Shqipëri, ja si u grabit me armë kazinoja në 25 sekonda (Video)

Televizioni A1Report sjell videon ekskluzive të grabitjes me armë që ndodhi pasditen e së dielës pranë Shkollës së Bashkuar në rrugën e Dibrës në kryeqytet.

Një i ri rreth 22 vjeç me bluzë gri e kapuç në kokë shfaqet teksa mjaft qetësisht në mes të ditës hyn i armatosur brenda ambienteve të kazinosë.

Menjëherë i riu i drejton armën një klienti që ndodhej pranë kompjuterit të lojërave të fatit. Por nuk është mjaftuar vetëm me kaq. Për të trembur të pranishmit dhe për t’i kërcënuar nëse do të reagonin, autori ka qëlluar me armë në pajisjet e lojërave të fatit. Në video duket edhe shkëndija e të shtënës me armë.

Nën presionin e armës grabitësi mundi të marrë xhiron ditore të kësaj kazinoje në vetëm 25 sekonda.

Në pamjet ekskluzive të siguruara nga A1 Report shfaqet edhe momenti i filmuar nga kamerat e sigurisë jashtë kazinosë, ku autori shkëmbehet edhe me persona të tjerë të rastësishëm të cilët ecin në trotuar, dhe që nga qetësia e lirshmëria e veprimeve të autorit, nuk e kanë kuptuar qëllimin e tij. Edhe në dalje, pasi ka përmbushur misionin e tij dhe ka marrë paratë (shuma e të cilave ende nuk bëhet e ditur) grabitësi shkëmbehet me një klient që hyn në kazino, ndërsa vetë nxiton të largohet në këmbë.
kazinoja

Gjatë kohës që kryhej grabitja, në pamjet jashtë kazinosë shihet teksa dalin klientë të cilët largohen pa panik./Shqiptarja/

Lajme të ngjashme

Back to top button