Si u mbrojt Sokrati shqip në Aleksandri?

“Edhe udhëtimet më të largëta fillojnë me një hap” ishte fjalia. Po me çka fillojnë udhëtimet e rralla? E me çka kur ato janë edhe të rralla dhe të largëta, siç ishte ky i yni për  “Mbrojtjen e Sokratit në shqip, në festivalin e teatrit modern në Aleksandri-Egjipt. Kësisoj udhëtime të largëta dhe të rralla fillojnë me ndonjë njeri do ishte përgjigjja më e saktë. E ai njeri ishte Bajrush Mjaku që me krejt entuziazmin, zellin, mundimet dhe kapacitetin artistik ishte nisur edhe në një përvojë të rrallë të shkëmbimit kulturor mes popujve, vendeve dhe gjuhëve duke bërë këtë me atë që sipas shumë njerëzve e bën më së miri: luajtjen e fjalës- teatrin.

Kisha nderin të jem pjesë e ekipit gjashtë anëtarësh që nën produksionin “Teatri i një aktori” udhëtoi në maj të këtij viti për në Aleksandri ku në objektin grandioz të bibliotekës më të vjetër në botë u shfaq “Mbrojtja e Sokratit” në kuadër të festivalit të teatrit bashkëkohor që mbaheshe për herë të parë në këtë qytet dhe ishte festival ndërkombëtar me pjesëmarrje të gjerë nga e gjithë bota. Për katër ditë radhazi aty trupat belge, tuniziane, britanike, publikut të kultivuar egjiptian dhe me traditë të madhe në teatrin klasik do i shfaqnin edhe teatër modern me krejt eksperimentalitetin dhe modernitetin e kombinuar në teknikë dhe shfaqje të fjalës duke përçuar art të vërtetë prej Hamletit, Ay Carmela e deri tek ëndrrat ballkanike në gjuhën serbe dhe shfaqjen e perceptimit të tmerreve të luftërave në Lindjen e Mesme me shfaqjen “Dhimbja dhe trupi” nga një teatër irakianë-evropian. Ne, vet, nga Shkupi në Maqedoni shkonim ta mbronim Sokratin grek në shqip në Aleksandri-Egjipt.

Tërë kohës së udhëtimit vetëm binin në mend asociacione dhe ndërlidhje historike dhe nuk kishte si të jetë tjetër qysh kur disa shqiptarë dhe një maqedonas shkojnë për në lindje; diku në Arabi. Që në fillim me peripecitë për ndihmën e premtuar nga Ministria e Kulturës dhe shkuarjen me autobus për Sokratin nëpër Greqi deri në aeroportin e parë në Turqi sikur na buçiste pas ndonjë këngë nizamësh në shqip të shqiptarëve që për shekuj me radhë kanë udhëtuar atje diku larg në Jemen e Arabi për dije, zanat, tregti ose luftë, që herë janë kthyer, e herë jo dhe që gjithmonë i kanë përfunduar ato këngë me një shpresë si në vargun: o ishalla, vjen, o moj nane, naj devër tjetër.

Stacioni i parë ishte në jug nëpër Greqi, ku u kalua shpejt me njerëzit dhe krejt ato rekuizitat e nevojshme për shfaqjen e Sokratit të tyre diku larg. Kaluam shpejt dhe as ata ditën se çka janë rekuizitat e as që neve na shkoi ndërmend që tua përmendim grekëve se shkojmë diku larg të mbrojmë edhe Sokratin e tyre. Herën tjetër grekët na u kujtuan vetëm një dyqan të lashtë në Aleksandri ku për të blerë ca suvenirë hasëm në grekë Çamërie dhe filluam ti pyesim për shqiptarët ortodoksë dhe kishat aty, mos ndoshta gjejmë ndonjë kontakt ose ndërlidhje, për ndonjëherë tjetër, kur do jemi aty më gjatë, të gjejmë ndonjë fakt për shqiptarët e dalluar, por të harruar, që dikur moti në Aleksandri kanë qëndruar si; Andon Zako Çajupi, Thimi Mitko dhe Jani Vreto. Që, për dallim nga shqiptarët tjerë të Egjiptit, shumë pakë është shkruar për to dhe veprimtarinë e tyre të bujshme patriotike aty. Sigurisht kishim diferenca të skajshme me ato grekë që i gjetëm në Aleksandri si të emërtojmë vendet e tyre të prejardhjes nëse ishin Epir sipas tyre apo Çamëri sipas neve. Me gjithat venduam paqe etimologjike dhe i pyetëm ku aty më së miri përgatitet peshku. Gjë që edhe e bënë dhe na udhëzuan. Na kishin borxh atë informatë pasi ne kishim ardhur aq larg aty për të mbrojtur edhe Sokratin e tyre. Ndonëse nuk është relacion borxhi në shkëmbimet kulturore pasi Sokratin që ne e mbrojtëm ishte tani i yni dhe kultura dilte të jetë si njerëzillëku. Njerëzia që njerëzit shkaku i njerëzisë së vetë e kanë borxh ndaj njerëzve tjerë.

