Zbulohen dëshmitarë të rinj për abuzime në “Lepeza”, ambasada norvegjeze bën kontrollime

Ushtari Ilija Todev nga Velesi, i cili nuk ka patentë shoferi dhe nuk ka qenë asnjëherë në testime  në cilëndo auto – shkollë në vend dhe më gjerë, pretendon se është gjetur në listën e ushtarëve të cilët kanë marrë një patentë shoferi përmes programit “LEPEZA”.

Në kundërshtim me rastin e Todevit, Inbox 7 një kohë më parë (këtu linku) publikoi një storie për ushtarin – Zoran Karadakovski nga Velesi, gjithashtu një ish-pjesëtar i njësitit special “Skorpionet”, i cili pretendonte se ka ndjekur mësime të organizuara nëpërmjet programit “LEPEZA” për të marrë një licencë sigurimi, por se më vonë ka qenë i detyruar që licencën e sigurimit të paguante me para nga xhepi i tij.

“LEPEZA” është një program i Ministrisë së Mbrojtjes (MM) për rikualifikimin e personelit ushtarak, i mbështetur financiarisht dhe profesionalisht nga Mbretëria e Norvegjisë. MM-ja me ndihmën dhe mbështetjen norvegjeze, tashmë tetë vjet që nga koha kur sektorin e mbrojtjes e udhëhiqte Llaze Elenovski, e zbaton tranzicionin e pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë, të cilët pas skadimit të kontratave janë të detyruar ta lëshojnë ushtrinë dhe të fillojnë një karrierë të re si persona civilë. Trajnimi zbatohet në tri qendra në Maqedoni – Shkup, Kërçovë dhe Shtip. Ushtari Todev, si një ish-pjesëtar i njësitit të armatës “Skorpionet”, në vitin 2011 ka marrë pjesë në “LEPEZA” në qendrën në Shtip. Kjo është periudha kur, sipas legjislacionit të atëhershëm ligjor, janë larguar nga ARM-ja 120 ushtarë profesionistë, të cilët kanë mbushur 38 vjet. Më vonë, në shkurt të vitit 2012 u bënë ndryshime në Ligjin për Shërbimin Ushtarak, sipas të cilave ushtarët mbeten në punë në armatë deri në moshën 45 vjeçare. Në këtë vit të vështirë dhe me probleme për ushtarët e shkarkuar dhe të lënë në ekzistencën e vetë, disa prej tyre vendosin të provojnë fatin e tyre në “LEPEZA”.

Midis tyre është edhe Ilija Todevi i cili, siç thotë ai, po të mos kishte ardhur në situatë që të ballafaqohej me përgjegjësit për zbatimin e testimit për patentë shoferi nën patronazhin e “LEPEZA” me qëllim që të kërkojë një ndryshim në trajnimin e kategorisë për shofer, nuk do të kishte zbuluar se çfarë i kishte ndodhur atij në prapavijë dhe çfarë surprize e pret atë – është gjetur në listën e ushtarëve të cilët kanë përfunduar trajnimin dhe të cilët është dashur të marrin patentë shoferi.

Kur arrita në Shkup, shkova te oficeri me gradë në kazermën Goce Dellçev, për të më ndihmuar për të bërë një ndryshim të kategorisë së shoferit. Ende nuk kisha filluar me trajnimin në auto – shkollën në Veles, trajnim të cilin duhej të na paguanin nëpërmjet programit “LEPEZA”. Oficeri më gradë më u përgjigj në mënyrë shumë arrogante: “Çfarë kërkon tani prej nesh, kur ti tashmë ke marrë një patentë shoferi”. Me kë po tallesh ti?”. Me nervozë nxori nga sirtari një dokument në të cilin ishte emri im“, dëshmon Todevi dhe pretendon se në listën që ia kanë treguar kanë qenë emrat e ushtarëve me trajnim të përfunduar për patentë shoferi.

Pastaj, ai së bashku me oficerin kanë shkuar në AMLM (Auto-Moto Lidhja e Maqedonisë) për t’u takuar me gruan përgjegjëse për zbatimin e trajnimit të kandidatëve për patentë shoferi.

ilija todev

Me sytë e mi e kam parë kontratën me “LEPEZA” me emrin dhe mbiemrin tim. Atje ishte edhe nënshkrimi im. Kam mbetur pa fjalë. Si është e mundur kjo, kur asnjëherë më parë nuk kam qenë në testim për patentë shoferi. Unë edhe sot e kësaj dite nuk kam patentë shoferi. As nuk i kam shfrytëzuar deri në fund përfitimet që më ofroheshin nëpërmjet programit “LEPEZA”. Disa herë kam qenë në ligjëratat që organizoheshin në kazermën në Shtip. Por, nga ajo asgjë nuk mund të shfrytëzoja në situatën në të cilën jam gjetur”, dëshmon Todevi.

