Skënderbeu nis pushimet dhe ëndërron Europën

Festa e titullit të 5-të kampion radhazi te Skënderbeu tashmë është lënë pas me futbollistët dhe stafin teknik që kanë nisur pushimet. Por edhe ditët e relaksit në kampin korçar do të jenë të pakta pasi Skënderbeu këtë verë ka një objektiv akoma më madhor se titulli kampion, pikërisht kualifikimin në fazën e grupeve të një prej dy kompeticioneve më të rëndësishëm në Europë, Champions League ose Europa League. Për tu realizuar diçka e tillë që do të bënte të lumtur të gjithë shqiptarët nuk do të jetë aspak e lehtë por Skënderbeu gjatë këtyre 5 viteve ka ditur të na surprizojë.

Në datën 10 Qershor do të përfundojnë edhe pushimet e Skënderbeut me skuadrën bardhekuqe që do të grubullohet fillimisht në kompleksin Tropikal për të udhëtuar në 13 Qershor drejt Austrisë ku ashtu si në dy sezonet parardhëse korçarët do të zhvillojnë fazën përgatitore përpara përfaqësimit në Champions League. Në tokën austrike kampionët e Shqipërisë do të zhvillojnë disa takime miqësore me kundërshtarë të njohur në arenën europiane për tu përgatitur sa më mirë për debutimin në Champions.

Tashmë është thuajse e sigurt që të besuarit e Mirel Josës do të jenë pjesë e skuadrave të forta në turin e dytë paraeliminator, sidomos pas fitores së fundit të Sarajevos në kampionatin boshnjak. Dy janë rivalët që e kërcënojnë Skënderbeun në short dhe ato janë Steaua e Bukureshtit në Rumani dhe Zeljeznicar në Bosnje skuadra këto që kanë një koeficent më të lartë në klasifikimin e Uefas se ekipi korçar. Gjithsesi kampionëve të Shqipërisë u mjafton që njëra prej tyre të mos e fitojë kampionatin e saj respektiv në mënyrë që jenë pjesë e vazos së parë.

Nëse në Rumani Steaua ka ende shanse të mira për të fituar titullin duke lënë pas modestët e Targu Mures në Bosnje Sarajevo kryeson me një pik avantazh ndaj Zeljeznicarit, 1 javë përpara fundit dhe ndeshjen ku me siguri do të zyrtarizojë titullin por edhe praninë e Skënderbeut në vazon e ekipeve të forta në turin e dytë paraeliminator të Championsit, Sarajevo e ka në shtëpi ndaj një ekipi të mes tabelës që nuk lufton për asgjë. Nëse bën pjesë në vazon e skuadrave të forta Skënderbeu mund të ketë një short më të lehtë dhe kësisoj më shumë shanse për të avancuar në ruandin e tretë paraelimintor të Championsit, që do ti siguronte automatikisht play-offin e Europa Leagues, korçarëve./SS/

Lajme të ngjashme

Back to top button