Stacioni i dytë ishte Stambolli. Qytet i madh, i mundimshëm, qytet që të lodh ditën nëse nuk bun në te natën. E ne kishim fatin të tillë, që të jemi aty për tërë ditën që në mbrëmje të fluturojmë. Me krejt njerëzit, rekuizitat dhe brengën e udhëtimit të mëtejmë dhe të arrish në Stamboll herët në mëngjes, bile ende turqit aq të vyer pa i hapur dyqanet në Çarshinë më të madhe në botë, të mbushet mendja se qytetet e mëdha janë si lidhjet dhe gratë serioze; ato janë vetëm për seriozisht dhe assesi për kalimthi dhe për aventurë. E Stambolli me qetësinë dhe pastërtinë e rrallë të mëngjesit, më pëllumbat dhe xhamitë aty në sheshin Bajezit pranë Kapali Çarshisë ishte tamam si saherë: një zonjë e vërtetë. Por, si biseda në ndonjë bashkëudhëtim që qëllon me ndonjë zonjë ashtu edhe ne patëm fatin këtë herë me Stambollin. Në saje të kontakteve të mëhershme të Ramizit, përkthimit të Ibrahimit dhe zellit të Bajrushit u bënë disa takime për zotime dhe premtime për disa shfaqje në Stamboll në shqip dhe para shqiptarëve. Këtë herë vetëm ne pamë Stambollin, por me shpresë se herëve tjera edhe Stambolli do na sheh neve.

Në Aleksandri zbarkuam natën në një aeroport të ri dhe të largët nga qyteti. Ndonëse Egjipti ndodhet në një lloj sundimi ushtarak ne prej burokracisë arritëm të shohim vetëm doganierët kurse krejt punët tjera u kryen shpejt dhe me një autobus nikoqiri, organizatorët që na kishin pritur na vendosën në një hotel me pamje kah deti. Arritja natën bën që qytetet si Aleksandria të mos njihen se në cilin kontinent janë. Si njeriun e panjohur që takon natën, qyteti në të cilin arrin natën mbetet ta njohësh tek në herën e dytë, ditën. Egjipti i tëri është i tillë. Ata kanë marrëdhënie aq shumë me Lindjen e Mesme në Azi sa që shpesh vet harrojnë se janë në Afrikë. Për Afrikën tjetër ata janë si Evropë, aq sa kjo e bën Egjiptin të kujtojë se është kontinent në vete e jo që bashkë ndodhen në Afrikë. Shtet, vend dhe shoqëri e madhe, ndoshta jo sa për t’u quajtur kontinent në vete, por mjaftueshëm për një mburrje siç edhe e cilësojnë ata vet vendin e tyre: “Nëna e botës”. Kjo sidomos mund të vlen për kulturën dhe kontributin e këtij vendi dhe këtyre njerëzve në gjithë kulturën arabe, afrikane, por edhe të Mesdheut dhe botës mbarë. Kështu ishte edhe puna me teatrin. Ata kanë një traditë të madhe të teatrit dhe janë themeluesit e gjithë kulturës teatrore ndër arabë. Njashtu shumë vite më parë ata bartën suksesshëm teatrin në industrinë e filmit. Kjo traditë e teatrit ndoshta kishte bërë që festivali në Aleksandri ku morëm pjesë ta emërtonin me Festival i Teatrit Bashkëkohor. Sa për ta dalluar dhe veçuar se kjo ishte tetarë tjetër, por edhe vlerë shtesë në atë që ata bëjnë dhe konsumojnë si teatër për çdo dit. Për të ilustruar se sa është i zhvilluar aty teatri ndoshta mjafton fakti që kishin një gazetë javore enkas për teatër dhe një mujore tjetër, njashtu vetëm për kulturën teatrore.

