Partitë fshehin kandidatët presidencial, ja emrat e mundshëm

Katër muaj deri në zgjedhjet presidenciale, partitë e mëdha fshehin adutët e tyre në këtë garë zgjedhore. Ende asnjëra prej 4 partive kryesore politike nuk ka bërë të ditur kandidatin e saj presidencial, madje disa prej partive as që kanë menduar për këtë gjë. Nga VMRO DPMNE-ja thonë se në partinë e tyre po vijojnë llogaritë dhe vlerësimi i kandidatëve të mundshëm, por pranojnë se janë larg zgjidhjes. Ndër emrat e përfolur nga kjo parti janë Sërgjan Kerim dhe zëvendës kryeministri aktual Zoran Stavrevski. Pak gjasa për mandat të dytë për Gjorge Ivanov. Befasia nga kjo parti mund të jetë kandidimi i Nikolla Gruevskit për president, tezë e përfolur “me belbëzim” nga disa prej mediave në vend.

Sipas LSDM-së është shumë herët të mendohet për emrin e kandidatit. Ata, sipas zëdhënësit të partisë Petre Shilegov, kanë prioritete shumë më të rëndësishme.

“Është tepër herët për çfarëdo lloj diskutimi. Ka gjëra më prioritare që duhet të rregullohen, e në fund të zgjidhet kandidati për president të shtetit”, tha Shilegov.

Kandidati më i mundshëm i opozitës maqedonase në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014 është ish guvernatori Petar Goshev. Në disa media opozitare qarkullon edhe emri i profesorit Stevo Pendarovskit, edhe pse qarqe brenda LSDM-së e japin pothuajse të sigurtë emrin e liberal demokratit Petar Goshev.

Edhe partitë shqiptare me prioritete të tjera para zgjedhjeve presidenciale. Në BDI e gjithë vëmendja dhe energjia është fokusuar në kongresin e tretë zgjedhor dhe zgjedhjet e brendshme nëpër degë. Zëdhënësi Bujar Osmani thotë se kandidati vjen vetëm pas kongresit.

“Njëherë e presim kongresin, e pastaj do të bisedojmë për këtë çështje. Deri tani kryesia nuk ka shqyrtuar çështjen e kandidatit për president, sigurisht se kryetari po bën analizat e tij permanente, por nuk ka pasur ndonjë mbledhje të posaçme ku është diskuuar për këtë çështje. Tani do të përfundojnë zgjedhjet e brendshme në parti e pastaj do të flasim për këtë”, tha Bujar Osmani.

Integristët nuk flasin për emra, por dihet se në masë të madhe vendimi do të jetë dekret nga kryetari i partisë Ali Ahmeti.

Heshtje lidhur me këtë temë edhe në PDSH, të cilët thonë se pak energji do të harxhojnë në zgjedhjet presidenciale, për shkak të pamundësisë për të fituar kandidat shqiptarë.

Më e rëndësishme nga emrat e kandidatëve, do të jetë strategjia e partive shqiptare në këto zgjedhje, të cilat do ta kenë fjalën përfundimtare në zgjedhjen e kreut të shtetit. PDSH-ja herën e kaluar bojkotoi rrethin e dytë zgjedhor duke bërë thirrje të mos votohet për asnjërin prej kandidatëve maqedonas. BDI-ja nga ana tjetër, mund që të përdorë këto zgjedhje për të përfituar ndonjë kompromis politik në pazarin me partnerin e koalicionit.

Kandidati i vetëm i konfirmuar për zgjedhjet presidenciale është Stojanço Angellov nga partia maqedonase “Dinjiteti”. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button