Zgjedhje as në ëndërr

Fakt është se tani pas më shumë se afro tetë vite, lidhur me proceset euroatlantike kthehemi në pozitat që i kishim në vitin 2006 (madje edhe më të dobësuara), kur pritej që të merrej vendimi për fillimin e negociatave për anëtarësim të plotë të Maqedonisë në UE. Atëbotë në Unionin Evropian mbizotëronte optimizmi se Maqedonia do të bëhet anëtare e saj më së voni në vitin 2012. Kurse çështja e emrit si pengesë asaj kohe as që përmendej. Por, pas ardhjes së Gruevskit në pushtet, ai për qëllime manipulimi populist lansoi qëndrimin politik se nga emri nuk do të ndryshohet qoftë edhe një germë, edhe pse ajo as që kërkohej nga ai lidhur me integrimet.
Më pas u lansua antika me Aleksandrin e Madh, Filipin, aeroportin, autostradën… Përmes këtyre mashtrimeve Gruevski në kontinuitet fitonte zgjedhjet në çfarëdo niveli. E gjithë kjo përcillej me antiamerikanizëm dhe anti-evropizëm të cilën ai e praktikonte dhe akoma vazhdon ta bëjë përmes megafonëve  të vet. Kështu që definitivisht erërat antike shembën kullën e idealeve euroatlantike. Jemi duke humbur dekada të tëra të robëruar në kafazin e Gruevskit dhe rrethit të tij familjar. Vet kontribuojmë që mafia e këtuit ta zhvesh popullatën nga miliarda euro të cilat do të duhet t’i paguajnë jo vetëm fëmijtë tanë, por edhe nipërit tanë.

Bllokimi dhe pezullimi akoma vazhdon, edhe pse çdo njohës elementar i çështjeve e di se ka numër të madh opsionesh politike për ta detyruar Gruevskin që ta zgjidhë problemin që vet qëllimisht e prodhojë. Maqedonia para Gruevskit fitojë statusin kandidat, fitoi partneritetin për paqë dhe askush s’mund ta bllokonte, pasi ecte rrugës së duhur. Greqinë e obligonte Marrëveshja e 1995 që të mos blokojë integrimin, por kur këtë marrëveshje e shkeli Gruevski, Grekëve u erdhi si bingo. Fakt i gjallë është se edhe ne mbajmë përgjegjësi të madhe për situatën alarmante në të gjitha sferat e jetës në vend, pasi toleruam kaq vite që një liliput të përkëmb orientimet themelore të Guliverit. Shqiptarët në pushtet, pa ndonjë mbulesë serioze kanë besuar se faktori ndërkombëtar do ta shpërblejë ,,konstruktivitetin,, e tyre dhe se me shkop magjik do ta detyrojë Gruevskin që ta zgjidhë emrin. Ata që e njofin problemin, mirë e dinë se faktori ndërkombëtar nuk ndërmerr asgjë nëse nuk është i detyruar që atë ta bëjë. 

I njëjti faktor madje është duke e toleruar Gruevskin në ndërtimin e fashizmit në vend. Ja një shembull tipik se si vepron faktori ndërkombëtar. Kur vitin e kaluar ,,buldozeri,, i Marrëveshjes së Ohrit (të cilit emrin nuk ia përmend pasi nuk jam i autorizuar për këte) qëndroj në Shkup për një promovim, kureshtja ime bëri që pas ceremonialit të afrohem që ta përshëndes në mesin e shumë tjerëve, i bindur se aspak nuk do t’i kujtohem nga Ohri, ku edhe unë merrja pjesë herë pas here si njëfarë ,,eksperti,,. Për habinë time, atij jo vetëm që i kujtohesha, por ai më rikujtoi në disa mospajtime dhe zënka në Ohër dhe Shkup me disa nga ne (atëherë deputet të PPD-së). Madje një deputet tonin që ishte më i zëshëm kundër intervenimeve shtesë në tekstin paraprak të Marrëveshjes së Ohrit, ai me arrogancë pa nxjerrë jashtë (që për gjithë ne ishte një çudi e madhe).
Më pyeti për situatën në vend sikur më tepër nga kurtuazia, edhe pse isha shumë i sigurt se e di gjendjen shumë më mirë se unë. Thash që qeveria e Gruevskit është një fatkeqësi elementare që është duke na ndodhur tani shtatë vite. Brenda disa minutash u mundova të elaborojë shumë segmente kyçe të politikës së pushtetit aktual. Në fund vendosa seriozisht ta provokojë duke i thënë: ,,A ishte ky qëllim i Marrëveshjes së Ohrit?,, Më dha këtë përgjigje: ,,Shih, përderisa këtu nuk rrezikohet siguria e brendshme dhe rajonale, askush nga jashtë nuk do t’u përkushtohet seriozisht. Interesat tona këtu nuk janë të dëmtuara në atë masë sa të na detyrojë të fokusohemi këtu në kohën kur kemi halle të mëdha në Lindjen e Largme, të Mesme dhe të Afërt, rajone ku kemi të definuara interesa vitale. Po të ndodhë këtu ndonjë komplikim serioz qoftë edhe politik, atëherë të jeni të sigurt se këtu do të na keni, qoftë mua tani më si një plak apo ndonjë koleg i imi i ri”.

