Krerët e shteteve të Vendeve të Evropës Juglindore me apel: Të bashkëpunojmë!

Ka përfunduar punimet Samiti i Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP), i organizuar nga Presidenti i Shqipërisë Nishani. Mesazhi kryesor që doli nga samiti ishte apeli për bashkëpunim më të ngushtë mes vendeve të Evropës Juglindore.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u shpreh se pas anëtarësimit tonë në këtë forum të rëndësishëm politik të rajonit vitin e kaluar në Bukuresht, Kosova ka vazhduar të japë kontributin e saj aktiv si anëtar i barabartë në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal.

‘Sot më shumë se asnjëherë më parë shtetet Ballkanit Perëndimor janë të bashkuara në aspiratën për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si alternativën e vetme për secilin prej vendeve tona dhe që po ndihmon në transformimin e gjithë rajonit. Kjo ka qenë e mundur duke hapur perspektivën evropiane për secilin prej nesh, sepse në esencë ka qenë një hap që na ka ndihmuar të tejkalojmë pasojat e të kaluarës dhe e ka bërë të domosdoshme nevojën e bashkëveprimi”, u shpreh Jahjaga.

Sipas saj, ky është një moment që duhet ta ruajmë sepse projekti i BE-së jo vetëm që ka sjellë stabilitet politik, por ka rritur prosperitetin, ka mundësuar lirinë e lëvizjes dhe ka ndihmuar pajtimin midis popujve. Prandaj, tha ajo, është projekti më i veçantë i përbashkët i të gjithë popujve në Evropë, që e ka kthyer diversitetin në vlerën më të madhe. “Ne jemi në një proces të pandalshëm të integrimeve evropiane. Kjo është një garanci e zhvillimit të të gjitha vendeve tona. Integrimi në një sistem të tillë vlerash do të ruajë paqen dhe do të ndërtojë mirëkuptim mes nesh. Ky bashkëpunim pragmatik ndërmjet popujve është i nevojshëm për rajonin e Ballkanit. Ai na ndihmon të thellojmë dialogun dhe të mbyllim rrugën e konfrontimit”, deklaroi Presidentja e Kosovës.

Ndryshimet e fundit në rajonin tonë, nënvizoi Jahjaga, kanë qenë të mundura vetëm përmes qëllimit të qartë të integrimit evropian. Dhe për këtë arsye ne kemi nevojë që perspektiva evropiane e rajonit, që na bashkon të gjithëve, të jetë konkrete dhe të ofrojë nxitje për reformat e brendshme.

Kosova, tha ajo, mbetet e përkushtuar për stabilitetin rajonal dhe forcimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore duke kontribuar në avancimin e këtij bashkëpunimi. “Vendeve tona u duhet më shumë investime, dhe të gjithë e dimë që investitorët do t’iu shmangen vendeve që nuk ofrojnë stabilitet për të zhvilluar ekonominë. Rajoni duhet të flasë me një zë: në krijimin e projekteve të përbashkëta të zhvillimit posaçërisht në infrastrukturë dhe në energji dhe të bëhet pjesë e hartave të rëndësishme evropiane në këto fusha. Për këtë na duhet bashkëpunim më i ngushtë mes nesh, që nxit zhvillimin ekonomik dhe konkurrencën. Mbi të gjitha ndërveprim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e në veçanti në luftimin e krimit tej-kufitar”, deklaroi Jahjaga.

Sipas presidentes së Kosovës, takimet si këto duhet të na ndihmojnë që të gjejmë mënyra se si t’i përgjigjemi sfidave të së ardhmes.

“Asnjë vend nuk është i paprekshëm dhe i pacenueshëm nga trendet e fundit të radikalizmit dhe ekstremizmit prandaj lufta jonë kundër këtyre të këqijave që po cenojnë sigurinë tonë kolektive duhet të jetë luftë e përbashkët. Qeverisjet tona, të ndërtuara mbi vullnetin e qytetarëve, të përkushtuara për sundimin e ligjit dhe të rendit, demokratizimit dhe zhvillimit ekonomik, janë përgjigja më e mirë kundër këtyre fenomeneve.

Siguria nuk është vetëm çështje e brendshme dhe ne duhet ta shndërrojmë atë në lidhjen më të fuqishme të unitetit rajonal. Përgjigja jonë ndaj ekstremizmit dhe radikalizmit duhet të jetë zhvillimi ynë, udhëheqja e reformave dhe angazhimi në të gjithë sektorët, përfshirja më e madhe e qytetarëve në vendimmarrje dhe mbi të gjitha ofrimi i mundësive më të mëdha. Prandaj është e domosdoshme një qeverisje e bazuar në vlerat demokratike në vendet tona, që synon bashkëpunimin me vendet e tjera dhe gjithpërfshirjen si përgjigje”, tha Presidentja e Kosovës.

Duke ruajtur dinamikën e përparimit tonë në agjendën evropiane, Jahjaga shprehu bindjen se vendet e rajonit do të konsolidojnë vlerat e shoqërive të përparuara dhe të drejta, që tejkalojnë hasmëritë e së kaluarës.

“Nuk mund ta humbasim momentin ku kemi arritur dhe as të zhbëjmë dialogun me të cilin i kemi hapur rrugën njëri tjetrit. Përgjigja është te ne – te vullneti ynë për të biseduar shtruar dhe për të arritur marrëveshje. Te vullneti ynë për të zbatuar marrëveshjet që kanë qenë produkt i zgjidhjeve politike. Në këto momente vendimtare për rajonin ne na duhet më shumë kurajë. Na duhet më shumë qartësi dhe më pak politikë ditore. Na duhet më shumë se përkushtim ndaj vlerave që jemi zotuar të na udhëheqin në këtë shekull të ri”, deklaroi Jahjaga.

Lajme të ngjashme

Back to top button