ANALIZË: Folën biznesmenët – kriza do të shkatërrojë biznesin!

Pas heshtjes disa mujore, biznesmenët e disa odave ekonomike dolën me qëndrim të përbashkët. Kriza politike dhe e sigurisë do të jetë shkatërruese për ekonominë, veçanërisht për bizneset e vogla dhe të mesme, të cilët e përbëjnë pjesën më të madhe të ekonomisë. Afaristët e kyçën alarmin pasi guvernatori i Bankës Popullore paralajmëroi se mund të ketë shtrëngim të politikës monetare, veprim që do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në zvogëlimin e aktivitetit kreditor, i cili është vendimtar për mbijetesën dhe zhvillimin e kompanive. “Portalb”-i nëpërmjet anketës së afaristëve, gazetarëve dhe të analistëve, i sublimon pasojat e masës së këtillë, mirëpo edhe zgjidhjet e mundshme për dalje nga kriza.

Ekonomia e kërcënuar nga falimentimi… 

Ekonomia do të kolabojë, paralajmërimet optimiste për rritje ekonomike dhe zhvillim të investimeve do të mbeten vetëm projektime në letër, vlerëson komuniteti afarist. Këto ditë deri te qeveria do të dorëzojë një listë me masa me të cilat do të kërkojnë ndihmë për zbutjen e pasojave të krizës. Sipas informatave të “Portalb”-it, njëri nga propozimet do të jetë në lidhje me politikën fiskale të qeverisë, gjegjësisht do të kërkohet ndërprerja e harxhimeve për qëllime joproduktive.

Sipas biznesmenit Goran Rafajllovski, ditët e këqija për ekonominë do të vijnë së shpejti.

“Paralajmërimi i Bankës Popullore për shtrëngimin e politikës monetare për biznesin nënkupton shtrenjtim të parave të freskëta, gjegjësisht të mjeteve jo vetëm për punë të rregullt, por edhe për investime. Në këtë moment, afaristët jo vetëm që nuk janë të gatshëm të investojnë, por ata mbijetojnë dhe masat e BPRM-së praktikisht do të nënkuptojnë fund për ekonominë dhe do të jenë katastrofale për aktivitetin ekonomik të sektorit privat. Kjo është kohë e mbijetesës, me mundësi të zvogëluara për qasje deri te paratë e freskëta. Të parat që do të goditen do të jenë firmat e vogla dhe të mesme, të cilat mendoj se nuk do të arrijnë ta mbijetojnë këtë goditje dhe do të duhet t’ia vëndojnë drynin firmave të tyre. Sipas meje, nevojiten masa gjithëpërfshirëse dhe ndryshim i plotë i prioriteteve për financim, e jo siç është tani, bllokadë e madhe për qasje deri te paratë. Duke pasur parasysh se të dhënat fillestare tregojnë se në kuartalin e parë ka rënie të TVSH-së, i cili është tatim kryesor për mbushjen e arkës buxhetore, qeveria duhet të vendosë se a do të bëjë shkurtim të shpenzimeve joproduktive. Unë gjithmonë kam konsideruar se projektet e këtilla nuk sjellin asgjë të mirë për ekonominë”, thotë afaristi Goran Rafajllovski.

Nëse nuk ka kredi, nuk do të ketë as aktivitet ekonomik, thotë Mitko Aleksov nga Lidhja e odave ekonomike.

“Pa përkrahje financiare nga sektori bankar, ekonomia vështirë mund të funksionojë. Rritja e kamatave, që do të jetë pasojë e shtrëngimit të politikës monetare, është sinjal i keq dhe trend negativ. Nëse ndodh diçka e tillë, gjegjësisht nëse realizohen paralajmërimet e BPRM-së, pres që kjo të mos jetë aq drastike ose të jetë në korniza të një mase të durueshme, sepse pa përkrahje kreditore, ekonomia vështirë do të mund të funksionojë dhe e gjithë kjo, do të thoja do të reflektohet negativisht mbi ekonominë e përgjithshme, mbi kompanitë. Gjendja është delikate dhe apeloj që ajo të zgjidhet sa më shpejtë për shkak se është evidente se shpenzimet personale zvogëlohen, që do të ndikojë mbi prodhimtarinë e përgjithshme”, thotë Mitko Aleksov, nga Lidhja e Odave ekonomike.

