USHT mori pjesë në Universiadën mbarëkombëtare “Pranverë 2015”

Universiteti Shtetëror i Tetovës mori pjesë në Universiadën mbarëkombëtare “Pranverë 2015” që u organizua nga Universiteti i Tiranës. Ky eveniment u zhvillua më 21 dhe 22 maj në qytetet Tiranë dhe Durrës, ndërsa morën pjesë gjithsej dhjetë universitete shqipfolëse nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Universiadën e shpalli të hapur Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. dr. Dhori Kule, i cili theksoi se ky aktivitet ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit dhe organizimit të aktiviteteve të përbashkëta sportive nëpër universitetet shqipfolëse.

Në  hapjen solemne të Universiadës ,,Pranverë 2015” që u zhvillua në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, e pranishme ishte edhe Ministria e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla. Në fjalën e saj, ajo vlerësoi se kjo nismë e Universitetit të Tiranës është tejet e veçantë për vetë rëndësinë e vlerave që përçon sporti tek të rinjtë. Ajo, po ashtu tha se ministria që ajo drejton do t’i mbështesë këto aktivitete edhe në të ardhmen. “Nuk ka më bukur nga Prishtina, Tetova, Tirana, Elbasani, Vlora, bashkohen bashkë dija dhe sporti, ngjyrat e pasionit të dijes dhe të sportit, e di që do të fitojë gara, e di që do fitojë fer play, e di që do të fitojnë vlerat më të bukura që sjell sporti, por sigurisht, e di që do të fitojë një hapësirë mbarëkombëtare edhe në fushën e sportit, përmes dijes universitare”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla.

image-5aa95a5bde5615abc3138120b7d8a996202dab7cf09a6480e342d93080d1527d-V

Në emër të Universitetit Shtetëror të Tetovës të pranishmëve me fjalë rasti ju drejtua prodekani i Fakultetit të Kulturës Fizike të USHT-së, Doc. dr. Haki Ismaili. “Është nder dhe kënaqësi e veçantë për mua t’Ju drejtohem me fjalë rasti dhe njëherit t’ua përcjell përshëndetjet e Rektorit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në fillimin e punimeve të “Universiadës Pranverore 2015”. Sigurisht se është një rast i mirë, një takim i frytshëm mes universiteteve tona, që përmes këtij aktiviteti sportiv të sjellim eksperienca të ndryshme mbarëkombëtare, që kanë të bëjnë me rritjen e cilësisë së shkencave sportive në tërësi. Ndër vlerat e veçanta të këtij takimi mund të përmendim edhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet Fakulteteve të Kulturës Fizike të universiteteve pjesëmarrëse, respektivisht universiteteve që e bashkë-organizojnë ,,Universiadën Pranverore 2015”, të cilët në këtë mënyrë krijojnë mundës reale që pedagogët tanë t’i evidentojnë përparësitë dhe mangësitë e mundshme, me qëllimin pozitiv që shkencat sportive të avancojnë paralelisht me shumë lëmi te tjera”, theksoi Doc. dr. Haki Ismaili.

Garat sportive u zhvilluan në basketboll për meshkuj, minifutboll për meshkuj, volejboll për femra, si dhe beach-volley për studentë dhe pedagogë. Universiteti Shtetëror i Tetovës mori pjesë me ekip në futsall, volejboll dhe beach-vollej për pedagogë, ku edhe ekipi i USHT-së e fitoi vendin e dytë. Në këtë universiadë morën pjesë Universiteti i Tiranës, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Universiteti i Prishtinës, Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit, Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës, Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti i Sporteve i Tiranës,  Universitetit “Marin Barleti” dhe Universiteti Europian i Tiranës.

image-5b58f09b1f39713dcb88d622933d5ab9091a26f2162aae5d7dbc7337e3c529d9-V

Lajme të ngjashme

Back to top button