Taksirati i qytetarit me shtetin e vet

Një prej gjërave që nuk duhet kaluar pa vërejtur nga deklaratat e shumta ndërkombëtare për dhe rreth Maqedonisë është edhe fakti se shpeshtohen shprehjet, herë diplomatike e herë më direkte, e të cilat janë të drejtuara qytetarëve të vendit. As shtetit dhe institucioneve, as partive dhe shoqatave, por shprehje me të cilat palë dashamirëse u drejtohen direkt qytetarëve të këtij shteti.

Ky fakt përveç se flet për një mospërfaqësim të thellë të qytetarëve të këtij vendi flet edhe për gjendjen faktike se qytetari tani ndodhet përballë krejt partive, institucioneve dhe shtetit; vet dhe i vetmuar. Ashtu qytetari i rëndomtë i këtij vendi të vogël këto ditë dëgjon fjalë të mëdha nga anë të ndryshme e që kanë të bëjnë me fatin e vet dhe të vendit të vet, por se për çdo ditë e më pak ka mjete me të cilat mund të ndikon në përmirësimin e fatit të vet dhe vendit.

Sigurisht që kjo gjendje e ngratë nuk duhet të jetë shkak për dorëzim se asgjë nuk mund të ndodhë në drejtim të përmirësimit të situatës, bile mund të shihet edhe si hapje e mundësive të shumta për artikulime më direkt dhe pjesëmarrje vetanake të qytetarëve në përmirësimin e situatës, qoftë me protesta apo edhe me mënyra tjera të artikulimit politik.

Mendoj se dy janë gjërat që në këtë drejtim mund të bëhen nga qytetarët, sigurisht edhe me përkrahjen e dashamirëve të vendit dhe të tyre, para se gjithash nga BE, të cilët i kanë borxh Maqedonisë shkaku i krejt asaj që kemi bërë vite me radhë në rrugëtimin tonë në proceset euro-integruese.

E para që konteksti politik të mbetet kontekst qytetar pasi që kjo krizë është dhe vazhdon të jetë çështje e uzurpimit të shtetit nga sovrani; qytetarët e saj. E assesi kontekst etnik, regjional apo edhe kontinental. Ashtu BE dhe NATO të cilat do kishin ndihmuar në rast të okupimit të jashtëm duhet të na ndihmojnë edhe në këtë rast të okupimit të brendshëm të shtetit dhe institucioneve nga ana e partive, kushërinjve dhe banditëve të ndryshëm.

Kurse pika e dytë është paksa më afatgjate dhe konsiston në atë që qytetarët të gjejnë mënyrat dhe mjetet të ndikojnë në zgjidhjen e kësaj krize duke venduar edhe tema të tyre qytetare. Ashtu që të parandalojnë që edhe kjo zgjidhje e kësaj krize të jetë vetëm zgjidhje e lehtë për kapërcim të mëtejmë të situatës nga ana e uzurpatorëve të institucioneve; partive. Kjo duke venduar për negocim, më së paku; listat e hapura për deputetet dhe ridefinimin e njësive zgjedhore në mënyrë që qytetarët gjithmonë të jenë më të përfaqësuar politikisht e që të mos u përsëritet ky i njëjti taksirat edhe tjetër herë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button