Sa forca policie do të angazhohen për sigurinë e Vuçiqit në Tiranë?

Zv.kryeminisri dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Tiranë në kuadër të pjesëmarrjes në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal dhe në takimin e ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore.

“Kjo është vizita ime e tretë në Shqipëri në shtatë vitet e fundit”, shprehet Daçiç.

Në tre muajt e fundit ka pasur një intensifikim të vizitave të zyrtarëve serb në Shqipëri. Pas vizitës së ministres së Transportit, Zorana Mihajloviç, ministri të Brendshëm Nebojsa Stefanoviç dhe ministrit të Jashtëm Ivica Daçiç në Tirana do të mbërrijë më 27 maj kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Kjo do të jetë vizita e parë e tij në Shqipëri dhe vizita e parë e një kryeministri serb në Tiranë.

As Josip Broz Tito gjatë kohës së Jugosllavisë nuk zhvilloi asnjëherë vizitë në Shqipëri.

Ndërsa vizita e parë e një kryeministri shqiptar në Beograd u zhvillua pas 68 vitesh (Enver Hoxha 1946), ku Edi Rama u takua me Vuçiqin në kryeqytetin e Serbisë më 10 nëntor të vitit të kaluar.

“Në gjashtë apo shtatë muaj u korrektua ajo që ishte harruar në shekullin e kaluar, jo vetëm për marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, por për të gjithë rajonin”, shprehet këshilltari i kryeministrit të Shqipërisë, Shkëlzen Maliqi.

Hapi i parë për bashkëpunimin Serbi-Shqipëri u hodh më 5 shkurt në Tiranë, ku u mbajt i pari takim bilateral në nivel ministrash pas 23 vitesh.

Dy kryeministrat do të takohen më 27 maj në Tiranë ku do të diskutojnë për projekte të rëndësishme rajonale.

Temat kryesore të bisedës së tyre do të jenë ndërtimi i autostradës Nis-Prishtinë, që do të lidhë Serbinë me portet e Shqipërisë. Gjithashtu do të diskutohet dhe rikonstruktimi i hekurudhës Shqipëri-Kosovë.

Edhe pse agjenda e vizitës së Vuçiqit nuk është përcaktuar ende përfundimisht, projektet e infrastrukturës do të jenë çështja kryesore e vizitës.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsa Stefanoviç ishte para dy ditësh në Tiranë. I pyetur nga mediet serbe nëse ai është marrë me aspektet e sigurisë së vizitës së Vuçiq, ai as e mohoi dhe as e pohoi këtë gjë. Kujtojmë se gjatë vizitës së Ramës në Beograd, u angazhuan 5 mijë forca të policisë. /shekulli/

Lajme të ngjashme

Back to top button