Maqedonia pretendon se 20 ikonat e vjedhura gjenden në Tiranë

Të paktën 20 ikona të koleksionistit Gjergj Thimo rezultojnë të vjedhura në kishat e Maqedonisë. Ky konstatim është bërë nga një grup ekspertësh dhe punonjës të policisë maqedonase, i përbërë nga 5 persona. 

Ekspertët e ardhur nga Maqedonia vëzhguan dje nga afër, në ambientet e Galerisë Kombëtare disa prej ikonave të gjetura në banesën e koleksionistit Thimo. 

Autoritetet maqedonase, pritet që shumë shpejt t’i dërgojnë autoriteteve të drejtësisë shqiptare kërkesën institucionale të shtetit maqedonas për kthimin e tyre. 

Prokuroria ka kërkuar nga ekspertët maqedonas, që kërkesën ta mbështesin edhe në dokumentacionin përkatës dhe certifikatën e origjinës për çdo ikonë të konstatuar se është vjedhur në kishat maqedonase. 

Nëpërmjet këtyre dokumenteve, prokuroria ka kërkuar që ekspertët maqedonas të faktojnë pretendimet se këto 20 ikona janë pasuri maqedonase, të vjedhura dhe shitura në Shqipëri. Ndërsa hetimet për koleksionistin Thimo vazhdojnë ende.

Lajme të ngjashme

Back to top button