Atmosferën e pakëndshme, siç pretendon ushtari Todev, në zyrën e gruas përgjegjëse në AKLM-në e ka ndërprerë personi ushtarak me një sërë pyetjesh: “A është kjo e vërtetë?” Si është e mundur kjo”?, pas çka ka marrë garanci nga gruaja përgjegjëse e AMLM-së se do të bëhen të gjitha kontrollet e nevojshme, me konstatim se ky duhet të jetë ndonjë gabim.

Pas ngjarjes së pakëndshme në Shkup, Todevi është kthyer në Veles, pa ndonjë shpresë se, ndonjëherë do të mund të realizojë të drejtën e trajnimit për patentë shoferi, sepse si i papunë dhe si pranues i ndihmës sociale prej 2.200 denarësh nuk ishte në gjendje vetë t’i paguante shpenzimet për patentë shoferi.

Edhe para se të më ndodhte kjo, kam dëgjuar çfarëdolloj komentesh për programin “LEPEZA” nga kolegët e mi, por pas kësaj u binda se projekti është vetëm një përrallë e planifikuar mirë, e cila duhet t’i bindë ushtarët se shtetin megjithatë nuk e kanë njerkë, por atdhe i cili kujdeset për ta edhe pas skadimit të kontratave dhe i cili bën çmos që personeli ushtarak të mos mbetet në rrugë. Ideja e projektit është e mirë dhe e nevojshme, por realizimi është i planifikuar shumë keq dhe prandaj vendosa të flisja për rastin tim, sepse nuk e di nëse ky ishte gabimi i dikujt tjetër apo përpjekja e dikujt për punë kriminale. Nëse kjo është një përpjekje për punë kriminale, atëherë unë u bëj thirrje krerëve të Ministrisë së Mbrojtjes për ta rishqyrtuar rastin dhe të ndërmarrin masat e duhura nëse vërtetohet se ka pasur keqpërdorime në programin “LEPEZA“, thotë Todevi.

Ai i bën thirrje Ministrisë së Mbrojtjes për të shqyrtuar punën e programit “LEPEZA”, kryesisht në pjesën e trajnimeve për ushtarë profesionistë, dhe eventualisht nëse dalin në sipërfaqe çfarëdolloj keqpërdorimesh të donacionit norvegjez të ndërmerren masa dhe sanksione përkatëse kundër personave të përfshirë. Kjo thirrje e zëdhënësit të ushtarëve të shkarkuar profesionistë Ilija Todev është shkaktuar, siç thotë ai, për shkak të përvojës së pakëndshme dhe akuzave të pabaza që janë drejtuar kundër tij nga një person përgjegjës në “LEPEZA” se i ka shfrytëzuar përfitimet e këtij programi, se ka nënshkruar një kontratë për trajnim për patentë shoferi, se tallet me personelin e oficerëve, edhe pse siç thotë Todevi, asnjëherë më parë nuk ka vënë nënshkrimin e tij në çfarëdolloj dokumenti në lidhje me programin “LEPEZA”. A i keqpërdor dikush përfitimet e dedikuara për kursistët në “LEPEZA”, kush ka nënshkruar në emrin tim dhe pse unë isha i akuzuar për një vepër të cilën unë nuk e kam bërë”?, pyet Todevi.

Përgjigje për të gjitha pyetjet e hapura për rastin e Todevit kemi kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes, e cila duke u thirrur në njoftimin e AMLM-së e cila ka qenë e detyruar për zbatimin e trajnimit, thotë se Ilija Todevi e ka përfunduar trajnimin, të cilin në fakt nuk e ka filluar fare.

Përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes jua japim në tërësi:

“Ish-ushtari profesionist Ilija Todev ka dërguar kërkesë për përfshirje në programin LEPEZA në muajit shkurt të vitit 2011, kur me të njëjtin është realizuar biseda e parë individuale. Pas seminarit treditor të tranzicionit në Qendrën për tranzicion në Shtip (15.03. – 18.03.2011) Todevi ka parashtruar Kërkesë për realizimin e aftësimit profesional për profesionin civil, për të shkuar në testim për të marrë kategorinë “B”. Pavarësisht këshillave të personave profesionistë për të kthyer në jetën civile dhe personi të zgjedhë një trajnim tjetër i cili do t’i mundësojë një punësim më të shpejtë si civil, Todevi insistonte për trajnimin e zgjedhur për kategorinë “B”, me argumentin se dëshiron të merret në mënyrë profesionale si një shofer taksie.

Në bazë të kërkesës së tij, më 28.04.2011 Ilija Todevi ka nënshkruar Kontratë për aftësim profesional për profesionin civil – Trajnimi për profesionin e autokomunikacionit, për të marrë një patentë shoferi për drejtimin e automjetit të kategorisë “B”.