Të nesërmen sapo doli dita dhe pamë detin morëm vesh se kemi ardhur në një qytet të veçantë që tani e njohëm edhe pse ishte i largët. Nuk ishte as Arabi, as Azi e as Afrikë ishte Mesdhe dhe unik, ishte: Alekandria. Para se të shohim krejt qytetin nën një organizim pamë objektin ku do mbahet festivali dhe ku do shfaqej “Mbrojtja e Sokratit”. Ai ishte objekti i vetëm në atë qytet i njohur po aq sa vet qyteti: Biblioteka e Aleksandrisë. Tani një vepër arkitektonike unike moderne që ishte vazhdim i bibliotekës më të vjetër të njohur në botë që Egjipti, me ndihmë edhe të botës mbarë e kishte restauruar në njërën prej bibliotekave më të mëdha tani në botë, por me sallën e leximit më të madhe në botë. Ndërtesë impozante dhe me mur në të cilin ishin të shënuara gjithë alfabetet e botës.

Aty pamë papiruset më të lashta të njerëzimit, dorëshkrimin e vetëm të mbetur nga biblioteka historike e Aleksandrisë dhe shumë e shumë trashëgimi kulturore të njerëzimit të shënuar në letër dhe të bartur në pikturë. Pasi kishte shumë, secili vizitorë aty vërente me syrin e vet dhe kapte çka ia zinte mendja dhe drejtohej nga e çonte zemra. Neve në hyrje pamë librat për Ahmed Rami, poetin e  famshëm modern egjiptian me prejardhje shqiptare, fotot dhe pikurat nga koha e ndërtuesit dhe themeluesit të Egjiptit bashkëkohor, Muhamed Ali Pashën shqiptar, dhe foto të rralla, por shumë domethënëse për prezencën shqiptare ndër shekuj në Egjipt e që mbeten të hulumtohen edhe më tej. Sikur që ishte rasti me gravurën që shfaqte shqiptarin të veshur me fustanellë në përshkrim të cilit qëndronte: rojtari shqiptar i bankave?!

Me të dalë në qytet pamë edhe gazetat dhe shtypin ditor për të kuptuar nëse në krejt atë kallaballëk dikush e dinte se jemi aty. Ashtu në njoftimin për shfaqjen tonë të nesërmen, pamë se dihet se dikush nga Maqedonia nesër në gjuhën shqipe do mbron Sokratin në bibliotekën e Aleksandrisë.

Ndonëse festivali ishte me pjesëmarrje të larmishme dhe cilësore nga e gjithë bota dhe ishte vetëm me karakter pjesëmarrës, e nuk kishte çmime me të cilat do dalloheshin shfaqjet, Bajrush Mjaku edhe një herë, për të satën herë në për të satin vend dhe qytet, ishte i shkëlqyeshëm që mjaftoi që publiku, por edhe kritikët dhe njohësit e teatrit në publik të vërenin performancën e dallueshme që e shprehën qartë në fjalët e thëna më pas. Aq sa një aktor plak, e që tani rregullisht shkruante në gazeta dhe revista për shfaqjet dhe teatrit, mua më tha direkt, sepse isha në cilësi të përkthyesit: Unë e xhelozova këtë njeri, për këtë performancë!

I tërë ekipi dhe shfaqja në tërësi funksionoi mirë dhe në saje të krejt sjelljes në kohë të këtij teksti klasik të Platonit publiku e kapi aktualitetin e njerëzve që si dikur Sokrati përpiqen për mendim të lirë dhe për mirësi. Jo vetëm në Egjipt dhe Maqedoni, por për kudo në botë. Ishte shfaqje e rrallë ku kuptimi u përçua pavarësisht fjalëve. Pasi vendi, gjuha dhe artisti e përçuan edhe më larg, në vend dhe në kohë, atë që Sokrati kishte mbrojtur, jo për vete, por për njerëzimin.

Ramadan Ramadani

(autori ishte anëtar i ekipit nga “Teatri i një aktori”-Shkup në “Festivalin e teatrit Bashkëkohor” që u mbajt në Aleksandri-Egjipt, prej 02-07 maj 2015, ku u shfaq “Mbrojta e Sokratit” me aktor Bajrush Mjaku, pjesëmarrja u ndihmua pjesërisht edhe nga ndihma e Ministrisë së Kulturës të R. Maqedonisë)

Lajme të ngjashme

Back to top button