Falimentimi i një pjese të firmave do të jetë i pashmangshëm në qoftë se vazhdon paqartësia për shkak të krizës politike, thotë biznesmeni Menderes Kuçi.

“Gjendja e rëndë politike në vend ka ndikim negativ edhe mbi ekonominë, edhe atë në pjesën e investimeve, si te investitorët e vendit ashtu edhe ata të huaj, mbi turizmin dhe zvogëlimin e mundshëm të numrit të turistëve që qëndrojnë në vend ose që kanë paralajmëruar se do të vijnë. Për arsye sigurie rrezikojmë që të mos na vijnë edhe kurbetçarët tanë të cilët janë një stimul i konsiderueshëm për shpenzimin në Maqedoni. Poashtu, këtu është edhe rreziku nga zvogëlimi i depoziteve të tyre, të cilat në masë të madhe kontribuojnë për stabilitetin makroekonomik dhe sigurojnë stabilitet të një pjese të rezervave. Nëse kjo gjendje vazhdon dhe nëse Banka Popullore i realizon paralajmërimet për shtrëngimin e politikës monetare, kjo do të nënkuptojë falimentim”, thotë biznesmeni Menderes Kuçi, nga Oda Ekonomomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Kriza aktuale politike, e cila fitoi edhe karakter të sigurisë paraqet goditje për gjithë ekonominë, ndërsa pasojat pastaj vështirë do të sanohen, thotë gazetari Mlladen Çadikovski.

“Maqedonia definitivisht hyn në një katarzë të rëndë dhe të dhimbshme ekonomike, madje edhe pa marrë parasysh se si do të përfundojë kriza aktuale politike. Duke e pasur parasysh shpenzimin e madh të mjeteve buxhetore gjatë disa muajve të fundit, me rrogat, pensionet, subvencionet e rritura, të cilat u rritën jo në baza të mirëfillta të tregut, por thjesht për arsye populiste, buxheti do të jetë nën presion të fuqishëm. Vendi gjendet para një periudhe jashtëzakonisht të rëndë, me ç’rast huatë e marra nuk do të mund t’i servisojnë as premtimet e as shpenzimet e rregullta. Konsideroj se qeveria nuk do të mund t’i bëjë ballë tempos së harxhimeve që e filloi, për shkak se në aspekt ekonomik, as Maqedonia nuk është Turqi, e as Gruevski, Erdogan. Në kushte të tilla, pres zgjidhje më të shpejtë të krizës politike, për shkak se çdo zgjatje e saj do të jetë një hap më afër ambisit. Nëse realizohen pritjet për formimin e qeverisë kalimtare, është e qartë se ajo gjatë mandatit të saj nuk do të mund të marrë vendime të mëdha ekonomike, por do të ketë detyrë sizifi që në afat prej disa muajsh të ruajë një ambient normal ekonomik. Do të jetë jashtëzakonisht vështirë, edhe për qytetarët edhe për biznesin, mirëpo normalizimi duhet të fillojë prej diku.”

Marrë në përgjithësi, kreditë më të shtrenjta nënkuptojnë aktivitet të ngadalësuar ekonomik të firmave, të cilat në vend se për investime dhe për punësime të reja, do të orientohen për mbijetesë, zvogëlim të harxhimeve, e madje mund të ketë edhe largime nga puna. Para do kohësh, Asociacioni për analiza ekonomike vlerësoi se projektimi për rritje ekonomike prej 4,1% për këtë vit do të jetë i parealizueshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button