Mjegulla dhe ajri i ndotur, godet direkt shitësit në rrugë!

Derisa shumica kanë nisur të përgatiten për festat e Vitit e Ri, të tjerët kanë nisur të shkojnë edhe jashtë vendit, shumë prej qytetarëve të vendit ngrinë duke shitur ilegalisht në rrugët e kryeqytetit.

Në mjegull a shi, borë a diell, këto janë vetëm disa nga shitësit, nikoqir të familjeve disa anëtarësh, të cilët për shkak të kushteve të rënda ekonomike, janë të obliguar të qëndrojnë tërë ditën në rrugë për nxjerr kafshatën e bukës.

‘Për ne dhe shëndetin tonë nuk mendon askush. Mjegulla dhe ajri i ndotur drejt për drejtë na kanë hyrë në mushkëri, lodhje, ftohje, dhembje koke…Por s’kemi çfarë të bëjmë fëmijët duan bukë, shteti mendon për vete dhe për skulptura jo për qytetarët e varfër’ tha N.S, shitës.

‘Si nuk është vështirë, por kur ke zor do të rrish, jemi mësuar në borë, në minus 10 gradë, në plus 50 gradë… Tash mjegull, ajri i ndotur, rrimë tërë ditën dhe ndonjëherë kemi fitim vetëm 100 denarë’ tha një shitës tjetër.

‘Kam familje dhe fëmijë të cilët kërkojnë ushqim. Kur janë zgjedhjet nga ne kërkojnë vota, pasi kalojnë zgjedhjet na largojnë me dhunë prej këtu, pasi s’kemi leje për shitje…’ tha Sabedin F.

Ditë më parë Enti i Statistikës publikoi të dhënat zyrtare për numrin e papunësisë në vend. Sipas Entit Shtetërorë për Statistikë, shkalla e papunësisë në vend gjatë vitit 2013, ka arritur në 28.7 për qind. 

Sipas të dhënave të Entit për Statistikë, numri i papunësisë në Maqedoni ka arritur shifrën prej 273 860 veta./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button