Stema shqiptare në koleksionin e stemave që gjendet në muzeun e artit të aplikuar të Beogradit

Lexo pjesën paraprake: Stema shqiptare në koleksionin e stemave të Althanit e vitit 1614 që ruhet në Bolonjë
Në muzeun e artit figurativ në Beograd gjendet një koleksion stemash deri tani i panjohur. Për këtë koleksion opinioni shkencor u informua hollësisht me anë të artikullit të Zagorka Jancit : Nepoznati grbovnik porodice Ohmucevica, që u botua në Zbornik Muzeja primenjene umetnosti nr. 8, Beograd 1962, prej nga edhe ne i shfrytëzuam të gjitha të dhënat për këtë koleksion stemash, për shkak se literaturë tjetër nuk ekziston. Zagorka Janc ma dha me dëshirë këtë koleksion që ta shfrytëzoj.

Koleksioni në vitin 1936 ka qenë në shitoren e antikiteteve të Vjenës Giehofer und Rauchburg. Konsuli i atëhershëm jugosllav në Grac e ka blerë dhe prej vitit 1936 deri më 1963 e ka pas ruajtur me familjen e tij. Prej kësaj familjeje, në vitin 1963 e ka blerë Muzeu i artit të aplikuar, ku gjendet edhe tani dhe është shënuar në inventar bri numrit 4242.

Ky koleksion përmendet për herë të parë në katalogun e vitit 1936 të shitores së përmendur në Vjenë. Një pjesë e prerë nga ky katalog është ngjitur në anën e brendshme të kapakut të sipërm ku shkruan : “389 Jugoslawien – Wappenbuch. Insignia Illyrici et Familiarum Illyricarum suis coloribus distincta. Prachtvoll in Gold u Farben demate Wappen-Handschrift auf papier, ca 1620. Fol. 158 B. 11. mit je enier Darstellung. Die arsten 4 bll. enthaltend die Partone Illyriens und Bosniens in ganzer Figur: Bll. 5 das grosse Wappen zimperatoris Stephani Nemanich”, Bllat 6—15 die Wappen der einzelnen Staaten: Macedoniae, Bulgariae, Surbiae (sic), Rasciae, Primodiae e Rumaniae: dann das grrose Staatswappen “Regis Stephani Urosa Nemanich insignia” und nun folgen 142 ebenfalls prachtvoll in Gold und Farten demalte Wappen des südslavischen Adels, Unter jedem Wappen ein Spruch-band mit dem Namen des, Geschlechtes. Hpgtbd. d. Zeir. Prachtvoll erhaltenes und tadellos asgefürtes Wappenbuch. Besonders wichtig, da es die sonst sehr selten vorkommenden Wappen der südslavischen Geschleh ter verzeichnet. U. a.:Cotromanovich, Nemagnich, Mergnavicich, Twartchovich, Grebeljanovich, Ohmuchievich, Gargurich, Covachich, Gradoanovich, etc.”.

Autori A. E. Bërliq, duke parashtruar të dhënat për katalogun e Vjenës theksoi se kjo stemë afërsisht e vitit 1620 ka rëndësi të posaçme për historinë tonë kulturave.[1] Solovjevi, vetëm e përmend këtë.[2] L. Qurçiq konsideron se ky koleksion është identik me koleksionin e grofit Ladislav Fastetiqit që gjendet në bibliotekën e Matica sërpskës së Novi Sadit. [3]. Por, si vërteton Zagorka Janc, edhe ky krahasim nuk është i saktë.

Ky koleksion ka format të madh 35 X 24 cm. Ka 158 fletë të numëruara dhe 3 të pa numëruara. Paginimi është bërë me shifra arabike. Është i lidhur me karton të fortë me kënde prej pergamenti. Me germa të praruara i është shkruar titulli: “Illyria Herald”, që sigurisht nuk është i një kohe me dorëshkrim. Në fletën e parë të zbrazët përsëri gjendet titulli: “Insignis illyrici et Familiarum suis coloribus distincta”. Koleksioni ka qenë vizatuar e shkruar në letër të shënuar me vulë të atillë uji me të cilën është shënuar letra e prodhuar në Pragë ose Grac prej vitit 1574 deri në vitin 1603. Prandaj, Z. Janci pyet pse shitorja e antikiteteve “Giehofer und Rauchburg” e ka shënuar këtë dorëshkrim në katalogun e vet të vitit 1620.

