë të bëjnë me lirinë e mediave, lirinë e shprehjes dhe të drejtat e njeriut.

Lajme të ngjashme

Back to top button