fbpx

Të bëmat e udhëheqësve të shtetit pa taksa

Presidenti i Turkmenistanit, Gurbanguly Berdymukhamedov është vënë në një garë me paraardhësin e vet se kush lartëson më shumë “kultin e udhëheqësit”.

Berdymukhamedov, i njohur në vend edhe si Arkadag, që shqip përkthehet padroni, përuroi një statujë të lartë 20 metra e të larë në ar 24 karatësh në kryeqytetin Ashgabat.

Arkadag udhëheq vendin që prej vitit 2006 dhe është i njohur, jo më shumë për regjimin autoritar që drejton, sesa për bëmat e tij në lartësimin e emrit të vet.

Ai mori pushtetin nga Saparmurat Niyazov, i cili kishte izoluar më parë vendin duke ndaluar mediat e lira, madje duke nxjerrë një sërë dekretesh që ndryshuan emërtimin e ditëve dhe të muajve me emra të rinj të frymëzuar prej tij dhe familjes së tij.

Por pavarësisht se portreti dhe parrullat në nder të tij janë të gdhendura në kodra e fusha të vendit të pasur me gaz, presidenti i Turkmenistanit zotohet se qëllimi i tij është “t’i shërbejë popullit dhe atdheut”.

“Për këtë do të dëgjoj çdo mendim të njerëzve dhe do të bëj atë që ata dëshirojnë”- do të deklaronte ai një vit më parë, kur një grup studentësh propozuan ngritjen e një monumenti në nder të tij.

U tha, u bë! Monumenti u përurua së fundmi dhe në të presidenti shfaqet i hipur mbi një kalë të vendosur mbi një shkëmb mermeri gjigant.

Duket e tepërt, por nuk është aspak krahasuar me monumentin e paraardhësit të tij, Niyazov. Ai u bë i famshëm për portretizimin e vetes në një monument gjigant, që rrotullohej gjithmonë nga Dielli. Monumenti ishte i vendosur në qendër të kryeqytetit, por me ardhjen në pushtet të Berdymukhamedov u zhvendos në periferi të tij.

Për të kuptuar çmendurinë e Niyazov, mjafton të thuhet se gjatë regjimit të tij u ndalua teatri dhe operat, në shkolla u vendos me detyrim mësimi i një libri të shkruar prej tij, ndërsa çdo vit ministrat e tij merrnin pjesë në “Maratonën e Shëndetit”, ku garonin për disa kilometra, ndërsa Niyazov i ndiqte nga lart me helikopter.

Turkmenistani shtrihet në Azinë Qendrore dhe ka një popullsi rreth 5.2 milion banorë të shtrirë në më shumë se 491 mijë km/katrorë, kryesisht shkretwtirw. Vendi renditet i katërti në shkallë globale sa i përket rezervave të gazit dhe kjo pasuri përbën pjesën dërrmuese të eksporteve.

Aktiviteti ekonomik kontrollohet rreptësisht prej shtetit, i cili u siguron qytetarëve edhe furnizmin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm falas, përmes një programi të parashikuar të zgjasë deri në vitin 2030./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button