Në fletën 6 është stema e Maqedonisë, në fletën 7 e Ilirisë, në fletën 8 e Bosnjës, në fletën 9 e Dalmacisë, në fletën 10 e Kroacisë, në fletën 11 e Sllovenisë, në fletën 12 e Bullgarisë, në fletën 13 e Serbisë e në fletën 14 stema e Rasciae. Pastaj radhiten stemat e familjeve feudale deri në fletën 158 me gjithsejt 141 stema familjare. Krejt koleksioni i stemave është punuar me ngjyra me përdorimin e madh të artit të cilësisë shumë të mirë. Nga pikëpamja artistike ky është një prej koleksioneve më të bukur që kam parë. Nën stema në shirit emrat janë shkruar me alfabetin latin e gotik. Sipas tipit të shkronjave, Zagorka Janc mendon se tekstin e kanë shkruar katër vetë. Shiritat në këtë koleksion janë nën stema përkundër disa koleksioneve ku gjenden mbi stema. Në qoftë se bëhet një krahasim, ky koleksion i ngjet më së tepërmi atij të Althanit nga Bolonja dhe janë aq të ngjashëm, saqë janë punuar në mënyrë të njëjtë, rrjedhin prej shkollës së njëjtë pikturale.

Mbetet e hapur çështja se për kë është punuar koleksioni dhe kush e ka punuar? Është e sigurt se e ka punuar ndonjë mjeshtër i mirë—piktor, e sigurisht është punuar për ndonjë person të njohur dhe të pasur për shkak se është punuar me sasi të madhe ari të cilësisë më të mirë. Në qoftë se supozojmë se ky koleksion është punuar për Andrean, fisin e Petar Ohmuçeviqit, i cili prej oborrit perandorak në Vjenë ka kërkuar t’i njihen të drejtat fisnore dhe posedimet në Bosnjë dhe Maqedoni, atëherë kjo do të na shpjerë në vitin 1640, për shkak se Don Andrea në atë kohë lufton për njohjen e të drejtave të tij. Edhe pse shitorja e antikiteteve “Giehofer und Rauchburg” konsideron se ky koleksion është i vitit 1620, Zagorka Janc, që e ka studiuar më së miri, konsideron se data duhet të korrigjohet, për shkak se koleksioni është shkruar në letër të prodhuar në periodën midis viteve 1574 e 1603.

Në bazë të asaj që parashtruam, Zagorka Janc konsideron se ky koleksion është punuar më së voni deri në vitin 1615 për ndonjërin nga dega më e re e fisit Ohmuçeviq që ka pas kërkuar të drejta trashëgimi. Dorëshkrimi nuk është kopjuar as prej Koreniq-Neoriqit e as prej Althanit, prandaj ajo konsideron se prej të gjitha koleksioneve të njohura deri tani, ky është më i afërmi me prototipin e humbur të Petar Ohmuçeviqit. Në qoftë se është kështu, atëherë ky koleksion do të ketë rëndësi të posaçme.

Figura 7, Stema e familjes Kastrioti
Figura 7, Stema e familjes Kastrioti

Në këtë koleksion nga feudalët shqiptarë gjendet vetëm stema e familjes Kastrioti (fig. 7). Stema është me ngjyra, me shqiponjë të zezë dykrerëshe në

fushë të verdhë. Mburoja këtu ka formë katërkëndëshe ose franceze . Me të gjitha elementet tjera është e ngjashme me stemat e mëparshme. Mbi stemë nuk ka asnjë shkrim, e nën të ka shirit me shënimin: “CASTRIOTICH”. Kjo stemë gjendet në faqen 24 të koleksionit. Nga të gjitha stemat që i kam parë, e që janë të Kastriotëve, kjo është mjaft bukur e vizatuar, me shije dhe me mjeshtëri artistike.

(VAZHDON)


[1] “Ozbor”, 27. XII. 1836.

[2] Solovjev, Prinosi, 129.

[3] L. Curcic, Grbovnik grofa Ladislava Festetica. Poseban otisak iz Matice sprske, Odeljenje za drustvene nauke, 29, Novi Sad 1961, 120.

Lajme të ngjashme

Back to top button