Të gjithë kundër Gruevskit

Korrupsioni, pushteti gjakatar, tiparet diktatoriale, mizoria, nacionalizmi antishqiptar, tmerri “Shkupi 2014”, varfëria, diskriminimi mbi baza etnike dhe fetare, janë fakte që flasin se ky sistem aktual me kryeministër Nikola Gruevskin po e degradon Maqedoninë.
 
Duke qenë se e keqja është e pranishme tek Gruevski përmes faktesh të provuara, atëherë forcat që duhet ti kundërvihen regjimit të tij duhet të jenë të shumta, madje pa dallime etnike, fetare apo racore.
Përgjimet e nxjerra në dritë nga Zoran Zaev kanë dëshmuar fytyrën e vërtetë të Gruevskit, një person, i cili ka ngritur një sistem që nuk e ka për gjë të vrasë, dhe që sipas përgjimeve, nëse prokuroria do të funksiononte siç duhej, kryeministri do të duhej të dënohej me së paku 40 vite burg.

Kjo, pasi siç shkruante gazeta “Fokus”, në përgjime del se Gruevski ka kryer vepra të ndryshme penale.

Protesta e opozitës, LSDM-së, me ç’ka u përcoll në media nga Shkupi, ndër të tjera përcillte mesazhin e rrallë se ky regjim “i vret” të gjithë në jetën e përditshme, qofshin maqedonas, shqiptarë, pakicë turke, serbe apo rome.

Nga ana tjetër, bashkimi i partive kryesore politike shqiptare, BDI-së dhe PDSH-së, do të ishte gjëja e duhur, nëse ky bashkim do të ishte realisht kundër Gruevskit dhe nëse këta dy parti do të ishin në gjendje të kryenin një reformim radikal brenda-partiak, sa të jenë krejtësisht të pastra.
 
Mirëpo, duke u nisur nga ajo ç’ka kanë dëshmuar përgjimet, vështirë se dy partitë janë të pastra dhe vështirë të besohet se bashkimi i BDI-së me PDSH-në sjell për rrjedhojë bashkim për idealin kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni.

Ajo ç’ka është me rëndësi sot, është se të jesh kundër politikave të Gruevskit, do të thotë të jesh në anën e drejtë, kundër krimit, korrupsionit, nepotizmit, nacionalizmit antishqiptar.

Të jesh kundër Gruevskit do të thotë të jesh në anën e parimeve njerëzore, të atyre parimeve që kërkojnë triumfin e vlerave demokratike.

Të jesh kundër Gruevskit do të thotë të jesh kundër pasurimit të një pjese të vogël të shoqërisë, të lidhur ngushtë me interesa politike dhe ekonomike që sigurohen nga pushteti.

Të jesh kundër Gruevskit, do të thotë të jesh kundër bllokimit të Maqedonisë në NATO dhe në BE dhe kundër orientimit për nga politikat pro-ruse, të cilat vihen re jo pak tek qeverisja e kryeministrit maqedonas.

Andaj, duhet sot të jemi kundër Gruevskit, kundër sistemit shtypjes të ngritur nga ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button