Me nenin 4 të Kontratës së aftësimit profesional për profesionin civil është rregulluar detyrimi i Ministrisë së Mbrojtjes, që personit për tranzicion (Ilija Todev) t’ia kompensojë shpenzimet e aftësimit profesional, ndërsa me nenin 9 është përcaktuar se personi për tranzicion (Ilija Todev) është i detyruar të kalojë provimin e paraparë me programin për aftësim profesional dhe nëse nuk arrin ta kalojë provimin në përpjekjen e parë, të gjitha shpenzimet shtesë për përpjekjen e dytë dhe për çdo përpjekje tjetër t’i sigurojë vetë. Në lidhje me dispozitën e nenit 9 të Kontratës, Ilija Todevi nuk ka dërguar asnjë njoftim, as kërkesë, e as ankesë në lidhje me realizimin e Kontratës. Në grupin e trajnimit për shoferë ishin përfshirë edhe 22 ushtarë profesionistë, të cilët kanë përfunduar trajnimin me sukses.

Pas përfundimit të trajnimit, më 11.07.2011 kemi marrë një njoftim nga AMLM-ja se Ilija Todevi e ka përfunduar trajnimin.

Marrëdhëniet e tija të punës kanë përfunduar në ditën 29.07.2011 pasi ka mbushur 38 vjet. Nga kjo mund të konstatohet se Ministria e Mbrojtjes ia ka siguruar të gjitha të drejtat që dalin nga Ligji për Shërbimin Ushtarak, e të cilat kanë të bëjnë me përgatitjet për kthim në jetën civile. Në përputhje me ndryshimet e Ligjit për Shërbimin Ushtarak nga data 06.02.2014, Ilija Todevi ka nënshkruar Kontratën për punësim në Ministrinë e Mbrojtjes”.

Pasi Inbox 7 filloi të hetojë rastin e Todevit dhe pasi kërkuam përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes, përkundër pretendimit të personave përgjegjës se Todevi ka përfunduar trajnimin, u paraqit auto-shkolla e Velesit “Tilla”, në të cilën është dashur të zbatohej trajnimi për patentë shoferi.

Pronari i auto-shkollës së Velesit, Ilija Kapçev thotë se në një shkresë nga AMLM-ja me numrin 03 -12 nga data 9 janar 2015 (katër vjet pasi Todevi, sipas pretendimit të MM-së e ka përfunduar trajnimin) është kërkuar prej tij për të thënë se deri ku është realizimi i trajnimit të ushtarit Todev, një gjë të cilën e ka befasuar shumë. Në shkresën (Kërkesa e informacionit për trajnimin e kandidatit), të dërguar më 3 janar 2015, siç pretendon Kapçevi, thuhet se nga AMLM-ja, përkatësisht nga Ministria e Mbrojtjes dhe Mbretëria e Norvegjisë në nëntor të vitit 2012 janë paguar mjete për trajnimin e ushtarit për kategorinë – B dhe për këtë arsye kërkojnë informacion nëse Todevi ka përfunduar trajnimin. Kapçevi e pretendon të kundërtën – “se është paguar vetëm një shumë fillestare simbolike prej 14.000 denarë”.

Shkresën e Kapçevit deri në AMLM-në jua japim në tërësi:

“Së pari më befason fakti se ju keni nënshkruar njëfarë kontrate me Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë, për të cilën unë aspak nuk jam i njoftuar, dhe mendoj se nuk ka nevojë sepse as unë me ju, po ashtu nuk kam lidhur asnjëfarë kontrate, e as nuk e di se në çfarë baze Ju si AMLM, MM e RM-së dhe MM e Mbretërisë së Norvegjisë i keni paguar një pjesë të trajnimit për patentë shoferi z-riut Ilija Todev. Në gjithë këtë relacion të supozuar për të cilin mendoni se ka ardhur deri në disa rezultate definitive, përveç bisedës Suaj telefonike dhe pagesës fillestare simbolike prej 14.000 denarë, nuk ka ndodhur asgjë tjetër.

Z-ri Ilija Todev nuk ka marrë patentë shoferi për shkak se Ju nuk e keni paguar shumën e plotë dhe në të vërtetë më habit shkresa Juaj me të cilën kërkoni të Ju njoftoj se zotëriu në fjalë ka përfunduar të gjitha veprimet e nevojshme për të marrë një patentë shoferi. Edhe njëherë ritheksoj se zotëriu Ilija Todev nuk ka marrë një patentë shoferi për kategorinë B sepse keni ndërprerë me pagesën e mjeteve të nevojshme me qëllim që i njëjti trajnim të kryhet deri në fund.

Sipas Sindikatës së Pavarur të ushtarëve të shkarkuar profesionistë, rastet e Todevit dhe të Karadakovskit nuk janë të vetmet dhe prandaj paralajmërojnë se të dëmtuarit nëpërmjet padive dhe në gjykatë do të kërkojnë të përmirësohet padrejtësia.

Në hulumtimin tonë, përgjigjet për të dy rastet kemi kërkuar edhe nga donatori – Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Beograd për Inbox 7 paralajmëroi se pasi do të bëjnë një kontroll në dokumentacionin më të vjetër, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një rast që është prej nga disa vite, do të na dërgojnë përgjigjet e nevojshme.

(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”)

Lajme të ngjashme

Back to top button