Tani është shansa jonë!

Sërish me bindje të thellë, lideri i partisë shqiptare në pushtet deklaroi në Shqipëri që nuk do të dalë nga qeveria sepse ashtu i mbron interesat e shqiptarëve. Shkoi akoma më larg duke e pranuar, në formën e tij kuptohet faktin real dhe të pamohueshëm që shqiptarët janë të diskriminuar. Nuk mund ta pranoj diplomacinë me të cilën ky përfaqësues prezenton gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni – se më duket fjalë shumë e civilizuar, por janë të shtypur, të mbytur, të mposhtur.  Pse gjithmonë liderët shqiptarë të Maqedonisë flasin më ndryshe në Shqipëri, sesa në vendin e tyre. Sikur bëhen më patriotë. Sikur më lehtë i drejtohen popullit të vet nga distanca. Ndryshe fliste vetëm disa ditë më parë në Alsat-M në Shkup. E habitshme! Është një fenomen në vete i cili duhet studiuar. Por sot nuk kam kohë për këtë.

Isha pjesëmarrës i protestës së 17 Majit. Ajo që më bëri përshtypje ishte prezenca e madhe e shqiptarëve në këtë protestë, sidomos rinisë shqiptare. Studentë shumica, por jo vetëm. Për herë të parë në një miting të tillë të organizuar nga një parti maqedone, të valviten aq shumë flamurë shqiptarë, të ardhur aty nga bajraktarë autonomë të paorganizuar nga kolltukofagët tanë. Mbi të gjitha më bëri përshtypje një frymë e re e një bashkimi të qytetarëve rreth një ideali të përbashkët – rrëzimit të një diktature që ndër vite ka qenë e dëmshme ndaj maqedonasve, por shtypëse dhe katastrofale ndaj interesave shqiptare në shtet.

Disa herë kam bërë thirrje nëpërmjet bitsave të portalbit që shqiptarët duhet të përkrahin protestat antiqeveritare. Duke mos patur vecse kolltukofagë për përfaqësues politikë, protesta në fjalë dëshmoi që shqiptarët dijnë të organizohen edhe pa to. Por për jetëgjatësi të organizimit, kërkohet një frymë e re politike e cila do të shkojë përkrah kësaj lëvizjeje qytetare shqiptare që kërkon ndryshim. Një përfaqësuese politike me ide të reja dhe largpamëse e cila do të dinte të kanalizonte mbështjetjen të cilën po i japin shqiptarët kauzës anti-Grueviste, drejt një marrëveshjeje të re politike mes dy kombeve, një paqeje të denjë e cila do të ishte në interes të të gjithëve. Po na ngulfatën politika e poshtër dhe e korruptuar e interesave të pakicës, prandaj na duhet frymë, frymë e re!

Prej protestave shqiptarët vetëm mund të fitojnë, kuptohet nëse dijnë ta luajnë lojën ashtu sic duhet, me mencuri dhe me urtësi. Me një përkrahje të mjaftueshme dhe substanciale shqiptare kundrejt kauzës së përbashkët – rrëzimit të diktaturës, duke luajtur një lojë të mençur politik dhe diplomatik, jam i bindur që Zaev do të ofronte karta blanka për kërkesat tona në një qeveri të ardhshme post tranzicionale. Interesi jonë i tashëm është rrëzimi i kësaj garniture të vjetërruar që bie erë; interesi i të ardhmes është rruga drejt Europës. Drejt kësaj rruge europjane, roli i shqiptarëve është krucial. Për të vlerësuar këtë rol, qeveria e ardhshme duhet të garantojë që kualiteti i jetës politike, ekonomike dhe sociale e shqiptarëve do të rritet, ashtu sic e kërkon rendi natyror i sendeve përderisa Maqedonia synon realizimin e interesave proeuropjane.

Me kalimin e kohës, faktori shqiptar në këtë shtet po tkurret dhe ka humbur atë vijë të cilën e trasuan idealet e paraardhësve tanë. Kjo është pasojë e drejtimit të gabuar që kanë dhënë përfaqësuesit tanë ndër vite, sepse i kanë barazuar interesat e kombit me interesat personale. Rrjedhimisht këtë lëvizje të re nuk mund ta drejtojnë njerëz të harxhuar. Ajo duhet drejtuar nga një formacion i ri brenda shqiptar, që do të vinte me një marrëveshje të re politike të bazuar jo në ndarje të digastereve dhe pushteteve, por në ndarje qenësore dhe funksionale të pushtetit. Duhet një formulë e re e organizimit të këtij shteti. Tani është shansa jonë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button