Masat për ajrin e ndotur: Mbeten pa zëvendësim arsimtarët

Arsimtarët të cilët janë më të vjetër se 60 vjet nuk janë liruar nga puna edhe pas vendimit të Qeverisë që të gjithë personat mbi këtë moshë të mos dalin në punë shkaku i ajrit të papastër. Kjo ndodh në shkollën fillore “Liria” në Çair të Shkupit.

“Mjegulla është e tmerrshme, sidomos për ne që jemi më të moshuar. Tërë kohën kemi probleme me frymëmarrjen por shkaku i fëmijëve, dal në punë edhe në këtë ajër të ndotur dhe të rrezikshëm për shëndetin”, tha për Portalb, F.G. arsimtar.

Drejtori i shkollës fillore “Liria”, Talat Sadiku bën të ditur se në këtë shkollë vetëm një mësuese e gjuhës angleze ka marrë leje që të mos shkojë në punë.

“E dimë se mësuesit dhe arsimtarët mbi moshën 60 vjeçar janë liruar nga puna shkaku i ajrit të papastër, por megjithatë te vetëm një mësuese e gjuhës angleze ka kërkuar leje”, tha Sadiku.

Ai shton se në këtë shkollë ka me dhjetëra arsimtarë mbi këtë moshë por është problem që të pushojnë shkaku se nuk ka zëvendësim dhe nxënësit mbesin në korridore.

“Janë sjellë vendime pa u analizuar si duhet dhe për këtë arsye arsimtarët janë të vetëdijshëm dhe nuk duan t’i lënë nxënësit jashtë bankave shkollore. Duke pasur parasysh që nuk është gjetur zëvendësim ata vazhdojnë të dalin në punë edhe përkundër vendimit qeveritar”, tha për Portalb, Sadiku.

Nga ana tjetër zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), Goran Galevski, thotë se arsimtarët mbi këtë moshë kanë të drejtë që të mos shkojnë në punë.

“Vendimi qeveritar vlen për të gjithë, pa marr parasysh se a janë arsimtar, administrator, punëtorë etj, të gjithë ata që janë mbi moshën 60 vjeçare, dhe lirohen nga puna. Zëvendësimi i  tyre është në kompetenca të komunave, por megjithatë ata kanë të drejtë që të mos dalin në punë”, tha për Portalb, Galevski.

Ndërkaq në vendimin qeveritar thuhet se lirohen nga puna gratë shtatzëna dhe personat mbi moshën 60 vjeçare në rajonin e Shkupit, Kërçovës, Tetovës dhe të Manastirit për shkak të ndotjes së ajrit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button