Shkurt e qartë. Nëse nuk prodhohen situata që të na ndihmojnë, s’kanë arsye përse të na ndihmojmë. Përderisa këtu nuk ndodhë asgjë – nuk do ta kemi vëmendjen e tyre. Nuk jam i mendimit se duhet të ndodhë diçka serioze lidhur me çështjen e sigurisë në vend, por shumëçka që emërohet si tension politik (që është pjesë e demokracisë) ka munguar. Kanë munguar lojërat politike që partnerin ta detyrojnë të ecë përmes rrugës normale. Do të ishte banale nëse ato ,,lojëra,, i sqarojmë këtu në këtë tekst, por ndoshta nuk bëjmë keq nëse vetëm një detaj e japim si shembull. Qëndrimi parimor se shumica shqiptare duhet të koalicionon me shumicën maqedonase, pa dilemë se vazhdimisht duhet të afirmohet dhe të shndërrohet në bazament praktik të pakontestueshëm edhe për të ardhmen. Këtë qartë duhet ta thotë edhe opozita shqiptare. Por, përderisa Gruevski me mjeshtri konsumon dhe luan me letrën e nacionalizmit (të brendshëm dhe të jashtëm), përse nuk pati asnjëfar kundërveprimi mirë i analizuar dhe koordinuar, me çka platforma e tij nacionaliste do të shembej që në start si kulla prej kartave? Do të mjaftonte ashpërsimi i raporteve ndërpartiake lidhur me nacionalizmin dhe populzimin e premierit, madje edhe para opinionit (me argumente racionale duke i vënë në dije opinionit se nuk do të durohet ky nacionalizëm i dëmshëm për të gjithë). Më pas tensionet e brendshme ndërpartiake të eksponuara në qeveri shpejtë do të shpërnguleshin në parlament dhe jam i sigurt se të nesërmen në Shkup do t’i kishim ata që na kapin për veshi dhe na ulin që t’i bëjmë detyrat e klasës dhe të shtëpisë. Por, kështu siç luajmë asgjë nuk bëjmë. Ndërkohë popullata na ikë jashtë. Vetëm ëndërr boshe është ajo se brenda 25 vitesh Shqiptarët do të bëhen shumicë në Maqedoni. Përkundrazi, Maqedonia tani fuqishëm zbrazet nga qytetarët e vet, ku pa dilemë se shumica janë Shqiptarë.

Tani Gruevski serish lyp zgjedhje të parakohshme në stilin populli voton kurse shejtani numëron!!! Kurse partneri sikur kundërshton, por njëherit jep shenja se ndoshta mund të pajtohet ,,nëse komplikohet gjendja,,!!! Zaten, për njohësit elementarë të politikës mu në atë moment aspak nuk duhen zgjedhjet. E kemi ngushtuar lepurin në qoshe, gati për ta zënë, ne e lëshojmë!!! Ai moment që mund ta quajmë bllokadë të funksionimit të sistemit (parlamentit dhe qeverisë), është tejet i favorshëm për intervenim nga jashtë. Krijohen shumë favore: Së pari, Gruevski do t’i nënshtrohet presionit të fuqishëm nga jashtë që ta zgjidhë problemin. Së dyti, Greqia po ashtu do t’i nënshtrohet presionit nga jashtë se është duke shkaktuar destabilizim të rajonit. Së treti, opinion në aso kushtesh shumë më lehtë do ta pranonte marrëveshjen, të cilën do ta përjetonte si shpëtim.

Kjo bëhet nëse Shqiptarët qartë do të dalin me qëndrim se nuk japin votën për vet shpërndarje të parlamentit. S’ka zgjedhje pa zgjidhjen e emrit. Kanë guxim këtë ta bëjnë? Pasi zgjedhjet çka do të na zgjidhnin? Vetëm se do t’ia zgjatnin jetën Gruevskit edhe për katër vite të tjera!!! Ku është këtu logjika e zgjedhjeve të parakohshme? Pa zgjidhur emrin këte nuk duhet as që ta ëndërrojnë qoftë partia në pushtet apo ajo në opozitë. Përkundrazi, të gjithë – intelektual e shoqata duhet haptazi duhet të qëndrojmë në anën e partisë shqiptare në pushtet, po qese ajo këtë çështje vendosë seriozisht ta trajtojë në këtë formë. Për ndryshe s’bëjmë gjë. Do të përfundojmë me turp historik. Jam i sigurt se edhe faktori ndërkombëtar këtë e pret nga ne. Por, mos mendojmë se ato do të na e thotë të njëjtën. 

Lajme të ngjashme

Back to top button