Shqiptarët dhe serbët, “të dënuar” për të bashkëjetuar!

Në rast se flasim për raportet shqiptaro-serbe apo mes Shqipërisë dhe Serbisë apo ish-Jugosllavisë, vlen të ceket historia e marrëdhënieve dypalëshe.
 
Marrëdhëniet mes dy palëve kanë qenë gjithnjë të mbushura me armiqësi dhe me mosbesim.
 
Këto raporte kulmin e tensionit deri në armiqësi të skajshme e kanë patur gjatë periudhës së Pavarësisë së Shqipërisë, për shkak të invazionit të shtetit serb për dalje në Adriatik dhe në Shëngjin dhe për më tepër, në këtë periudhë Serbia përdorte edhe politikanë shqiptarë kukulla, për të vënë në zbatim planet e veta ogurzeza (në këtë periudhë kemi shtetin e quajtur Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve).
 
Përgjatë viteve të Mbretërisë, viteve 1930-të, kemi një shpërngulje masive të shqiptarëve drejt Shqipërisë nga ato treva që sot gjenden në Kosovë, Mal të Zi dhe në Maqedoni.
 
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur komunistët erdhën në pushtet në Shqipëri, Partia Komuniste Shqiptare u financua dhe u ndihmua nga Partia Komuniste Jugosllave, ç’ka solli raporte miqësore për disa vite, deri edhe raporte vasale të shtetit shqiptar.
 
Raportet mes Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë deri më 1948-tën ishin kaq miqësore, saqë u rrezikua që Shqipëria të shndërrohej në një shtet satelit të Jugosllavisë.
 
Fill pasi u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë, një pjesë e elitës komuniste u ekzekutuan, për shkak se u konsideruan si “pro-jugosllavë”.
 
Sapo Shqipëria u lidh pashmangshmërisht me Bashkimin Sovjetik nën udhëheqjen e Stalinit, raportet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë u prishën thuajse krejtësisht.
 
Vetëm pas viteve 1970-të, kohë kur BS-ja nisi të dobësohej dhe në krye të saj po viheshin liderë me ide të reja më pranë ideve demokratike, kur Jugosllavia po iu jepte disa të drejta të mohuara shqiptarëve të Kosovës, raportet u rivendosën.
 
Në këtë periudhë kemi edhe shkëmbim kulturash dhe për herë të parë kemi shqiptarët, të cilët shihnin njëri-tjetrin dhe po për herë të parë kemi shkëmbimin e pedagogëve të Tiranës me ata të Prishtinës.
 
Por, se fill pas vitit 1978, kur rinia kosovare shpërtheu në protesta nëpër rrugë në kërkim të të drejtave, marrëdhëniet u acarruan sërish.
Marrëdhëniet u rivendosën vetëm pas rënies së Slobodan Millosheviçit, më 2000.
 
Në këtë histori marrëdhëniesh, sot jemi aty ku kryeministrat e Shqipërisë dhe të Serbisë, Rama dhe Vuçiç, nën nxitjen diplomatike të Europës, po shkëmbejnë vizita në Tiranë dhe në Prishtinë.
Nga e gjithë kjo histori marrëdhëniesh, pika nevralgjike mbetet Kosova, ku Shqipëria e njeh si të pavarur dhe Serbia nuk e njeh si të tillë.
 
Ajo ç’ka mund të thuhet për Kosovën, është se realiteti i pavarësisë së shtetit, do të mund të njihej në një kohë sa më të afërm nga Serbia, vetëm nëse brenda shtetit serb do të kemi rritje të forcave politike pro-europiane.
 
Vetëm nëse brenda Serbisë do të kemi forca të vërteta progresiste, të gatshme të njohin një realitet të vështirë për Serbinë, Kosova do të ishte gjithnjë e më pak problem për raportet dypalëshe Shqipëri – Serbi.
 
Forcat aktiviste pro-evropiane, brenda Serbisë, do ti konvenonin demokratizimit të vetë Serbisë, të Kosovës, por edhe pjesës tjetër të rajonit, për një paqe të qëndrueshme, që lidhet me një realitet të gjithëpranuar ndërkombëtarisht, Kosovën e pavarur.
 
Sa i takon Kosovës, mund të thuhet se ky shtet përfaqësohet nga një flamur, që nuk e meriton aq ta përfaqësojë, si dhe ekziston rreziku që Kosova të shndërrohet në një “Bosnje të Dytë” në Ballkan.
Kosova në popullësi ka një përkatësi të përgjithshme nacionale dhe kjo përkatësi është shqiptarizmi, pasi shqiptarët janë shumicë dërrmuese.
 
Siç thekson Hju-Seton Uatson, nacionalja tek një komb ekziston atëherë kur një numër i madh i popullsisë e ndjen se i takon një kombi të caktuar.
 
Duke u nisur nga ky përcaktim i Uatson, mund të thuhet se Kosova është nacionale, se ajo popullatë që banon në të e ndjen se i përket kombit shqiptar dhe se flamuri është impronuar nga ndërkombëtarët.
 
Megjithatë, kjo nuk nënkupton aspak shtypje ndaj çdo lloj komuniteti tjetër etnik, qoftë edhe serbëve, të cilët i gëzojnë të drejtat në Kosovë dhe se këto të drejta duhet ti gëzojnë edhe në vijimësi.
 
Së fundmi, mund të thuhet se historia i ndan njerëzit, se padyshim se ajo çka ka bërë Serbia në të kaluarën me shqiptarët është e dhimbshme.
Por, se historia ka punën e saj, do të mësohet si e tillë dhe se i përket të shkuarës.
 
Fakti që Serbia ka qenë shtet fashist, do të thotë se fajtorë janë disa politikanë të Beogradit të asaj kohe që e ngritën këtë sistem, por asesi të gjithë serbët.
Andaj, sot shqiptarët dhe serbët, për shkak se ndajnë të njëjtën hapësirë gjeografike të banimit, për shkak se ndajnë interesa ekonomikë dhe tregtarë, duhet të bashkëjetojnë, për një paqe mes tyre, për të parë drejt aspiratës së përbashkët, Europën e Bashkuar.
 

Lajme të ngjashme

Back to top button