Presidenti konsenzual

Shqiptarët sot më shumë se kurdoherë fatin e orientimit politik të Maqedonisë e kanë në duart e tyre. Ata tani kanë shansin historik dhe ndoshta të vetmin që ta varrosin politikën e Gruevskit. Përndryshe, ata serish do të ndihmojnë varrosjen e ardhmërisë së vet. Atëherë vet do të merrnin përgjegjësinë për të gjitha përkëmbjet e gjertanishme dhe të ardhshme që ky regjim ua bëri komponentave kryesore të kësaj shoqërie, si pasojë e së cilës tani ndeshemi me varfëri të skajshëm, me shpërngulje, me nënçmime, me injorime dhe me shkelje të dinjitetit njerëzor. Tani thjeshtë duhet rrëzuar këte regjim që të lajmë një borxh që ia kemi vetvetes, popullatës, demokracisë dhe kahjeve themelore të aleatëve tanë.

Hapi i parë që duhet bërë në këtë drejtim është pamundësimi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat janë shpëtim i vetëm i Gruevskit. Nëse ndonjë parti shqiptare do të përkrahte vendimin për vetshpërndarje të parlamentit, ajo në fakt do të votonte për shpëtim të këtij regjimi që ndeshet me vlera themelore amerikane dhe ato evropiane. Hapi i dytë, do të ishte mospërkrahja e kandidatit të VMRO-DPMNE-së për president (kushdoqoft ai), pasi që ai, jo vetëm që ai do të ishte vetëm një hije e liderit të saj, por kjo përkrahje do të prishte planet perëndimore për kthimin e demokracisë dhe të mirëqenies në vend.  

Prej këtu, jam i bindur se dalja publike e liderit të BDI-së për “kandidat konsenzual” për kryetar shteti aspak nuk është e rastit. Madje supozoj se kjo çështje është gatuar diku tjetër dhe është mirë e shoshitur, në rend të parë me qëllim të kanalizimit të proceseve të mëtejme politike të këtuit, të cilat në fakt jo vetëm që janë të bllokuara, por ata kanë kthim serioz pas. Nga ky regjim humbëm tetë vite në kohën më të rëndësishme, humbëm shumë rini, shumë projekte kolosale, humbëm pjesë të krenarisë. A thua akoma ka ndonjë që mendon se ky çmim nuk i është aq i madh dhe në emër të interesave të ngushta akoma të preferon jetëzgjatje!  

Mendoj se realizimi i një projekti të tillë të sponzoruar nga qendrat relevante të vendosjes, fare lehtë me qëllim apo pa qëllim mund të ndodhë që të dëmtohet nga ndonjë parti shqiptare qoftë edhe margjinale, nëse ajo nuk di t’i kuptojë kahjet dhe mesazhet e aktorëve kyç. Madje, edhe vet përbrenda BDI-së ka forca të caktuara të cilat ndoshta janë të zënë në rrjetin e ndokujt dhe jashtë çdo arsye insistojnë në përkrahje të një kandidati të partnerit të koalicionit, me çka në mënyrën më drastike do të nënçmonin inteligjencën dhe dinjitetin e popullit të vet. Askush nuk guxon që ta lëshojë djallin nga shishja. Tani e kemi shansin që të dalim nga pengu dhe prangat që vite ma radhë na u servuan si “kurorë” e së keqes. Prej këtu, askush s’ka të drejtë që ta minon këtë projekt rrugëdalës. 
Kjo gjë shumë do t’i kushtonte procesit integrues, por edhe vet aktorëve të prapaskenës. Në fakt vetëm njeri me kokë në qiell mund të mendojë se një popull i zhytur në baltë do të votonte kandidatin qoftë edhe “të shenjtë” të preferuar nga Gruevski. Absurd është ta orientosh masën votuese shqiptare nga kutia e atyre që vite me radhë diskriminuan, nënçmuan dhe poshtëruan këtë masë. Që vite me radhë lënduan fëmijët e tyre. Që në çdo aspekt injoruan vlerat e tyre. Madje edhe ata pak investime që ndodhën në Maqedoni tetë vitet e fundit, të gjitha i orientuan nga pjesa lindore e shtetit.

Tani koha është kur duhet të dëshmojmë relevancën tonë. Tani duhet ndihmuar faktorizimin tonë. Ky do të ishte leksion shumëvjeçar për çdonjërin që do të pretendonte të fiton në paqë ate që ka humbur në luftë. Tani koncenzusi ndërshqiptar më tepër se kurdoherë është në sprovë. Jo rastësisht ambasadori amerikan çoi një mesazh shumë decid, që është përjashtim i të gjitha përjashtimeve në fjalorin diplomatik amerikan. Ky mesazh me gjasa më shumë iu pat adresua subjektit politik shqiptar se sa atij tjetrit.

Nëse kjo nuk kuptohet, atëherë ka diçka që thellë nuk vlen ndër ne. Atëherë ka ndonjë treg të zi ku bëhet shitblerja e moralit dhe është i gatshëm të na le me të vjetrën. Shkelim në vitin e tetë të sundimit të këtij pushteti që i përngjanë një anije që lundron pa kompas, që drejtohet nga kusarë dhe që në velat e saj fryjnë mashtrimet dhe krimet. Agjenda euroatlantike është në huti, investimet në mjegulla, ekonomia në krizë, rrogat në ngecje, varfëria në lulëzim, marrëdhëniet ndëretnike në ashpërsim. Testimi afrohet dhe nuk guxojmë që serish të pengohemi në të njëjtin gur, pasi atëherë meritojmë që ta thejmë kokën. Uashingtoni dhe Brukseli janë të lodhur me çfarëdo liderësh. Ata kërkojnë parter për koordinim e jo për pengim.  

Lajme të ngjashme

Back to top button