Shkupi shpërblen Rexhallarin dhe Sejfullahun

Shumë institucione kanë filluar të ndajnë mirënjohje për rezultatet e arritura të sportistëve më të mirë. Kështu sot edhe Qyteti i Shkupit dhe Lidhja e Sporteve të Qytetit të Shkupit (LSQSH) kanë ndarë çmimet për sportistët më të mirë për vitin kalendarik që po e lëmë pas vete. 

Në mesin e shumë sportistëve të përzgjedhur me mirënjohje janë shpërblyer edhe mundësit e KM Lirisë nga Çairi, Elmedin Sejfullahu dhe Jasin Rexhallari.
Rexhallari u shpërblye në konkurrencën e seniorëve, ku u shpërblyen edhe Aleksandar Stojkovski (kik-boks), Dejan Manaskov (hendboll), Stojançe Stoilov (hendboll), Bojan Vllakevski (boulling), Tomi Stefanovski, Sllobodan Ivçevski (moto sport), Ivo Cvetkovski (karate) dhe Gjorgji Çekovski (basketboll).
Po në këtë konkurrencë notuesi Evgenij Pop Acev fitoi çmimin e sportistit më të mirë për vitin 2013-të në qytetin e Shkupit.

“Më vjen mirë që sukseset e vitit 2013 po kurorëzohen me sukses dhe me mirënjohje. Falënderoj edhe  qytetin e Shkupit që nuk na ka harruar dhe ka përcjellë rezultatet tona. Gjithashtu dua të falënderoj edhe të gjithë ata që na kanë përkrahë gjatë sezonit që sukseset të jenë të plotësuara me medalje”, ka thënë për “Portalb”, Jasin Rexhallari

Elmedin Sejfullahu i cili fitoi medaljen e bronzit në kampionatin Evropian që u mbajt në Mal të Zi, mori çmimin si sportisti më i mirë i ri i qytetit të Shkupit, ku me çmime në këtë kategori u shpërblyen edhe Viktor Krstevski (karate), Marija Bozhinovska (kik boks), Matej Angellovski (karate) dhe Bojan Jankullovski (tenis).

Si ekipe më të suksesshme u shpallën klubi i hendbollit të femrave, “Vardari” dhe klubi për boulling “Makpetroll”, ndërsa çmimi i trajnerit më të suksesshëm i takoi Indira Kastratoviq.

Në kategorinë e personave me aftësi të kufizuara një mirënjohje iu nda Dimçe Mihajllovskit, ndërsa Vlladimir Anicinov morri çmimin e sportistit me arritje të jashtëzakonshme. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button