Vokrri e Karaxhiq “miqë” të vjetër

Fadil Vokrri e Tomislav Karaxhiq njihen shumë moti, përkatësisht prej kohës kur ish futbollisti i famshëm kosovar një pjesë të karrierës e pati kaluar në Partizan të Beogradit dhe në përfaqësuesen e ish-Jugosllavisë. Por, rrethanat politike në rajon, posaçërisht ato rreth çështjes së Kosovës, kanë ndikuar që Vokrri e Karaxhiq mos të takohen me vite të tëra.

Por, pas një kohe shumë të gjatë, këto dy figura të njohura në Ballkan, ia zgjatën dorën njëri-tjetrit në një takim që i ftoi Sepp Blatter në selinë e FIFA-s në Zurich. Por, kësaj radhe takimi nuk i gjeti të veshur me rroba sportive Vokrrin e Karaxhiqin, por me kravata, si kryetarë të dy federatave të dy shteteve të ndryshme. Në këtë takim Vokrri ishte i prezantuar si kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), sikurse Tomislav Karaxhiq, kryetari i Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS), shkruan Arena.

Ky i fundit, më moti kishte thënë se nuk do të ulet në një tavolinë me përfaqësues të FFK-së, të cilën thoshte se nuk e njeh si legjitime. Kjo kishte bërë që takimi mes Vokrrit e Karaxhiqit, i ndërmjetësuar nga Blatteri, të pritej me kureshtje të madhe në opinionin kosovar dhe atë serb.

Lajme të ngjashme

Back to top button