Një libër për Maqedoninë e dalë nga konflikti i vitit 2001

Aurora Karameti është emër i njohur në publicistikën shqiptare dhe në qarqet akademike në Maqedoni. Ajo njihet si studiuese e përkushtuar, me durim e metodë në punë, në fokusin e interesimit të së cilës janë problemet socio-kulturore, politike, gjeopolitike e gjeostrategjike, por edhe roli i medias në shoqëri.

Ajo së fundmi ka arritur që me përkushtim e kompetencë shkencore të formatojë një libër mbi një problematikë të ndërlikuar dhe të shoqëruar me shumë keqkuptime, sikundër është periudha delikate historike, që shënoi konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni.

Nëpërmjet diskursit adekuat shkencor analizon jo vetëm reflektimin mediatik të konfliktit të vitit 2001, por rend edhe pas shkaqeve që sollën deri te përplasja militare, e cila ndryshoi konfigurimin juridik të Maqedonisë.

Pas leximit të librit, krijojmë imazh më të qartë për të ndodhurën në këto hapësira, në një periudhë të caktuar, që edhe sot e kësaj dite shoqërohet me keqkuptime të shumta, të cilat rrezikojnë të krijojnë plasaritje të reja në një shoqëri të brishtë dhe me plot antagonizma natyrash të ndryshme.

Aurora Karameti fokusohet jo vetëm te “realiteti” i konstruktuar nëpërmjet medieve, por edhe te realiteti i tillë sikurse ka qenë, prandaj, ky studim i thelluar është me interes si për opinionin shqiptar dhe maqedonas, gjithashtu edhe për opinionin ndërkombëtar, veçanërisht atë shkencor.

I verifikuar paraprakisht nga një komision kompetent (si punim doktorate në Universitetin Sorbonne Nouvelle në Paris), na kursen që të shtojmë diçka më shumë për sa i përket strukturimit, aparaturës e metodologjisë shkencore, përzgjedhjes së referencave etj. Por ne mund të fokusohemi te ndikimi që mund të ketë ky libër referencial për studime të tjera të thelluara mbi objektin studimor që trajtohet, për sa kohë autorja ka arritur që t’i bëjë prerje jo vetëm kronologjike, por edhe historike problemit në fjalë, duke shkuar përtej së thënës e së shkruarës, përtej keqkuptimeve e shkarjeve, përtej tendencës dhe propagandës. Kështu, ajo na ofron një studim të formatuar me sensin e një studiueseje dhe me një diskurs të zhveshur nga impresionet.

Autorja fokusohet te situata parakonfliktuale, te shkaqet e krizës, shumë më të thella se sa duken dhe që mund të krahasohen me një ajsberg, ku vetëm një pjesë është e dukshme, kurse pjesa tjetër ka rrënjë të thella në kohë. Më shumë se sa kaq, ajo na jep hartën gjeopolitike të konfliktit, duke bërë ndërlidhje me historinë, me politikën, me etnopsikologjinë ballkanase, me aspektet juridike, me konfigurimet kombëtare, kulturore, gjuhësore e religjioze, por edhe me anën social-ekonomike, anksiozitetet e trashëguara, që të gjitha të shprehura me diskurse të ndryshme në media lokale dhe ndërkombëtare.

Autorja është përqendruar dendur tek raportimet e mediave ndërkombëtare për Maqedoninë, te përmbajtjet mediale të shtypit dhe agjencive të lajmeve, veçanërisht rreth rëndësisë që i kushtuan ngjarjeve të kësaj periudhe dhe pas saj.

Nëpërmjet një metode sintetike, analitike, krahasimtare, autorja jep përgjigje mbi shumë çështje për sa i takon pasqyrimit të problemit në fjalë në shtypin ndërkombëtar, për rolin e medias në këtë konflikt me përmasa etnike, për diskursin medial, për ndikimin e shtypit në këtë krizë dhe pas saj, veçanërisht në kontekst të rrethanave të reja gjeopolitike e gjeostrategjike në planin global. Për më shumë, ky libër është i vlefshëm edhe për studiuesit e studentët, që si objekt studimi e kanë rolin e medieve në kohë krize, konflikti apo lufte, por edhe rolin e shtypit në shoqëri shumetnike, shumëgjuhësore, shumëkulturore, shumëreligjioze, sikundër është Maqedonia. Për më shumë, pas leximit të librit ne krijojmë një tjetër imazh edhe mbi profesionalizmin gazetaresk ose mungesën e tij në kohëra delikate, veçanërisht për sa i takon respektimit ose jo të etikës mediale.

Sikundër e vëren autorja, në jo pak raste, mediat lokale u mbizotëruan nga diskurset që nuk i duron profesionalizmi, në humbjen e baraspeshës përgjatë informimit, në mos dëgjimin e palës tjetër, por edhe te tendencat për të penguar dëgjimin e palës tjetër, nëpërmjet censurës shtetërore.

Në këtë studim autorja është shërbyer me të dhëna të shumta. Ajo ka përimtuar artikujt e medieve perëndimore mbi aktualitetin në Maqedoni, përgjatë periudhës janar – gusht 2001 (agjencia e lajmeve Reuters, AFP, gazetat, Le Monde, Libération, The New York TimesThe Washington Post etj; artikujt në gazetat shqiptare (Flaka, Fakti, Lobi) dhe ka realizuar intervista me gazetarë të shtypit të huaj që kanë raportuar për ngjarjet në Maqedoni. Gjithashtu, tërthorazi janë dhënë edhe raportime në mediat maqedonase. Krahas këtyre burimeve, libri përmban referenca të shumta nga autorë të shquar mbi teorinë e shtypit, të cilat janë përdoruar në mënyrë korrekte, me masë dhe në mënyrë të duhur.

*Dr. Salajdin Salihu është shkrimtar, poet dhe publicist nga Maqedonia, profesor në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button